Daniel (Albanian)

Daniel (Albanian)

1

1:1b.DAN.001.001 Në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit; mbretit të Judës, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, u nis kundër Jeruzalemit dhe e rethoi.

1:2b.DAN.001.002 Zoti atëherë dha në duart e tij Jehojakimin, mbretin e Judës, bashkë me një pjesë të orendive të shtëpisë së Perëndisë, që ai i transportoi në vendin e Shinarit, në shtëpinë e perëndisë së tij dhe i vendosi orenditë në shtëpinë e thesarit të perëndisë së tij.

1:3b.DAN.001.003 Pastaj mbreti i tha Ashpenazit, kreut të eunukëve të tij, t'i sjellë disa nga djemtë e Izraelit, qofshin prej fisi mbretëror apo prej familjesh fisnike,

1:4b.DAN.001.004 të rinj që të mos kishin asnjë të metë, por të hijshëm, të pajisur me urti, që të kishin njohuri dhe të mësonin shpejt, që të ishin të aftë të shërbenin në pallatin e mbretit dhe të cilëve të mund t'u mësohej letërsia dhe gjuha e Kaldeasve.

1:5b.DAN.001.005 Mbreti u caktoi atyre një racion të përditshëm ushqimesh të shijshme nga ato të mbretit dhe verë nga ajo që ai vetë pinte; ata duhet të edukoheshin në tre vjet, në mbarim të të cilëve do të kalonin në shërbim të mbretit.

1:6b.DAN.001.006 Midis tyre ishin bijtë e Judës: Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria.

1:7b.DAN.001.007 Kreu i eunukëve u vuri atyre emra të tjerë: Danielit i vuri emrin Beltshatsar, Hananiahut Shadrak, Mishaelit Meshak dhe Azarias Abed-nego.

1:8b.DAN.001.008 Por Danieli vendosi në zemër të tij të mos e ndotë veten me ushqimet e shijshme të mbretit dhe me verën që pinte ai vetë; dhe i kërkoi kreut të eunukëve ta lejonte që të mos ndotej.

1:9b.DAN.001.009 Perëndia bëri që Danieli të gjejë hir dhe dhemshuri te kreu i eunukëve.

1:10b.DAN.001.010 Kreu i eunukëve i tha pastaj Danielit: "Unë kam frikë nga mbreti, zoti im, që ka caktuar ushqimin tuaj dhe pijen tuaj. Pse ai duhet të shikojë fytyrat tuaja më të trishtuara nga ato të të rinjve të moshës suaj? Kështu do të vinit në rrezik kokën time te mbreti".

1:11b.DAN.001.011 Atëherë Danieli i tha Meltsarit, që kreu i eunukëve kishte caktuar si të parë mbi Danielin, Hananiahun, Mishaelin dhe Azarian;

1:12b.DAN.001.012 "Të lutem, vëri në provë shërbëtorët e tu për dhjetë ditë, dhe të na jepen perime për të ngrënë dhe ujë për të pirë.

1:13b.DAN.001.013 Pastaj të ekzaminohet në praninë tënde pamja jonë dhe pamja e të rinjve që hanë ushqimet e shijshme të mbretit; do të veprosh pastaj me shërbëtorët e tu në bazë të asaj që do të shikosh".

1:14b.DAN.001.014 Ai e pranoi këtë propozim të tyre dhe i vuri në provë dhjetë ditë.

1:15b.DAN.001.015 Në mbarim të dhjetë ditëve pamja e tyre dukej më e bukur dhe e kishin mishin më të plotë se të gjithë djemtë që kishin ngrënë gjellët e shijshme të mbretit.

1:16b.DAN.001.016 Kështu Meltsari u hoqi atyre gjellët e shijshme dhe verën që duhet të pinin dhe u dha perime.

1:17b.DAN.001.017 Katër të rinjve Perëndia u dha njohuri dhe mend në gjithë letërsinë dhe diturinë; dhe Danieli fitoi njohuri për çdo lloj vegimi dhe ëndrre.

1:18b.DAN.001.018 Në mbarim të kohës së caktuar nga mbreti që t'ia çonin këta të rinj, kreu i eunukëve i shpuri përpara Nebukadnetsarit.

1:19b.DAN.001.019 Mbreti foli me ta, por midis tyre nuk u gjet asnjë si Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria, prandaj këta u pranuan në shërbim të mbretit.

1:20b.DAN.001.020 Dhe mbi çdo çështje që kërkonte dituri dhe gjykim dhe për të cilat mund t'i pyeste mbreti, i gjeti dhjetë herë më lart se tërë magjistarët dhe astrologët që ishin në tërë mbretërinë e tij.

1:21b.DAN.001.021 Kështu Danieli vazhdoi deri në vitin e parë të mbretit Kir.

2

2:1b.DAN.002.001 Në vitin e dytë të mbretërimit të Nebukadnetsarit, ai pa disa ëndrra; fryma e tij u turbullua dhe i iku gjumi.

2:2b.DAN.002.002 Atëherë mbreti dha urdhër të thërrisnin magjistarët, astrologët, shtriganët dhe Kaldeasit, që t'i tregonin mbretit ëndrrat e tij.

2:3b.DAN.002.003 Mbreti u tha atyre: "Pashë një ëndërr dhe fryma ime është turbulluar, deri sa t'ia dal të shpjegoj ëndrrën time".

2:4b.DAN.002.004 Atëherë Kaldeasit iu përgjigjën mbretit në gjuhën aramaike: "O mbret, jetofsh përjetë. Trego ëndrrën tënde shërbëtorëve të tu dhe ne do ta interpretojmë".

2:5b.DAN.002.005 Mbreti u përgjigj dhe u tha Kaldeasve: "Vendimin tim e kam marrë: po të mos ma bëni të njohur përmbajtjen e ëndrrës sime dhe interpretimin e saj, do të priteni copa-copa dhe shtëpitë tuaja do të katandisen në plehërishte.

2:6b.DAN.002.006 Por në rast se do të më tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj, do të merrni nga unë dhurata, shpërblime dhe nderime të mëdha; më tregoni, pra, ëndrrën dhe interpretimin e saj".

2:7b.DAN.002.007 Ata u përgjigjën për së dyti dhe thanë: "Le t'u tregojë mbreti ëndrrën shërbëtorëve të vet dhe ne do t'i japim interpretimin".

2:8b.DAN.002.008 Atëherë mbreti u përgjigj dhe tha: "E kuptoj fare mirë që ju doni të fitoni kohë, sepse e shihni që vendimi im është marrë;

2:9b.DAN.002.009 po të mos ma bëni të njohur ëndrrën, ka vetëm një vendim për ju; jeni marrë vesh midis jush për të thënë para meje fjalë të rreme dhe të çoroditura, me shpresë që kohërat të ndryshojnë. Prandaj ma tregoni ëndrrën dhe unë do të di në se jeni në gjendje të më jepni edhe interpretimin".

2:10b.DAN.002.010 Kaldeasit u përgjigjën para mbretit dhe thanë: "Nuk ka njeri mbi tokë që mund të dijë atë që mbreti kërkon. Në fakt asnjë mbret, sundimtar o sovran nuk i ka kërkuar një gjë të tillë ndonjë magjistari, astrologu ose Kaldeasi.

2:11b.DAN.002.011 Gjëja që pyet mbreti është tepër e vështirë dhe nuk ka njeri që mund t'ia bëjë të ditur mbretit, përveç perëndive, banesa e të cilëve nuk është ndër të gjallët".

2:12b.DAN.002.012 Me këtë mbreti u zemërua, i hipi inati dhe urdhëroi që të shfaroseshin tërë të diturit e Babilonisë.

2:13b.DAN.002.013 Kështu u shpall dekreti në bazë të të cilit duhet të vriteshin të diturit, dhe kërkonin Danielin dhe shokët e tij për t'i vrarë edhe ata.

2:14b.DAN.002.014 Atëherë Danieli iu drejtua me fjalë të urta dhe të matura Ariokut, komandant i rojeve të mbretit, i cili kishte dalë për të vrarë të diturit e Babilonisë.

2:15b.DAN.002.015 Mori fjalën dhe i tha Ariokut, komandantit të mbretit: "Pse vallë një dekret kaq i ashpër nga ana e mbretit?" Atëherë Arioku e vuri në dijeni Danielin.

2:16b.DAN.002.016 Kështu Danieli hyri te mbreti dhe i kërkoi t'i jepte kohë për t'i bërë të njohur mbretit interpretimin e ëndrrës.

2:17b.DAN.002.017 Atëherë Danieli shkoi në shtëpinë e vet dhe ua bëri të ditur këtë gjë shokëve të tij Hananiah, Mishael dhe Azaria,

2:18b.DAN.002.018 me qëllim që t'i kërkonin mëshirë Perëndisë të qiellit lidhur me këtë sekret, me qëllim që Danieli dhe shokët e tij të mos vriteshin bashkë me kusurin e njerëzve të ditur të Babilonisë.

2:19b.DAN.002.019 Atëherë sekreti iu zbulua Danielit në një vegim nate. Kështu Danieli bekoi Perëndinë e qiellit.

2:20b.DAN.002.020 Danieli filloi të thotë: "Qoftë i bekuar emri i Perëndisë përjetë, sepse atij i përkasin dituria dhe forca.

2:21b.DAN.002.021 Ai ndryshon kohërat dhe stinët, i ul mbretërit dhe i larton, u jep dituri të urtëve dhe dije atyre që kanë mend.

2:22b.DAN.002.022 Ai tregon gjërat e thella dhe të fshehta, njeh atë që është në terr dhe drita qëndron me të.

2:23b.DAN.002.023 O Perëndi i etërve të mi, të falënderoj dhe të lëvdoj, sepse më ke dhënë dituri dhe forcë dhe më ke bërë të njoh atë që të kemi kërkuar, duke na bërë të njohim gjënë e kërkuar nga mbreti".

2:24b.DAN.002.024 Prandaj Danieli shkoi te Arioku, të cilit mbreti i kishte besuar detyrën të vriste njerëzit e ditur të Babilonisë; shkoi dhe i tha kështu: "Mos i vrit njerëzit e ditur të Babilonisë! Më ço përpara

2:25b.DAN.002.025 Atëherë Arioku e çoi me nxitim Danielin përpara mbretit dhe i foli kështu: "Gjeta midis Judejve robër një njeri që do t'i njohë mbretit interpretimin".

2:26b.DAN.002.026 Mbreti filloi t'i thotë Danielit, që quhej Beltshatsar: "A je i zoti të më bësh të njohur ëndrrën që pashë dhe interpretimin e saj?".

