Lamentations (Albanian)

Lamentations (Albanian)

1

1:1b.LAM.001.001 Si qëndron vallë i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me popull? E madhja midis kombeve është bërë si një e ve; princesha midis provincave i është nënshtruar haraçit.

1:2b.LAM.001.002 Ajo qan me hidhërim natën, lotët vijëzojnë faqet e saj; midis gjithë atyre që e donin nuk ka njeri që ta ngushëllojë; tërë miqtë e saj e kanë tradhëtuar, janë bërë armiq të saj.

1:3b.LAM.001.003 Juda ka shkuar në robëri, mbi të rëndojnë pikëllimi dhe një skllavëri e rëndë; ai banon midis kombeve, nuk gjen prehje; tërë përndjekësit e tij e kanë arritur midis fatkeqësive.

1:4b.LAM.001.004 Rrugët e Sionit mbajnë zi, sepse askush nuk vjen më në festat solemne; tërë portat e tij janë të shkreta, priftërinjtë e tij psherëtijnë, virgjëreshat e tij hidhërohen dhe ai është në trishtim.

1:5b.LAM.001.005 Kundërshtarët e tij janë bërë sundimtarë, armiqtë e tij begatohen, sepse Zoti e ka mjeruar për shkak të morisë së shkeljeve të tij; fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut.

1:6b.LAM.001.006 Vajza e Sionit ka humbur tërë madhështinë e saj; krerët e tij janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë; ecin pa forca përpara atyre që i ndjekin.

1:7b.LAM.001.007 Në ditët e trishtimit të tij dhe të endjes Jeruzalemi kujton tërë të mirat e çmuara që zotëronte qysh nga ditët e lashta. Kur populli i tij binte në dorë të armikut dhe askush nuk i vinte në ndihmë, kundërshtarët e tij e shikonin dhe qeshnin me shkatërrimin e tij.

1:8b.LAM.001.008 Jeruzalemi ka mëkatuar rëndë, prandaj është bërë një gjë e fëlliqur; tërë ata që e nderonin e përçmojnë, sepse e kanë parë lakuriq, po, ai psherëtin dhe kthehet prapa.

1:9b.LAM.001.009 Fëlliqësia e tij ishte në cepat e rrobave të tij, nuk mendonte për fundin e tij; prandaj ra në mënyrë të habitshme, pa pasur njeri që ta ngushëllojë: "Shiko, o Zot, dëshpërimin tim sepse armiku po ngrihet".

1:10b.LAM.001.010 Kundërshtari ka shtrirë dorën mbi të gjitha thesaret e tua, sepse pa kombet të hyjnë në shenjtëroren tënde; pikërisht ata që ti u kishe urdhëruar të mos hynin në kuvendin tënd.

1:11b.LAM.001.011 Tërë populli i tij psherëtin duke kërkuar bukë; japin gjërat e tyre më të çmuara për ushqim me qëllim që të rifitojnë jetën. "Shiko, o Zot, dhe kqyr sa jam bërë i neveritshëm!". pranimi i mëkateve të tij dhe pasojat e tyre

1:12b.LAM.001.012 "Asgjë e tillë mos t'ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhimbje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë.

1:13b.LAM.001.013 Nga lart ka dërguar një zjarr në kockat e mia, i kaplon ato; ka shtrirë një rrjetë në këmbët e mia, më ka kthyer prapa, më ka shkretuar në kapitjen e ditëve të mia.

1:14b.LAM.001.014 Nga dora e tij është lidhur zgjedha e shkeljeve të mia, që lidhen bashkë dhe rëndojnë mbi qafën time; më ka pakësuar forcën time; Zoti më ka lënë në duart e atyre të cilëve nuk mund t'u bëj ballë.

1:15b.LAM.001.015 Zoti ka rrëzuar në mesin tim tërë trimat e mi; ka thirrur kundër meje një kuvend për të shtypur të rinjtë e mi; Zoti ka shtypur si në një butinë bijën e virgjër të Judës.

1:16b.LAM.001.016 Prandaj unë qaj; sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje. Bijtë e mi janë të dëshpëruar, sepse armiku doli fitimtar".

1:17b.LAM.001.017 Sioni zgjat duart e tij, por nuk ka njeri që ta ngushëllojë. Përsa i përket Jakobit, Zoti ka urdhëruar që ata që janë rreth tij të bëhen armiq të tij. Jeruzalemi është bërë në mes tyre si një gjë e papastër.

1:18b.LAM.001.018 Zoti është i drejtë, sepse jam rebeluar kundër fjalës së tij. Dëgjoni, pra, o popuj mbarë, dhe shikoni dhimbjen time! Virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë shkuar në robëri.