2:27b.DAN.002.027 Danieli u përgjigj në prani të mbretit dhe tha: "Sekreti për të cilin mbreti kërkoi interpretimin tim, nuk mund t'i shpjegohet mbretit as nga njerëzit e urtë, as nga astrologët, as nga magjistarët, as nga shortarët.

2:28b.DAN.002.028 Por ka një Perëndi në qiell që zbulon sekretet, dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nebukadnetsarit atë që do të ndodhë ditët e fundit. Kjo ka qenë ëndrra jote dhe vegimet e mendjes sate në shtratin tënd.

2:29b.DAN.002.029 O mbret, mendimet që të kanë ardhur në shtratin tënd kanë të bëjnë me atë që ka për të ndodhur tani e tutje; dhe ai që zbulon sekretet të ka bërë të njohur atë që ka për të ndodhur.

2:30b.DAN.002.030 Sa për mua, ky sekret m'u zbulua jo sepse kam më tepër dituri nga tërë të gjallët e tjerë, por me qëllim që interpretimi im t'i njoftohet mbretit, dhe ti të njihesh me mendimet e zemrës sate.

2:31b.DAN.002.031 Ti ishe duke shikuar, o mbret, dhe ja një figurë e madhe; kjo figurë e stërmadhe, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm, ngrihej para teje me një pamje të tmerrshme.

2:32b.DAN.002.032 Koka e kësaj figure ishte prej ari të kulluar, gjoksi i saj dhe krahët e saj ishin prej argjendi, barku i saj dhe kofshët e saj prej bronzi,

2:33b.DAN.002.033 këmbët e saj prej hekuri, këmbët e saj pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile.

2:34b.DAN.002.034 Ndërsa po shikoje, një gur u shkëput, por jo nga dora e njeriut, dhe goditi figurën në këmbët e saj prej hekuri dhe argjile dhe i copëtoi.

2:35b.DAN.002.035 Atëherë hekuri, argjila, bronzi, argjendi dhe ari u copëtuan bashkë dhe u bënë si kope byku në lëmë gjatë verës; era i mori me vete dhe nuk u gjet më asnjë gjurmë e tyre. Por guri që kishte goditur figurën u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën.

2:36b.DAN.002.036 Kjo është ëndrra; tani do të japim interpretimin përpara mbretit.

2:37b.DAN.002.037 Ti, o mbret, je mbreti i mbretërve, sepse Perëndia i qiellit të ka dhënë mbretërinë, pushtetin, forcën dhe lavdinë.

2:38b.DAN.002.038 Ngado që të banojnë bijtë e njerëzve, kafshët e fushës dhe shpendët e qiellit, ai i ka lënë në duart e tua dhe të ka bërë të sundosh mbi gjithë ata. Ti je koka e artë.

2:39b.DAN.002.039 Mbas teje do të dalë një mbretëri tjetër, më e vogël, më e ulët nga jotja; pastaj një mbretëri tjetër prej bronzi, që do të sundojë mbi gjithë dheun.

2:40b.DAN.002.040 Mbretëria e katërt do të jetë e fortë si hekuri, sepse hekuri copëton dhe thërrmon çdo gjë; ashtu si hekuri që copëton, kjo mbretëri do t'i copëtojë dhe do t'i thërrmojë tërë këto mbretëri.

2:41b.DAN.002.041 Siç e pe, këmbët dhe gishtërinjtë ishin pjesërisht prej argjile poçari dhe pjesërisht prej hekuri, kështu kjo mbretëri do të ndahet; megjithatë, ajo do të ketë fortësinë e hekurit, sepse ti ke parë hekurin të përzier me argjilë të butë.

2:42b.DAN.002.042 Dhe ashtu si gishtërinjtë e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile, kështu ajo mbretëri do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë.

2:43b.DAN.002.043 Siç e pe hekurin të përzier me argjilën e butë, ata do të përzihen nga fara njerëzore, por nuk do të bashkohen njeri me tjetrin, pikërisht ashtu si hekuri nuk amalgamohet me argjilën.

2:44b.DAN.002.044 Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t'i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë,

2:45b.DAN.002.045 pikërisht ashtu siç e pe gurin të shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut, për të copëtuar hekurin, bronzin, argjilën, argjendin dhe arin. Perëndia i madh i ka bërë të njohur mbretit atë që ka për të ndodhur tani e tutje. Éndrra është e vërtetë dhe interpretimi i saj është i sigurt".

2:46b.DAN.002.046 Atëherë mbreti Nebukadnetsar ra me fytyrë dhe ra permbys para Danielit; pastaj urdhëroi që t'i paraqitnin një ofertë dhe temjan.

2:47b.DAN.002.047 Mbreti i foli Danielit dhe tha: "Në të vërtetë Perëndia juaj është Perëndia i perëndive, Zoti i mbretërve dhe zbuluesi i sekreteve, sepse ti ke mundur të zbulosh këtë sekret".

2:48b.DAN.002.048 Atëherë mbreti e bëri Danielin të madh, i dha dhurata të shumta dhe të mëdha, e bëri qeveritar të gjithë krahinës së Babilonisë dhe kreun më të lartë të gjithë të diturve të Babilonisë.

2:49b.DAN.002.049 Përveç kësaj, me kërkesë të Danielit, mbreti vuri në krye të administratës së krahinës së Babilonisë Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon. Danieli përkundrazi mbeti në oborrin e mbretit.

3

3:1b.DAN.003.001 Mbreti Nebukadnetsar urdhëroi të ndërtohet një figurë prej ari, e lartë gjashtëdhjetë kubitë dhe e gjerë gjashtë kubitë, dhe e ngriti në fushën e Duras, në krahinën e Babilonisë.

3:2b.DAN.003.002 Pastaj mbreti Nebukadnetsar dërgoi njerëz të mbledhin satrapët, prefektët, qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave, me qëllim që të vinin në përurimin e figurës që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.

3:3b.DAN.003.003 Atëherë satrapët, prefektët dhe qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave u mblodhën bashkë për përurimin e figurës që kishte ngritur mbreti Nebukadnetsar, dhe qëndruan në këmbë përpara figurës që Nebukadnetsari kishte ngritur.

3:4b.DAN.003.004 Pastaj kasneci thirri me zë të lartë: "Juve, popuj, kombe dhe gjuhë, ju jepet urdhër që,

3:5b.DAN.003.005 sapo të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle, të bini përmbys për të adhuruar figurën prej ari që ka ngritur mbreti Nebukadnetsar;

3:6b.DAN.003.006 kushdo që nuk do të bjerë përmbys për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në mes të një furre zjarri përvëlues".

3:7b.DAN.003.007 Kështu, me të dëgjuar tërë popujt zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit dhe të çdo lloji vegle, tërë popujt, kombet dhe gjuhët ranë përmbys dhe adhuruan figurën e artë, që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.

3:8b.DAN.003.008 Për këtë arësye në atë çast, disa Kaldeas dolën dhe paditën Judejtë;

3:9b.DAN.003.009 duke marrë fjalën, i thanë mbretit Nebukadnetsar: "O mbret, jetofsh për jetë!

3:10b.DAN.003.010 Ti, o mbret, ke nxjerrë një dekret, në bazë të të cilit kushdo që ka dëgjuar zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle duhet të bjerë përmbys për të adhuruar figurën e artë;

3:11b.DAN.003.011 dhe ai që nuk bie përmbys dhe nuk adhuron, duhet të hidhet në mes të një furre me zjarr përvëlues.

3:12b.DAN.003.012 Por ka disa Judej që i ke vënë në krye të administrimit të punëve të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, që nuk kanë asnjë konsideratë për ty; nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk adhurojnë figurën e artë që ti ke ngritur".

3:13b.DAN.003.013 Atëherë Nebukadnetsari, i zemëruar dhe i tërbuar, urdhëroi që të sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon; kështu këta njerëz u çuan para mbretit.

3:14b.DAN.003.014 Nebukadnetsari u drejtoi atyre fjalën, duke thënë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, a është e vërtetë që nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk adhuroni figurën e artë që unë kam ngritur?

3:15b.DAN.003.015 Tani, posa të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloj vegle, në rast se jeni gati të bini përmbys për të adhuruar figurën që unë kam bërë, mirë; por në rast se nuk do ta adhuroni, do t'ju hedhin menjëherë në mes të një furre të ndezur; dhe cila ështe ajo perëndi që do të mund t'ju çlirojë nga duart e mia?

3:16b.DAN.003.016 Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego iu përgjigjën mbretit, duke thënë: "O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë.

3:17b.DAN.003.017 Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.

3:18b.DAN.003.018 Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t'u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur".

3:19b.DAN.003.019 Atëherë Nebukadnetsari u mbush me inat dhe shprehja e fytyrës së tij ndryshoi ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos. Duke marrë përsëri fjalën, urdhëroi që furra të ngrohej shtatë herë më shumë se zakonisht.

3:20b.DAN.003.020 Pastaj urdhëroi disa njerëz të fortë dhe trima të ushtrisë së tij të lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon dhe t'i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues.

3:21b.DAN.003.021 Atëherë këta tre burra i lidhën dhe, me pantallonat e tyre, me tunikën e tyre dhe me gjitha mbulesën e tyre të kokës dhe i hodhën në mes të furrës me zjarr përvëlues.

3:22b.DAN.003.022 Por me qenë se urdhëri i mbretit ishte i rreptë dhe furra ishte jashtëzakonisht e mbingrohur, flaka e zjarrit vrau njerëzit që kishin hedhur në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon.

3:23b.DAN.003.023 Dhe këta tre burra, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, ranë të lidhur në mes të furrës me zjarr përvëlues.

3:24b.DAN.003.024 Atëherë mbreti Nebukadnetsar, i habitur, u ngrit me nxitim dhe filloi t'u thotë këshilltarëve të tij: "Nuk i kemi hedhur tre burrat të lidhur në mes të zjarrit?". Ata u përgjigjën dhe i thanë mbretit: "Sigurisht, o mbret".

3:25b.DAN.003.025 Ai foli përsëri: "Ja, unë po shoh katër burra të palidhur, që ecin në mes të zjarrit, pa pësuar asnjë dëm; dhe pamja e të katërtit i përngjan asaj të një biri të Perëndisë".

3:26b.DAN.003.026 Pastaj Nebukadnetsari iu afrua grykës së furrës me zjarr përvëlues dhe filloi të thotë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë, dilni dhe ejani këtu". Atëherë Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego dolën nga mesi i zjarrit.

3:27b.DAN.003.027 Pastaj satrapët, prefektët, qeveritarët dhe këshilltarët e mbretit u mblodhën për të vërejtur këta burra: zjarri nuk kishte patur asnjë fuqi mbi trupin e tyre, flokët e kokës së tyre nuk ishin djegur, mantelet e tyre nuk ishin dëmtuar dhe as era e zjarrit nuk ishte shtruar mbi ta.

3:28b.DAN.003.028 Nebukadnetsari filloi të thotë: "Qoftë i bekuar Perëndia i Shadrakut, i Meshakut dhe i Abed-negos, që ka dërguar engjëllin e tij dhe ka çliruar shërbëtorët e tij, që kanë pasur besim tek ai; ata

3:29b.DAN.003.029 Prandaj unë dekretoj që kushdo, cilitdo populli, kombi o gjuhe që t'i përkasë, që do të flasë keq për Perëndinë e Shadrakut, të Meshakut dhe të Abed-negos, të pritet copë-copë dhe shtëpia e tij të katandiset në një vend plehrash, sepse nuk ka asnjë perëndi që mund të të shpëtojë në këtë mënyrë".

3:30b.DAN.003.030 Atëherë mbreti bëri që Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego të kenë mbarësi në krahinën e Babilonisë.

4

4:1b.DAN.004.001 "Mbreti Nebukadnetsar tërë popujve, tërë kombeve dhe gjuhëve, që banojnë mbi gjithë dheun: Paqja juaj qoftë e madhe.

4:2b.DAN.004.002 M'u duk mirë t'i bëj të njohura shenjat dhe mrekullitë që Perëndia Më i Lartë ka kryer për mua.

4:3b.DAN.004.003 Sa të mëdha janë shenjat e tij dhe sa të fuqishme mrekullitë e tij! Mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme dhe sundimi i tij vazhdon brez pas brezi.

4:4b.DAN.004.004 Unë, Nebukadnetsari, isha i qetë në shtëpinë time dhe i gëzuar në pallatin tim.

4:5b.DAN.004.005 Pashë një ëndërr që më tmerroi; mendimet që pata në shtratin tim dhe vegimet e mendjes sime më tmerruan.

4:6b.DAN.004.006 Kështu dhashë urdhër që të sillnin para meje gjithë të diturit e Babilonisë, që të më bënin të njohur interpretimin e ëndrrës.

4:7b.DAN.004.007 Atëherë erdhën magijstarët, astrologët, Kaldeasit dhe shortarët, të cilëve u tregova ëndrrën, por ata nuk mundën të më bënin të njohur interpretimin e saj.

4:8b.DAN.004.008 Më në fund erdhi para meje Danieli, i quajtur Beltshatsar nga emri i perëndisë tim dhe tek i cili është fryma e perëndive të shenjta, dhe unë ia tregova ëndrrën:

4:9b.DAN.004.009 Beltshatsar, kreu i magjistarëve, sepse unë e di që fryma e perëndive të shenjta është te ti dhe që asnjë sekret nuk të shqetëson, tregomë vegimet e ëndrrës që kam parë dhe interpretimin e saj.

4:10b.DAN.004.010 Vegimet e mendjes sime kur isha në shtratin tim janë këto: Unë shikoja, dhe ja një dru në mes të dheut, lartësia e të cilit ishte madhe.

4:11b.DAN.004.011 Druri u rrit dhe u bë i fortë; maja e tij arrinte në qiell dhe ai mund të shihej nga skajet e gjithë dheut.

4:12b.DAN.004.012 Gjethnaja e tij ishte e bukur, fryti i tij i bollshëm dhe ai kishte ushqim për të gjithë; poshtë tij gjenin hije kafshët e fushave, shpendët e qiellit rrinin midis degëve të tij dhe nga ai merrte ushqim çdo qenie e gjallë.

4:13b.DAN.004.013 Ndërsa në shtratin tim vëreja vegimet e mendjes sime, ja një roje, një i shenjtë, zbriti nga qielli,

4:14b.DAN.004.014 bërtiti fort dhe tha kështu: "Prisni drurin dhe këputni degët e tij, shkundni fletët e tij dhe shpërndani frytet e tij; le të largohen kafshët që rrijnë poshtë tij dhe shpendët nga degët e tij.

4:15b.DAN.004.015 Lëreni ndërkaq në tokë cungun e rrënjëve të tij, të lidhur me zinxhirë hekuri dhe bronzi midis barit të fushave. Le të laget nga vesa e qiellit dhe le të ketë bashkë me kafshët pjesën e barit që i takon.

4:16b.DAN.004.016 Zemra e tij le të ndryshojë, dhe në vend të një zemre njeriu t'i jepet një zemër kafshe dhe le të kalojnë mbi të shtatë kohë.

4:17b.DAN.004.017 Kjo është dekretuar nga rojet dhe vendimi vjen nga fjala e të shenjtëve në mënyrë që të gjallët të dijnë që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve; ai ia jep atij që dëshiron dhe larton mbi të të keqin e të këqijve".

4:18b.DAN.004.018 Kjo është ëndrra që kam parë unë, mbreti Nebukadnetsar. Tani ti, Beltshatsar, jepi interpretimin, sepse asnjë nga të diturit e mbretërisë sime nuk është në gjendje të më bëjë të njohur interpretimin e saj; por ti mundesh, sepse fryma e perëndive të shenjta është te ti".

4:19b.DAN.004.019 Atëherë Danieli, emri i të cilit është Beltshatsar, mbeti për një çast i tmerruar dhe mendimet e tij e shqetësonin. Mbreti filloi të thotë: "Beltshatsar, mos u turbullo as nga ëndrra as nga interpretimi

4:20b.DAN.004.020 Druri që ti ke parë, që ishtë bërë i madh dhe i fortë, maja e të cilit arrinte deri në qiell dhe që dukej nga të gjitha skajet e dheut,

4:21b.DAN.004.021 gjethnaja e të cilit ishte e bukur, fryti i bollshëm, dhe ku gjenin strehë kafshët e fushave dhe mbi degët e së cilës bënin folenë zogjtë e qiellit,

4:22b.DAN.004.022 je ti, o mbret, që u bëre i madh dhe i fortë; madhështia jote është rritur dhe ka arritur deri në qiell dhe sundimi yt deri në skajet e dheut.

4:23b.DAN.004.023 Sa për rojen, një i shenjtë, që mbreti e ka parë të zbresë nga qielli dhe të thotë: "Priteni drurin dhe shkatërrojeni, por lini në tokë cungun me rrënjë, të lidhur me zinxhirë hekuri dhe bronzi midis barit të fushave. Le ta lagë vesa e qiellit dhe le të ketë pjesën e tij bashkë me kafshët e fushave deri sa të kalojnë mbi të shtatë kohë".

4:24b.DAN.004.024 Ky është interpretimi, o mbret; ky është dekreti i Shumë të Lartit, që është lëshuar për mbretin, zotin tim;

4:25b.DAN.004.025 ti do të dëbohesh nga njerëzia dhe banesa jote do të jetë bashkë me kafshët e fushave; do të të japin të hash bar si qetë dhe do të lagesh nga vesa e qiellit; do të kalojnë mbi ty shtatë kohë, deri sa të pranosh që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron.

4:26b.DAN.004.026 Sa për urdhrin për të lënë cungun me rrënjë, kjo do të thotë se mbretëria jote do të rivendoset, mbasi të kesh pranuar që është qielli ai që sundon.

4:27b.DAN.004.027 Prandaj, o mbret, prano këshillën time: jepu fund mëkateve të tua duke praktikuar drejtësinë dhe paudhësive të tua duke treguar mëshirë ndaj të varfëve; ndofta begatia jote do të zgjasë".

4:28b.DAN.004.028 E tërë kjo i ndodhi mbretit Nebukadnetsar.

4:29b.DAN.004.029 Dymbëdhjetë muaj më vonë, ndërsa shëtiste në pallatin mbretëror të Babilonisë,

4:30b.DAN.004.030 mbreti filloi të thotë: "Nuk është kjo Babilonia e madhe, që unë ndërtova si seli mbretërore me forcën e pushtetit tim dhe për lavdinë e madhërisë sime?".

4:31b.DAN.004.031 Këto fjalë ishin akoma në gojë të mbretit, kur një zë zbriti nga qielli: "Ty, o mbret Nebukadnetsar, të shpall: mbretëria jote të është hequr;

4:32b.DAN.004.032 ti do të dëbohesh nga njerëzia dhe banesa jote do të jetë me kafshët e fushave; do të të japin të hash bar si qetë dhe do të kalojnë mbi ty shtatë kohë, deri sa të pranosh që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron.

4:33b.DAN.004.033 Në po atë çast fjala lidhur me Nebukadnetsarin u realizua. Ai u dëbua nga njerëzia, hëngri bar si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, deri sa flokët e tij u rritën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë e tij si kthetrat e shpendëve.

4:34b.DAN.004.034 "Në fund të kësaj kohe, unë Nebukadnetsari ngrita sytë nga qielli dhe arsyeja m'u kthye, e bekova Shumë të Lartin dhe lëvdova dhe përlëvdova atë që rron përjetë, sundimi i të cilit është një sundim

4:35b.DAN.004.035 Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t'ia ndalë dorën ose t'i thotë: "Çfarë po bën?".

4:36b.DAN.004.036 Në po atë kohë m'u kthye arsyeja, dhe për lavdinë e mbretërisë sime m'u kthyen madhëria ime dhe shkëlqimi im. Këshilltarët e mi dhe të mëdhenjtë e mi më kërkuan, dhe unë u rivendosa në mbretërinë time dhe madhështia ime u rrit jashtëzakonisht.

4:37b.DAN.004.037 Tani, unë Nebukadnetsari lëvdoj, lartësoj dhe përlëvdoj Mbretin e qiellit, sepse të gjitha veprat e tij janë të vërteta dhe rrugët e tij janë drejtësi; ai ka pushtet të poshtërojë ata që ecin me kryelartësi.

5

5:1b.DAN.005.001 Mbreti Belshatsar dha një banket të madh për njëmijë nga të mëdhenjtë e tij dhe në prani të të njëmijëve piu verë.

5:2b.DAN.005.002 Ndërsa shijonte verën, Belshatsari dha urdhër të sillnin vazot prej ari dhe prej argjendi që i ati Nebukadnetsari kishte marrë nga tempulli që ishte në Jeruzalem, me qëllim që me to të pinin mbreti dhe të mëdhenjtë që ishin me të, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij.

5:3b.DAN.005.003 Kështu prunë vazot prej ari që i kishin marrë nga shenjtërorja e tempullit të Perëndisë, që ishte në Jeruzalem, dhe me to pinë mbreti dhe të mëdhenjtë e tij, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij.

5:4b.DAN.005.004 Pinë verë dhe lëvduan perënditë prej ari, argjendi, bronzi, hekuri, druri e guri.

5:5b.DAN.005.005 Në atë çast u dukën gishtërinjtë e dorës së një njeriu, që filluan të shkruajnë përballë shandanit mbi suvanë e murit të pallatit mbretëror; dhe mbreti pa pjesën e asaj dore që shkruante.

5:6b.DAN.005.006 Atëherë pamja e mbretit ndryshoi dhe mendimet e tij e shqetësuan; nyjet e eshtrave iu liruan dhe gjunjët e tij filluan të përpiqen midis tyre.

5:7b.DAN.005.007 Mbreti bërtiti me forcë që të hynin astrologët, Kaldeasit dhe shortarët; pastaj mbreti filloi t'u thotë njerëzve të ditur të Babilonisë: "Kushdo që do ta lexojë këtë shkrim dhe do të më japë interpretimin e tij do të vishet me rroba të purpurta, do të ketë një gjerdan ari në qafë dhe do të jetë i treti në qeverisjen e mbretërisë".

5:8b.DAN.005.008 Atëherë hynë tërë të diturit e mbretit, por nuk mundën të lexojnë shkrimin as t'i bëjnë të njohur mbretit interpretimin e tij.

5:9b.DAN.005.009 Atëherë mbreti Belshatsar u turbullua shumë, pamja e tij ndryshoi dhe të mëdhenjtë e tij e humbën fare.

5:10b.DAN.005.010 Mbretëresha, për shkak të fjalëve të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij, hyri në sallën e banketit. Mbretëresha filloi të thotë: "O mbret, jetofsh përjetë! Mendimet e tua të mos të shqetësojnë dhe pamja jotë të mos ndryshojë.

5:11b.DAN.005.011 Éshtë një njeri në mbretërinë tënde, tek i cili është fryma e perëndive të shenjtë, dhe në kohën e atit tënd u gjet tek ai dritë, mendje dhe dituri të ngjashme me diturinë e perëndive; mbreti Nebukadnetsar, ati yt, ati yt mbreti, e caktoi në krye të magjistarëve, të astrologëve, të Kaldeasve dhe të shortarëve,

5:12b.DAN.005.012 sepse te ky Daniel, të cilit mbreti i kishte vënë emrin Beltshatsar, u gjetë një frymë e jashtëzakonshme, njohuri, zgjuarsi, zotësi për të interpretuar ëndrrat, për të shpjeguar enigmat dhe për të zgjidhur çështje të ngatërruara. Të thirret, pra, Danieli dhe ai do të japë interpretimin".

5:13b.DAN.005.013 Atëherë Danielin e sollën në prani të mbretit; mbreti i foli Danielit dhe i tha: "A je ti Danieli, një nga të mërguarit e Judës, që mbreti, ati im, solli nga Juda?

5:14b.DAN.005.014 Kam dëgjuar të thonë për ty që fryma e perëndive është te ti, dhe se te ti gjenden dritë, mënçuri dhe një dituri e jashtëzakonshme.

5:15b.DAN.005.015 Tani kanë sjellë pranë meje njerëz të ditur dhe astrologë me qëllim që të lexojnë këtë shkrim dhe të më bëjnë të njohur interpretimin e tij; por ata nuk kanë qenë të zotë të më jepnin interpretimin e çështjes.

5:16b.DAN.005.016 Kam dëgjuar ndërkaq të thuhet se ti je në gjendje të japësh interpretimin dhe të zgjidhësh çështje të ndërlikuara. Tani në rast se je i zoti të lexosh këtë shkrim dhe të më bësh të njohur interpretimin e tij, ti do të vishesh me rroba të purpurta, do të mbash një gjerdan ari në qafë dhe do të jesh i treti në qeverisjen e mbretërisë".

5:17b.DAN.005.017 Atëherë Danieli u përgjigj dhe tha para mbretit: "Mbaji, pra, dhuratat e tua dhe jepi një tjetri shpërblimet e tua; megjithatë unë do t'ia lexoj shkrimin mbretit dhe do t'i bëj të njohur interpretimin.

5:18b.DAN.005.018 O mbret, Perëndia Shumë i Lartë i kishte dhënë Nebukadnetsarit, atit tënd, mbretëri, madhështi, lavdi dhe madhëri.

5:19b.DAN.005.019 Për madhështinë që i kishte dhënë, tërë popujt, tërë kombet dhe gjuhët dridheshin dhe kishin frikë para atij; ai vriste kë të donte dhe linte të gjallë kë të donte, ngrinte kë të donte dhe ulte kë të donte.

5:20b.DAN.005.020 Po, kur zemra e tij u ngrit dhe fryma e tij u ngurtësua deri në arrogancë, ai u rrëzua nga froni mbretëror dhe iu hoq lavdia e tij.

5:21b.DAN.005.021 Pastaj u dëbua nga bijtë e njerëzve, zemra e tij u bë e ngjashme me atë të kafshëve të tij dhe banesa e tij me atë të gomarëve të egër; i dhanë bar për të ngrënë si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, deri sa pranoi që Perëndia Shumë i Lartë sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe mbi të vendos atë që do.

5:22b.DAN.005.022 Por ti Belshatsar, biri i tij, megjithëse e dije gjithë këtë, nuk e ke përulur zemrën tënde;

5:23b.DAN.005.023 përkundrazi je ngritur kundër Zotit të qiellit, urdhërove të të sjellin përpara vazot e tempullit të tij, dhe me to keni pirë verë ti dhe të mëdhenjtë e tu, bashkëshortet e tua dhe konkubinat e tua. Përveç kësaj ke lëvduar perënditë prej argjendi, prej ari, prej bronzi, prej druri e guri, që nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë, dhe nuk ke përlëvduar Perëndinë, në dorën e të cilit është fryma jote jetësore dhe të cilës i përkasin tërë rrugët e tua.

5:24b.DAN.005.024 Prandaj nga prania e tij u dërgua pjesa e asaj dore, që ka shkruar shkrimin.

5:25b.DAN.005.025 Ky është shkrimi që u vizatua: MENE, MENE, TEKEL UFARSIN.

5:26b.DAN.005.026 Ky është interpretimi i çdo fjale: MENE: Zoti ka bërë llogarinë e mbretërisë sate dhe i ka dhënë fund.

5:27b.DAN.005.027 TEKEL: ti u peshove në peshoret dhe u gjet që të mungonte diçka.

5:28b.DAN.005.028 PERES: mbretëria jote u nda dhe iu dha Medasve dhe Persianëve".

5:29b.DAN.005.029 Atëherë, me urdhër të Belshatsarit, Danieli u vesh me të purpurta, i vunë në qafë një gjerdan ari dhe shpallën që ai do të ishte i treti në qeverimin e mbretërisë.

5:30b.DAN.005.030 Po atë natë Belshatsari, mbreti i Kaldeasve, u vra;

5:31b.DAN.005.031 dhe Dari, Medasi, mori mbretërinë në moshën gjashtëdhjetë e dy vjeç.

6

6:1b.DAN.006.001 I pëlqeu Darit të vendosë mbi mbretërinë njëqindenjëzet satrapë, të cilët, të ishin në krye të gjithë mbretërisë.

6:2b.DAN.006.002 dhe mbi ta kishte tre prefektë, nga të cilët njëri ishte Danieli, të cilëve këta satrapë duhet t'u jepnin llogari, më qëllim që mbreti të mos pësonte asnjë dëm.

6:3b.DAN.006.003 Danieli shkëlqente mbi prefektët dhe satrapët e tjerë, sepse ai kishte një frymë më të lartë, dhe mbreti mendonte ta vendoste mbi tërë mbretërinë.

6:4b.DAN.006.004 Atëherë prefektët dhe satrapët kërkuan të gjenin një pretekst kundër Danielit lidhur me administrimin e mbretërisë, por nuk mundën të gjejnë asnjë pretekst apo korruptim, sepse ai ishte besnik dhe nuk mundën të gjejnë tek ai asnjë gabim apo korruptim.

6:5b.DAN.006.005 Atëherë këta njerëz thanë: "Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit, veç se po ta gjejmë kundër tij në vet ligjin e Perëndisë të tij."

6:6b.DAN.006.006 Atëherë ata prefektë dhe satrapë u mblodhën me zhurmë para mbretit dhe i thanë: "O mbreti Dar, jetofsh për jetë!

6:7b.DAN.006.007 Tërë prefektët e mbretërisë, qeveritarët dhe satrapët, këshilltarët dhe komandantët u konsultuan bashkë për të nxjerrë një vendim mbretëror dhe për të bërë një dekret të prerë, në bazë të të cilëve kushdo që gjatë tridhjetë ditëve do t'i drejtojë një kërkesë cilësdo perëndie a njeriu përveç teje, o mbret, të hidhet në gropën e luanëve.

6:8b.DAN.006.008 Tani, o mbret, nxirr dekretin dhe firmos dokumentin, në mënyrë që të mos ndryshohet dot në pajtim me ligjin e Medasve dhe të Persianëve, që është i parevokueshëm".

6:9b.DAN.006.009 Pastaj mbreti Dari nënshkroi dokumentin dhe dekretin.

6:10b.DAN.006.010 Kur Danieli mësoi që dokumenti ishte nënshkruar, hyri në shtëpinë e vet. Pastaj në dhomën e tij të sipërme, me dritaret e saj të hapura në drejtim të Jeruzalemit, tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falenderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë.

6:11b.DAN.006.011 Atëherë ata njerëz erdhën duke bërë zhurmë dhe e gjetën Danielin që po i lutej dhe i përlutej Perëndisë të tij.

6:12b.DAN.006.012 Kështu iu afruan mbretit dhe folën para tij për dekretin mbretëror: "A nuk ke nënshkruar një dekret në bazë të të cilit gjatë tridhjetë ditëve kushdo që do të bëjë një kërkesë drejtuar çfarëdo perëndie ose njeriu me përjashtimin tënd, o mbret, do të hidhet në gropën e luanëve?". Mbreti u përgjigj dhe tha: "Kjo gjë është vendosur në pajtim me ligjin e Mediasve dhe të Persianëve, që nuk mund të ndryshohet".

6:13b.DAN.006.013 Atëherë ata nisën përsëri të flasin përpara mbretit: "Danieli, që është një ndër të mërguarit e Judës, nuk tregon asnjë konsideratë për ty, o mbret, ose për dekretin që ke nënshkruar, por i drejton lutje tri herë në ditë Perëndisë të tij".

6:14b.DAN.006.014 Me të dëgjuar këtë, mbreti u hidhërua me të madhe dhe duke dashur në zemër të vet ta çlirojë Danielin, u përpoq deri sa perëndoi dielli ta shkëputë nga duart e tyre.

6:15b.DAN.006.015 Por ata njerëz erdhën te mbreti duke bërë zhurmë dhe i thanë: "Dije, o mbret, që është ligj i Medasve dhe i Persianëve që asnjë dekret ose edikt i shpallur nga mbreti nuk mund të ndryshohet".

6:16b.DAN.006.016 Atëherë mbreti dha urdhër dhe Danieli u çua tutje dhe u hodh në gropën e luanëve. Por mbreti i foli Danielit dhe i tha: "Perëndia jote, së cilës ti i shërben vazhdimisht, do të vijë vetë të të shpëtojë".

6:17b.DAN.006.017 Pastaj sollën një gur, dhe e vunë në grykën e gropës; mbreti e vulosi me unazën e tij, me unazën e të mëdhenjve të tij, në mënyrë që vendimi i tij lidhur me Danielin të mos ndryshohej.

6:18b.DAN.006.018 Atëherë mbreti u tërhoq në pallatin e tij dhe kaloi natën duke agjëruar; nuk sollën para tij asnjë muzikant, madje edhe gjumi e braktisi.

6:19b.DAN.006.019 Të nesërmen në mëngjes mbreti u zgjua shumë herët dhe shkoi me nxitim në gropën e luanëve.

6:20b.DAN.006.020 Me të arritur pranë gropës, thirri Danielin me zë zemërthyer; mbreti filloi t'i thotë Danielit: "Daniel, shërbëtor i Perëndisë të gjallë, Perëndia yt, a ka mundur të të shpëtojë nga luanët?".

6:21b.DAN.006.021 Atëherë Danieli i tha mbretit: "O mbret, jetofsh përjetë!

6:22b.DAN.006.022 Perëndia im dërgoi engjëllin e tij që ka mbyllur gojën e luanëve, dhe ata nuk më kanë bërë asnjë të keqe, sepse kam dalë i pafaj përpara atij; por edhe përpara teje, o mbret, nuk kam bërë asnjë të keqe".

6:23b.DAN.006.023 Atëherë mbreti u gëzua shumë dhe urdhëroi që Danieli të nxirrej nga gropa. Kështu Danielin e nxorën nga gropa dhe nuk u gjet mbi të asnjë lëndim sepse kishte pasur besim te Perëndia i tij.

6:24b.DAN.006.024 Pastaj mbreti urdhëroi që të silleshin ata njerëz që kishin paditur Danielin dhe i hodhën në gropën e luanëve, ata, bijtë e tyre dhe gratë e tyre. Dhe para se të arrinin në fund të gropës, luanët u hodhën mbi ta dhe copëtuan tërë kockat e tyre.

6:25b.DAN.006.025 Atëherë mbreti Dar u shkroi tërë popujve, kombeve dhe gjuhëve që banonin në gjithë dheun: "Paqja juaj qoftë e madhe!

6:26b.DAN.006.026 Unë dekretoj që në të gjithë sundimin e mbretërisë sime të dridhen dhe të kenë frikë para Perëndisë të Danielit, sepse ai është Perëndia i gjallë që ekziston përjetë. Mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet kurrë dhe sundimi i tij nuk do të ketë fund kurrë.

6:27b.DAN.006.027 Ai çliron, shpëton dhe kryen shenja dhe mrekulli në qiell dhe në tokë; është ai që e çliroi Danielin nga fuqia e luanëve".

6:28b.DAN.006.028 Kështu Danieli pati mbarësi gjatë mbretërimit të Darit dhe gjatë mbretërimit të Kirit, Persianit.

7

7:1b.DAN.007.001 Në vitin e parë të Belshatsarit, mbretit të Babilonisë, Danieli, kur ishte në shtrat, pa një ëndërr dhe pati vegime në mendjen e tij. Pastaj shkroi ëndërrën dhe tregoi thelbin e ngjarjes.

7:2b.DAN.007.002 Danieli, pra, filloi të thotë: "Unë shikoj në vegimin tim, natën, dhe ja, katër erërat e qiellit tronditnin Detin e Madh,

7:3b.DAN.007.003 dhe katër kafshë të mëdha po dilnin nga deti, njera ndryshe nga tjetra.

7:4b.DAN.007.004 E para i ngjante një luani dhe kishte krahë shqiponje. Unë shikoja deri sa ia shkulën krahët, pastaj e ngritën nga toka e vunë të qëndrojë drejt mbi dy këmbët e veta si një njeri dhe iu dha një zemër njeriu.

7:5b.DAN.007.005 Dhe ja një kafshë tjetër, e dyta, që i ngjante një ariu; ngrihej mbi një krah dhe kishte tri brinjë në gojë, midis dhëmbëve, dhe i thanë: "Çohu, ha shumë mish".

7:6b.DAN.007.006 Mbas kësaj unë shikoja, dhe ja një tjetër që i ngjante një leopardi, dhe që kishte katër fletë shpendi mbi kurrizin e vet; kafsha kishte katër koka dhe iu dha sundimi.

7:7b.DAN.007.007 Mbas kësaj, unë shikoja në vegime nate, dhe ja një kafshë e katërt e llahtarshme, e tmerrshme, jashtëzakonisht e fuqishme; kishte dhëmbë të mëdha prej hekuri; hante, thërrmonte dhe shtypte kusurin me këmbë; ishte ndryshe nga të gjitha kafshët e mëparshme dhe kishte dhjetë brirë.

7:8b.DAN.007.008 Isha duke vërejtur brirët, kur ja, midis tyre filloi të dalë një bri tjetër i vogël, para të cilit tre nga brirët e parë u shkulën; dhe ja, në atë bri ishin disa sy që i përngjanin syve të njeriut dhe një gojë që thoshte gjëra të mëdha.

7:9b.DAN.007.009 Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër; froni i tij ishte si flokët e zjarrit dhe rrotat e tij si zjarr përvëlues.

7:10b.DAN.007.010 Një lumë zjarri rridhte, duke dalë nga prania e tij; mijëra e mijëra njerëz i shërbenin dhe mori dhe mori qëndronin përpara tij. Gjykimi u bë dhe librat u hapën.

7:11b.DAN.007.011 Atëherë unë shikova për shkak të fjalëve të mëdha që briri thoshte; shikova deri sa u vra kafsha, dhe trupi i saj u shkatërrua dhe u hodh në zjarr për t'u djegur.

7:12b.DAN.007.012 Sa për kafshët e tjera, u hoq sundimi i tyre por iu lejua atyre një zgjatje e jetës për një periudhë të caktuar kohe.

7:13b.DAN.007.013 Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij.

7:14b.DAN.007.014 Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t'i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë".

7:15b.DAN.007.015 "Sa për mua, Danielin, fryma ime mbeti e brengosur në mbështjellën e trupit dhe vegimet e mendjes sime më turbulluan.

7:16b.DAN.007.016 Iu afrova njërit nga ata që ishin aty afër dhe e pyeta mbi të vërtetën që lidhej me tërë këtë punë; dhe ai më foli dhe më bëri të njohur interpretimin e atyre gjërave:

7:17b.DAN.007.017 "Këto kafshë të mëdha, që janë katër, përfaqësojnë katër mbretër që do të dalin nga toka;

7:18b.DAN.007.018 pastaj shenjtorët e Shumë të Lartit do të marrin mbretërinë dhe do ta zotërojnë përjetë, në përjetësi".

7:19b.DAN.007.019 Atëherë dëshirova të mësoj të vërtetën lidhur me kafshën e katërt, që ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat dhe jashtëzakonisht e tmerrshme, me dhëmbë prej hekuri dhe me thonj prej bronzi, që hante, thërrmonte dhe shkelte me këmbë kusurin,

7:20b.DAN.007.020 dhe lidhur me dhjetë brirët që kishte mbi kokë, dhe lidhur me bririn tjetër që i dilte dhe para të cilit kishin rënë tre brirë, domethënë briri që kishte sy dhe gojë për të thënë gjëra të mëdha dhe që dukej më i madh se brirët e tjerë.

7:21b.DAN.007.021 Unë shikoja dhe po ky bri bënte luftë kundër shenjtorëve dhe i mundte,

7:22b.DAN.007.022 deri sa arriti i Lashti i ditëve dhe iu dha e drejta shenjtorëve të Shumë të Lartit, dhe erdhi koha në të cilën shenjtorët zotëruan mbretërinë.

7:23b.DAN.007.023 Dhe ai më foli kështu: "Kafsha e katërt do të jetë një mbretëri e katërt mbi tokë, që do të jetë ndryshe nga të gjitha mbretëritë e tjera, dhe do të hajë tërë tokën, do ta shkelë dhe do ta thërrmojë.

7:24b.DAN.007.024 Dhjetë brirët janë dhjetë mbretër që do të dalin nga kjo mbretëri; mbas tyre do të dalë një tjetër, që do të jetë ndryshe nga të mëparshmit dhe do të rrëzojë tre mbretër.

7:25b.DAN.007.025 Ai do të shqiptojë fjalë kundër Shumë të Lartit, do të përndjekë shenjtorët e Shumë të Lartit me qëllim që t'i shfarosë dhe do të mendojë të ndryshojë kohërat dhe ligjin; shenjtorët do të bien në duart e tij për një farë kohe, disa kohë dhe për gjysmën e një kohe.

7:26b.DAN.007.026 Pastaj do të bëhet gjyqi dhe do t'i hiqet sundimi, i cili do të asgjësohet dhe do të shkatërrohet përjetë.

7:27b.DAN.007.027 Pastaj mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt do t'i jepen popullit të shenjtorëve të Më të Lartit; mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme, dhe të gjitha zotërimet do t'i shërbejnë dhe do t'i binden atij".

7:28b.DAN.007.028 Këtu mbaruan fjalët që më ishin drejtuar. Sa për mua, Danielin, mendimet e mia më turbulluan shumë dhe ndryshova pamje por i ruajta fjalët në zemrën time".

8

8:1b.DAN.008.001 Në vitin e tretë të mbretërimit të mbretit Belshatsar, unë, Danieli, pata një vegim, pas atij që pata në fillim të mbretërimit.

8:2b.DAN.008.002 Pashë në vegim dhe, ndërsa po shikoja, më ndodhi të gjëndesha në qytezën e Suzas, që është në krahinën e Elamit; nga vegimi e kuptova që isha pranë lumit Ulai.

8:3b.DAN.008.003 Ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, pranë lumit pashë më këmbë një dash me dy brirë; të dy brirët ishin të lartë, por njëri ishte më i lartë se tjetri, megjithëse më i larti kishte dalë i fundit.

8:4b.DAN.008.004 Pashë dashin që godiste kundrejt perëndimit, drejt veriut dhe drejt jugut; asnjë kafshë nuk mund t'i rezistonte, askush nuk mund të çlirohej nga pushteti i tij; kështu ai bëri atë që desh dhe u bë i madh.

8:5b.DAN.008.005 Ndërsa kisha parasysh këtë, ja, ku po vinte nga perëndimi një cjap, që përshkonte tërë sipërfaqen e dheut pa e prekur tokën; cjapi kishte një bri të madh midis syve të vet.

8:6b.DAN.008.006 Arriti deri te dashi me dy brirë që kisha parë më këmbë përpara lumit, dhe iu hodh kundër me furinë e forcës së tij.

8:7b.DAN.008.007 E pashë të afrohet dhe të zemërohet kundër tij; pastaj i ra me bri dashit dhe copëtoi dy brirët e tij, ndërsa dashi nuk kishte fuqi për t'i rezistuar; kështu e hodhi për tokë dhe askush nuk mundi ta çlirojë dashin nga pushteti i këtij.

8:8b.DAN.008.008 Cjapi u bë shumë i madh; por, kur u bë i fuqishëm, briri i tij i madh u thye; në vend të tij dolën katër brirë të mëdhenj, që drejtoheshin drejt katër erërave të qiellit.

8:9b.DAN.008.009 Nga një prej tyre doli një bri i vogël, që u bë shumë i madh në drejtim të jugut, të lindjes dhe të vendit të lavdishëm.

8:10b.DAN.008.010 U rrit deri sa arriti ushtrinë e qiellit, bëri të bjerë për tokë një pjesë e ushtrisë dhe e yjeve dhe i shkeli.

8:11b.DAN.008.011 U ngrit madje deri te komandanti i ushtrisë, i hoqi flijimin e vazhdueshëm dhe vendi i shenjtërores së tij u shemb.

8:12b.DAN.008.012 Ushtria iu la në dorë bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; ai hodhi për tokë të vërtetën; bëri tërë këto gjëra dhe i shkoi mbarë.

8:13b.DAN.008.013 Pastaj dëgjova një të shenjtë që fliste, dhe një i shenjtë tjetër i tha atij që fliste: "Deri kur do të vazhdojë ky vegim: ndalimi i flijimit të përditshëm, shkretimi për shkak të paudhësisë, shenjtërorja dhe ushtria të shkelur?"

8:14b.DAN.008.014 Ai më tha: "Deri dymijë e treqind ditë; pastaj shenjtërorja do të pastrohet".

8:15b.DAN.008.015 Tani, ndërsa unë, Danieli, e kisha parasysh vegimin dhe përpiqesha ta kuptoja, ja ku po rri para meje dikush që ka pamje burri.

8:16b.DAN.008.016 Dëgjova pastaj në mes të lumit Ulai zërin e një burri, që bërtiste dhe thoshte: "Gabriel, shpjegoja këtij vegimin".

8:17b.DAN.008.017 Ai iu afrua vendit ku ndodhesha unë dhe, kur arriti, unë pata frikë dhe rashë me fytyrë. Por ai më tha: "Kuptoje mirë, o bir njeriu, sepse ky vegim ka të bëjë me kohën e fundit".

8:18b.DAN.008.018 Ndërsa ai fliste me mua, unë rashë në një gjumë të rëndë me fytyrë për tokë, por ai më preku dhe më bëri të ngrihem më këmbë në vendin ku ndodhesha.

8:19b.DAN.008.019 Dhe tha: "Ja, unë do të të tregoj atë që ka për të ndodhur në kohën e fundit të indinjatës, sepse ka të bëjë me kohën e caktuar të fundit.

8:20b.DAN.008.020 Dashi me dy brirë, që ti ke parë, përfaqëson mbretërit e Medisë dhe të Persisë.

8:21b.DAN.008.021 Cjapi leshtor është mbreti i Javanit; dhe briri i madh që ishte në mes të syve të tij është mbreti i parë.

8:22b.DAN.008.022 Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin nga ky komb, por jo me të njëjtën fuqi të tij.

8:23b.DAN.008.023 Në fund të mbretërisë së tyre, kur rebelët do ta kenë mbushur kupën, do të dalë një mbret me pamje të egër dhe i rrahur në dredhitë luftarake.

8:24b.DAN.008.024 Fuqia e tij do të rritet, por jo për shkak të forcës së tij; do të bëjë shkatërrime të habitshme, do të ketë sukses në ndërmarrjet e tij dhe do të shkatërrojë të fuqishmit dhe popullin e shenjtorëve.

8:25b.DAN.008.025 Për shkak të dinakërisë së tij do shtohet mashtrimi në duart e tij; do të krenohet në zemër te vet dhe do të shkatërrojë shumë njerëz që janë në siguri; do të ngrihet kundër princit të princave, por do të thyhet jo nga dorë njeriu.

8:26b.DAN.008.026 Vegimi i mbrëmjeve dhe i mëngjeseve, për të cilin është folur, është i vërtetë. Ti e mban sekret vegimin, sepse ka të bëjë me gjëra që do të ndodhin mbas shumë kohe".

8:27b.DAN.008.027 Dhe unë, Danieli, e ndjeva veten të sfilitur dhe qeshë i sëmurë disa ditë; pastaj u ngrita dhe u interesova për punët e mbretit. Unë isha i tronditur nga vegimi, por askush nuk e vuri re.

9

9:1b.DAN.009.001 Në vitin e parë të Darit, birit të Asueros, nga fisi i Mediasve, i cili u bë mbret i Kaldeasve,

9:2b.DAN.009.002 në vitin e parë të mbretërimit të tij, unë, Danieli, kuptova nga librat numrin e viteve në të cilët, sipas fjalës të Zotit që i ishte drejtuar Jeremias duhet të kryheshin shkretimet e Jeruzalemit, domethënë shtatëdhjetë vjet.

9:3b.DAN.009.003 E ktheva, pra, fytyrën time drejt Zotit Perëndi, duke e kërkuar me lutje e stërlutje, me agjërim, me thesin dhe me hirin.

9:4b.DAN.009.004 Kështu bëra lutjen time dhe rrëfimin tim Zotit, Perëndisë tim, duke thënë: "O Zot, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që e ruan besëlidhjen tënde dhe dhembshurinë tënde me ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,

9:5b.DAN.009.005 ne kemi mëkatuar dhe kemi vepruar në mënyrë të çoroditur, kemi qenë të këqij dhe u rebeluam, duke u larguar nga urdhërimet e tua dhe nga dekretet e tua.

9:6b.DAN.009.006 Nuk kemi dëgjuar profetët, shërbëtorët e tu, që u kanë folur në emrin tënd mbretërve tanë, krerëve tanë, etërve tanë dhe tërë popullit të vendit.

9:7b.DAN.009.007 O Zot, ty të përket drejtësia, por neve turpi i fytyrës ashtu si po ndodh pikërisht sot me burrat e Judës, me banorët e Jeruzalemit dhe me gjithë Izraelin, me ata që janë afër dhe me ata që janë larg, në të tëra vendet ku i ke shpërndarë, për shkak të pabesisë që kanë kryer kundër teje.

9:8b.DAN.009.008 O Zot, turpi i fytyrës është për ne, për mbretërit tanë, për krerët tanë dhe për etërit tanë, sepse kemi mëkatuar kundër teje.

9:9b.DAN.009.009 Zotit, Perëndisë tonë, i përkasin mëshira dhe ndjesa, sepse jemi rebeluar kundër tij,

9:10b.DAN.009.010 dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë, për të ecur sipas ligjeve të tij, që na kishte vënë përpara me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.

9:11b.DAN.009.011 Po, tërë Izraeli ka shkelur ligjin tënd, ka marrë rrugë të keqe për të mos iu bindur zërit tënd; prandaj ra mbi ne mallkimi dhe nëma e shkruar në ligjin e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, sepse kemi mëkatuar kundër tij.

9:12b.DAN.009.012 Kështu ai i bëri realitet fjalët e tij që kishte shqiptuar kundër nesh dhe kundër gjyqtarëve tanë që na kanë qeverisur, duke prurë mbi ne një mjerim të madh, sepse nën tërë qiellin nuk është bërë kurrë diçka që të ngjajë me atë që ka ndodhur në Jeruzalem.

9:13b.DAN.009.013 Siç është shkruar në ligjin e Moisiut, tërë kjo fatkeqësi na ra mbi kurriz; megjithatë nuk i jemi drejtuar Zotit, Perëndisë tonë, të na kthejë nga paudhësia jonë dhe të kujdesemi për të vërtetën tënde.

9:14b.DAN.009.014 Prandaj Zoti ka ruajtur rezervë këtë fatkeqësi dhe bëri që të bjerë mbi ne, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i drejtë në të gjitha gjërat që bën, ndërsa ne nuk i jemi bindur zërit të tij.

9:15b.DAN.009.015 Dhe tani, o Zoti, Perëndia ynë, që nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me dorë të fuqishme dhe i bëre vetes një emër siç është sot, ne kemi mëkatuar, kemi kryer vepra të liga.

9:16b.DAN.009.016 O Zot, sipas tërë drejtësisë sate, bëj, të lutem, që zemërimi yt dhe tërbimi yt të largohen nga Jeruzalemi, nga qyteti yt, nga mali yt i shenjtë, për mëkatet tona dhe për paudhësitë e etërve tanë. Jeruzalemi dhe populli yt janë bërë objekt qortimi për tërë ata që na rrethojnë.

9:17b.DAN.009.017 Prandaj dëgjo, o Perëndia ynë, lutjen e shërbëtorit tënd dhe përgjërimet e tij dhe bëj që të shkëlqejë, për hir të Zotit, fytyra jote mbi shenjtëroren tënde që është e shkretuar.

9:18b.DAN.009.018 O Perëndia im, vër vesh dhe dëgjo; hap sytë e tu dhe shiko shkretimet tona dhe qytetin ku thirret emri yt, sepse ne nuk paraqesim para teje lutjet tona për veprat tona të drejta, por për dhembshuritë e tua të mëdha.

9:19b.DAN.009.019 O Zot, dëgjo; Zot, fal; Zot, kushtoji kujdes dhe vepro. Mos mëno, për hir të vetvetes, o Perëndia im, sepse emri yt thirret mbi qytetin tënd dhe mbi popullin tënd".

9:20b.DAN.009.020 Ndërsa unë po flisja akoma, duke u lutur dhe duke rrëfyer mëkatin tim dhe mëkatin e popullit tim të Izraelit dhe po paraqisja lutjen time para Zotit, Perëndisë tim, për malin e shenjtë të Perëndisë tim,

9:21b.DAN.009.021 po, ndërsa unë po flisja akoma në lutje, ai njeri, Gabrieli, që e kisha parë në vegim në fillim, i dërguar me fluturim të shpejtë, më arriti në orën e blatimit të mbrëmjes.

9:22b.DAN.009.022 Ai më mësoi, më foli dhe më tha: "Unë kam ardhur tani, o Daniel, që të të vë në gjendje të kuptosh.

9:23b.DAN.009.023 Në fillim të lutjeve të tua doli një fjalë dhe unë erdha të ta bëj të njohur, sepse ty të duan shumë. Trego kujdes, pra, për fjalën dhe kupto vegimin:

9:24b.DAN.009.024 Shtatëdhjetë javë janë caktuar për popullin tënd dhe për qytetin tënd të shenjtë, për të t'i dhënë fund shkeljes, për t'i dhënë fund mëkatit, për të shlyer paudhësinë, për të sjellë një drejtësi të përjetshme, për të vulosur vegimin dhe profecinë, për të vajosur vendin shumë të shenjtë.

9:25b.DAN.009.025 Prandaj dije dhe kuptoje se, që kur ka dalë urdhri të restaurohet dhe të rindërtohet Jeruzalemi deri te Mesia, princi, do të duhen shtatë javë dhe gjashtëdhjetë e dy javë të tjera; ai do të ndërtohet përsëri me sheshe dhe me ledhe, por në kohëra plot ankth.

9:26b.DAN.009.026 Mbas gjashtëdhjetë e dy javëve Mesia do të vritet dhe askush nuk do të jetë me të. Dhe populli i një princi që do të vijë ka për të shkatërruar qytetin dhe shenjtëroren; fundi i tij do të vijë me një përmbytje, dhe deri në mbarim të luftës janë dekretuar shkatërrime.

9:27b.DAN.009.027 Ai do të lidhë gjithashtu një besëlidhje me shumë njerëz për një javë, por në mes të javës do t'i japë fund flijimit dhe blatimit; dhe mbi krahët e veprimeve të neveritshme do të vijë një shkatërrues, deri sa shkatërrimi i plotë, që është dekretuar, do të bjerë mbi shkatërruesin".

10

10:1b.DAN.010.001 Në vitin e tretë të Kirit, mbretit të Persisë, një fjalë iu njoftua Danielit, që quhej Beltshatsar. Kjo fjalë është e vërtetë dhe konflikti i gjatë. Ai e kuptoi fjalën dhe e mori vesh vegimin.

10:2b.DAN.010.002 Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë të plota.

10:3b.DAN.010.003 Nuk hëngra ushqime të zgjedhura, nuk futa në gojën time as mish as verë dhe nuk u vajosa aspak, deri sa kaluan tri javë të plota.

10:4b.DAN.010.004 Ditën e njëzetekatërt të muajit të parë, ndërsa isha në bregun e lumit të madh, që është Tigri,

10:5b.DAN.010.005 ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, një njeri i veshur me rroba liri, me një brez të artë të Ufazit.

10:6b.DAN.010.006 Trupi i tij ishte i ngjashëm me topazin, fytyra e tij kishte pamjen e rrufesë, sytë e tij ishin si pishtarë flakërues, krahët e tij dhe këmbët e tij dukeshin si prej bronzi të llustruar dhe tingulli i fjalëve të tij ishte si zhurma e një turme.

10:7b.DAN.010.007 Vetëm unë, Danieli, pashë vegimin, kurse njerëzit që ishin me mua nuk e panë vegimin, por një tmerr i madh ra mbi ta dhe ata ia mbathën që të fshihen.

10:8b.DAN.010.008 Kështu mbeta vetëm të vërej këtë vegim të madh. Nuk më mbeti kurrfarë force; çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan.

10:9b.DAN.010.009 Megjithatë dëgjova zërin e fjalëve të tij; por, duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij, rashë në një gjumë të thellë me fytyrë për tokë.

10:10b.DAN.010.010 Por ja, një dorë më preku dhe bëri që unë të rri duke u dridhur i tëri mbi gjunjët dhe mbi pëllëmbët e duarve.

10:11b.DAN.010.011 Pastaj më tha: "Daniel, njeri shumë i dashur, kupto fjalët që po të them dhe çohu më këmbë, sepse tani më kanë dërguar te ti". Kur më tha këtë fjalë, unë u çova më këmbë duke u dridhur i tëri.

10:12b.DAN.010.012 Atëherë ai më tha: "Mos ki frikë, Daniel, sepse që ditën e parë që vendose në zemrën tënde të kuptoje dhe të përuleshe para Perëndisë tënd, fjalët e tua u dëgjuan dhe unë erdha si përgjigje e fjalëve të tua.

10:13b.DAN.010.013 Por princi i mbretërisë së Persisë më kundërshtoi njëzetenjë ditë; por ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë.

10:14b.DAN.010.014 Dhe tani kam ardhur të të bëj të kuptosh atë që do t'i ndodhë popullit tënd në mbarim të ditëve; sepse vegimi ka të bëjë me një kohë të ardhme".

10:15b.DAN.010.015 Ndërsa më fliste në këtë mënyrë, ula fytyrën për tokë dhe mbylla gojën.

10:16b.DAN.010.016 Dhe ja, dikush që i ngjante një biri njeriu më preku buzët. Atëherë hapa gojën, fola dhe i thashë atij që më rrint përpara: "Imzot, për këtë vegim më kanë zënë spazmat dhe fuqitë m'u ligështuan.

10:17b.DAN.010.017 Dhe si mund të fliste një shërbëtor i tillë i zotit tim me një imzot të tillë, sepse tani fuqitë më kanë braktisur dhe më mungon madje edhe frymëmarrja?".

10:18b.DAN.010.018 Atëherë ai që i ngjante një njeriu më preku përsëri dhe më dha fuqi,

10:19b.DAN.010.019 dhe tha: "O njeri që të duan shumë, mos ki frikë, paqja është me ty; mblidh forcat e tua, po, mblidh forcat e tua". Mbasi më foli, unë fitova forcë dhe i thashë: "Le të flasë zoti im, sepse ti më ke dhënë forcë".

10:20b.DAN.010.020 Pastaj më tha: "A e di përse kam ardhur këtu pranë teje? Tani do të kthehem të luftoj kundër princit të Persisë; dhe kur të dal, ja, do të vijë princi i Javanit.

10:21b.DAN.010.021 Por unë do të të bëj të njohur atë që është shkruar në librin e së vërtetës; dhe nuk ka njeri që të sillet trimërisht me mua kundër tyre përveç Mikaelit, princit tuaj".

11

11:1b.DAN.011.001 Gjatë vitit të parë të Darit, Medasit, unë vetë qëndrova pranë tij për ta përkrahur dhe për ta mbrojtur.

11:2b.DAN.011.002 "Dhe tani do të të bëj të njohur të vërtetën. Ja, në Persi do të dalin akoma tre mbretër, por i katërti do të bëhet shumë më i pasur se gjithë të tjerët; kur të jetë bërë i fortë për shkak të pasurive të tij, do t'i ngrerë të tërë kundër mbretërisë së Javanit.

11:3b.DAN.011.003 Atëherë do të dalë një mbret i fuqishëm që do të sundojë mbi një perandori të madhe dhe do të bëjë çfarë të dojë.

11:4b.DAN.011.004 Por kur të jetë formuar mbretëria e tij do të copëtohet dhe do të ndahet në drejtim të katër erërave të qiellit, por jo midis trashëgimtarëve të tij dhe as me po atë forcë me të cilën ai mbretëronte, sepse mbretëria e tij do të çrrënjoset dhe do t'u kalojë të tjerëve, dhe jo trashëgimtarëve.

11:5b.DAN.011.005 Kështu mbreti i jugut do të bëhet i fortë, por një ndër princat e tij do të bëhet më i fortë nga ai dhe do të sundojë; sundimi i tij do të jetë një sundim i madh.

11:6b.DAN.011.006 Mbas disa vjetëve do të lidhin aleancë; pastaj bija e mbretit të jugut do të vijë te mbreti i veriut për të bërë një marrëveshje, por nuk do ruajë më as forcën e fuqisë së saj, dhe nuk do të mund të zgjasë as ai as pushteti i tij; në ato kohëra ajo do t'i dorëzohet vdekjes bashkë me ata që e kanë çuar, që e kanë lindur dhe që e kanë mbështetur.

11:7b.DAN.011.007 Por një nga pasardhësit nga rrënja e saj do të dalë dhe do të zërë vendin e saj; ai do të vijë kundër ushtrisë, do të hyjë në fortesat e mbretit të veriut, do të veprojë kundër tyre dhe do të dalë fitimtar.

11:8b.DAN.011.008 Do të shpjerë gjithashtu si plaçkë në Egjipt perënditë e tyre me figurat e tyre të derdhura dhe me sendet e tyre të çmuara prej argjendi dhe prej ari, dhe për disa vjet do të rrijë larg mbretit të veriut.

11:9b.DAN.011.009 Ky do të dalë kundër mbretit të jugut, por pastaj do të kthehet në vendin e tij.

11:10b.DAN.011.010 Bijtë e tij do të përgatiten pastaj për luftë dhe do të mbledhin turma forcash të mëdha, dhe një prej tyre do të dalë me siguri përpara, do të vërshojë si një përmbytje dhe do të kalojë tutje për ta çuar luftën deri në fortesën e tij.

11:11b.DAN.011.011 Atëherë mbreti i jugut, i tërbuar, do të dalë të luftojë kundër këtij, kundër mbretit të veriut, i cili do të mobilizojë një turmë të madhe, por turma do të bjerë në dorë të armikut.

11:12b.DAN.011.012 Kur turmën do ta kenë çuar tutje, zemra e tij do të mbushet me krenari; do të mposhtë me mijëra, por nuk do të jetë më i fortë.

11:13b.DAN.011.013 Në fakt mbreti i veriut do të mobilizojë përsëri një turmë edhe më të madhe se e mëparshmja, dhe pas një kohe të shkurtër do të përparojë me siguri me një ushtri të madhe dhe me pajime të shumta.

11:14b.DAN.011.014 Në atë kohë shumë njerëz do të ngrihen kundër mbretit të jugut; edhe disa burra të dhunshëm të popullit tënd do të ngrihen për të realizuar vegimin, por do të rrëzohen.

11:15b.DAN.011.015 Atëherë do të vijë mbreti i veriut, do të ngrerë një ledh dhe do të shtjerë në dorë një qytet të fortifikuar. Forcat e jugut nuk do të mundin t'i rezistojnë; as trupat e zgjedhura nuk do të kenë forcën për t'i rezistuar.

11:16b.DAN.011.016 Ai që i ka ardhur kundra do të bëjë çfarë të dojë, dhe askush nuk do të mund t'i rezistojë; ai do të ndalet në vendin e lavdishëm duke pasur pushtet të shkatërrojë çdo gjë.

11:17b.DAN.011.017 Pastaj do të vendosë të vijë me forcat e gjithë mbretërisë së tij, duke ofruar kushte të ndershme paqeje, dhe kështu ka për të bërë. Do t'i japë të bijën për grua për ta korruptuar, por ajo nuk do të mbajë anën e tij dhe nuk do ta favorizojë atë.

11:18b.DAN.011.018 Pastaj do t'u drejtohet ishujve dhe do të shtjerë në dorë shumë prej tyre, por një komandant do të bëjë që të marrë fund arroganca e tij, duke bërë që ajo të bjerë mbi të.

11:19b.DAN.011.019 Pastaj do të kthehet drejt fortesave të vendit të vet, por do të pengohet, do të rrëzohet dhe nuk do të gjendet më.

11:20b.DAN.011.020 Në vend të tij do të dalë dikush që do të dërgojë një tagrambledhës për lavdinë e mbretërisë; por brenda pak ditëve ai do të zhduket, por jo në zemërim a në betejë.

11:21b.DAN.011.021 Në vend të tij do të dalë një njeri i neveritshëm, që nuk do të ketë dinjitet mbretëror; ai do të vijë paqësisht, por do ta shtjerë në dorë mbretërinë me intriga.

11:22b.DAN.011.022 Para tij forcat e mëdha do të thyhen dhe do të shkatërrohen, po ashtu edhe kreu i një aleance.

11:23b.DAN.011.023 Menjëherë pasi të ketë lidhur një aleancë me të, ai do të veprojë me pabesi dhe do të arrijë në pushtet me pak njerëz.

11:24b.DAN.011.024 Ai do të hyjë në mënyrë paqësore edhe në pjesët më të pasura të krahinës dhe do të bëjë atë që nuk kishin bërë kurrë as etërit e tij as etërit e etërve të tij; do të shpërndajë midis tyre plaçkë, plaçkën e luftës dhe pasuritë dhe do të hartojë plane kundër fortesave, por vetëm për një kohë.

11:25b.DAN.011.025 Me një ushtri të madhe do t'i nxitë forcat e tij dhe zemrën e tij kundër mbretit të jugut. Mbreti i jugut do të futet në luftë me një ushtri të madhe dhe shumë të fuqishme, por nuk do të mund të rezistojë, sepse do të kurdisen komplote kundër tij.

11:26b.DAN.011.026 Vetë ata që hanë bashkë me të do ta shkatërrojnë; ushtria e tij do të thyhet dhe shumë do të bien të vrarë.

11:27b.DAN.011.027 Zemra e këtyre dy mbretërve do të drejtohet për të bërë keq; ata do të flasin gënjeshtra të ulur në të njëjtën tryezë, por gjëja nuk do të ketë sukses, sepse fundi do t'u vijë në kohën e caktuar.

11:28b.DAN.011.028 Duke u kthyer në vendin e tij me pasuri të mëdha, zemra e tij do të vihet kundër besëlidhjes së shenjtë; kështu ai do të kryejë qëllimet e tij dhe pastaj do të kthehet në vendin e tij.

11:29b.DAN.011.029 Në kohën e caktuar ai do të dalë përsëri kundër jugut, por këtë herë të fundit puna nuk do t'i vejë mbarë si herën e parë,

11:30b.DAN.011.030 sepse anijet e Kitimit do të vijnë kundër tij; prandaj ai do të trembet, do të zemërohet përsëri kundër besëlidhjes së shenjtë dhe do të zbatojë planet e tij; kështu përsëri do të merret vesh me ata që kanë braktisur besëlidhjen e shenjtë.

11:31b.DAN.011.031 Forca të dërguara prej tij do të ngrihen për të përdhosur shenjtëroren fortesë, do të ndalojnë flijimin e përditshëm dhe do të bëjnë veprime të neveritshme që shkaktojnë shkretim.

11:32b.DAN.011.032 Me lajka ai do të korruptojë ata që veprojnë pabesisht kundër besëlidhjes; por populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë.

11:33b.DAN.011.033 Ata që kanë dituri midis popullit do të udhëzojnë shumë të tjerë, por për një kohë të shkurtër do të bien nga shpata, nga zjarri, nga mërgimi dhe nga plaçkitja.

11:34b.DAN.011.034 Kur do të rrëzohen, do t'u jepet pak ndihmë, por shumë njerëz do të bashkohen me ta pa qenë të sinqertë.

11:35b.DAN.011.035 Disa nga ata që kanë dituri do të bien, me qëllim që të përsosen, të pastrohen dhe të zbardhen deri në kohën e mbarimit, sepse kjo do të ndodhë në kohën e caktuar.

11:36b.DAN.011.036 Pastaj mbreti do të veprojë si të dojë, do të lartohet, do të hyjnizohet përmbi çdo perëndi dhe do të thotë gjëra të habitshme kundër Perëndisë të perëndive; do të ketë sukses deri sa të mbushet kupa e indinjatës, sepse ajo që është dekretuar do të bëhet.

11:37b.DAN.011.037 Ai nuk do të tregojë respekt për Perëndinë e etërve të tij dhe për dëshirën e grave; nuk do të ketë respekt për asnjë perëndi, sepse do të hyjnizojë veten përmbi të gjithë.

11:38b.DAN.011.038 Por në vend të tyre ai do të nderojë perëndinë e fortesave dhe do të nderojë me ar, me argjend, me gurë të çmuar dhe me gjëra të këndshme, një perëndi, që etërit e tij nuk e njohën.

11:39b.DAN.011.039 Ai do të veprojë kundër fortesave më të fortifikuara me ndihmën e një perëndie të huaj; do të mbushë me të mira ata që do ta njohin, do të bëjë që të sundojnë mbi shumë njerëz dhe do t'u japë toka si shpërblim.

11:40b.DAN.011.040 Në kohën e fundit mbreti i jugut do të ndeshet me të, mbreti i veriut do të dalë kundër tij si një shakullimë, me qerre dhe kalorës dhe me shumë anije; do të depërtojë në vendet, do t'i përmbytë dhe do të kalojë tutje.

11:41b.DAN.011.041 Do të hyjë edhe në vendin e lavdishëm dhe shumë njerëz do të vriten; por këta do të shpëtojnë nga duart e tij: Edomi, Moabi dhe pjesa më e madhe e bijve të Amonit.

11:42b.DAN.011.042 Ai do të shtrijë dorën edhe mbi vende të ndryshme dhe as vendi i Egjiptit nuk do të shpëtojë.

11:43b.DAN.011.043 Do të shtjerë në dorë thesaret prej ari dhe argjendi dhe të gjitha gjërat e çmuara të Egjiptit; Libianët dhe Etiopasit do t'i shkojnë pas.

11:44b.DAN.011.044 Por lajmet e ardhura nga lindja dhe nga veriu do ta turbullojnë; prandaj ai do të niset me zemërim të madh për të shkatërruar dhe vendosur shfarosjen e shumë njerëzve.

11:45b.DAN.011.045 Do t'i ngrerë çadrat e pallatit të tij midis deteve dhe malit të shenjtë të lavdishëm; pastaj do t'i vijë fundi dhe askush nuk do ta ndihmojë".

12

12:1b.DAN.012.001 "Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd; dhe do të jetë një kohë me ankthe, ashtu si nuk ka pasur kurrë që kur se ekzistojnë kombet e deri në atë kohë.

12:2b.DAN.012.002 Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme.

12:3b.DAN.012.003 Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë.

12:4b.DAN.012.004 Por ti, Daniel, mbaji të fshehura këto fjalë dhe vulose librin deri në kohën e mbarimit; shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet".

12:5b.DAN.012.005 Pastaj unë, Danieli, shikova, dhe ja, dy të tjerë më këmbë, njeri mbi këtë breg të lumit, dhe tjetri mbi bregun tjetër të lumit.

12:6b.DAN.012.006 Një nga ata i tha burrit të veshur me rroba liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit: "Kur do kryhen këto mrekulli?".

12:7b.DAN.012.007 Unë dëgjova atëherë burrin e veshur me rroba liri që qëndronte mbi ujërat e lumit, i cili, ngriti dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u betua për atë që jeton përjtë se kjo do të jetë për një kohë, për disa kohëra dhe për gjysmën e një kohë; kur forca e popullit të shenjtë do të thyhet plotësisht, tërë këto gjëra do të kryhen.

12:8b.DAN.012.008 Unë dëgjova, por nuk kuptova, prandaj pyeta: "Imzot, cili do të jetë fundi i këtyre gjërave?".

12:9b.DAN.012.009 Ai u përgjigj: "Shko, Daniel, sepse këto fjalë janë të fshehura dhe të vulosura deri kohën e mbarimit.

12:10b.DAN.012.010 Shumë njerëz do të pastrohen, do të zbardhen dhe do të përsosen; por të pabesët do të veprojnë me pabesi dhe asnjë nga të pabesët nuk do të kuptojë, por do të kuptojnë njerëzit e ditur.

12:11b.DAN.012.011 Nga koha që do të ndalohet flijimi i përditshëm dhe do të ngrihet neveria që shkakton shkretimin do të kalojnë njëmijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë.

12:12b.DAN.012.012 Lum ai që pret dhe arrin në njëmijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë.

12:13b.DAN.012.013 Por ti shko drejt mbarimit tënd; do të prehesh dhe pastaj do të ngrihesh përsëri për të marrë pjesën tënde të trashëgimisë në mbarim të ditëve".


Holder of rights
Multilingual Bible Corpus

Citation Suggestion for this Object
TextGrid Repository (2025). Albanian Collection. Daniel (Albanian). Daniel (Albanian). Multilingual Parallel Bible Corpus. Multilingual Bible Corpus. https://hdl.handle.net/21.11113/0000-0016-899A-0