1:19b.LAM.001.019 Thirra dashnorët e mi, por ata më kanë mashtruar; priftërinjt e mi dhe pleqtë e mi nxorën frymën e fundit në qytet, ndërsa kërkonin ushqim për të shpëtuar jetën e tyre.

1:20b.LAM.001.020 Shiko, o Zot, unë jam në ankth. Zorrët e mia dridhen, zemra ime është e tronditur brenda meje, sepse kam qënë rebele e madhe. Jashtë shpata më la pa bij, në shtëpi është si të jetë vdekje.

1:21b.LAM.001.021 Më dëgjojnë që psherëtij, askush nuk më ngushëllon. Tërë armiqtë e mi e kanë mësuar fatkeqësinë time dhe janë të kënaqur që ti ke bërë këtë gjë. Ti do të sjellësh ditën që ke lajmëruar, dhe atëherë do të jenë si unë.

1:22b.LAM.001.022 Le të vijë para teje tërë ligësia e tyre, dhe trajtoi ashtu si më ke trajtuar mua për shkak të të gjitha shkeljeve të mia. Sepse të shumta janë psherëtimat e mia dhe zemra ime lëngon.

2

2:1b.LAM.002.001 Si bëhet që në zemërimin e tij Zoti ka mbuluar me një re bijën e Sionit? Ai ka hedhur nga qielli në tokë lavdinë e Izraelit dhe nuk u kujtua për ndenjësen e këmbëve të tij ditën e zemërimit të tij.

2:2b.LAM.002.002 Zoti i ka shkatërruar pa mëshirë të gjitha banesat e Jakobit; në zemërimin e tij ka shembur fortesat e bijës së Judës, i ka hedhur për tokë duke përdhosur mbretërinë dhe krerët e saj.

2:3b.LAM.002.003 Me një zemërim të zjarrtë ka thyer tërë fuqinë e Izraelit, ka tërhequr të djathtën e tij përpara armikut, ka djegur në mes të Jakobit si një zjarr flakërues që gllabëron gjithçka rreth e qark.

2:4b.LAM.002.004 Ka nderur harkun e tij si një armik, ka ngritur dorën e djathtë si një kundërshtar, ka shkatërruar të gjitha ato që ishin të këndshme për sytë në çadrën e bijës së Sionit, e ka derdhur zemërimin e tij si një zjarr.

2:5b.LAM.002.005 Zoti u bë si një armik; përpiu Izraelin, përpiu tërë pallatet e tij, shkatërroi fortesat e tij, shumëfishoi të qarat dhe vajtimet tek e bija e Judës.

2:6b.LAM.002.006 Shkatërroi tabernakullin e tij si një kopësht, prishi vendin ku mblidhet kuvendi; Zoti bëri të harrohen në Sion festat solemne dhe të shtunat dhe gjatë tërbimit e të zemërimit të tij hodhi poshtë mbretër dhe priftërinj.

2:7b.LAM.002.007 Zoti braktisi altarin e tij, hodhi poshtë shenjtëroren e tij, dorëzoi në dorë të armikut muret e fortesave të tij; ata lartuan britma në shtëpinë e Zotit si në një ditë feste solemne.

2:8b.LAM.002.008 Zoti vendosi të shkatërrojë muret e bijës së Sionit; vuri litarin, nuk ka hequr dorë nga shkatërrimi; ka bërë të vajtojnë fortesa dhe mure; që të dyja lëngojnë.

2:9b.LAM.002.009 Portat e tij janë fundosur në dhe; ai ka prishur dhe ka copëtuar shufrat e tyre; mbreti i tij dhe krerët e tij ndodhen midis kombeve; nuk ka më ligj, dhe profetët e tij nuk marrin asnjë vegim nga Zoti.

2:10b.LAM.002.010 Pleqtë e bijës së Sionit ulen për tokë në heshtje; kanë hedhur pluhur mbi kokën e tyre, kanë ngjeshur trupin me thes; virgjëreshat e Jeruzalemit ulin deri në tokë kokën e tyre.

2:11b.LAM.002.011 Sytë e mi konsumohen nga të qarat, zorrët e mia drithërohen, mëlçia ime përhapet për tokë për shkak të shkatërrimit të bijës së popullit tim, për ligështimin e fëmijëve dhe të foshnjave në gji në sheshet e qytetit.

2:12b.LAM.002.012 Ata u kërkonin nënave të tyre: "Ku është gruri dhe vera?", ndërsa po ligështoheshin si të plagosur për vdekje në sheshet e qytetit dhe jepnin shpirt në prehrin e nënave të tyre.

2:13b.LAM.002.013 Si mund të të jap zemër? Në çfarë do të të ngjas, o bijë e Jeruzalemit? Çfarë gjë do të krahasoj me ty që të të ngushëlloj, o bijë e virgjër e Jeruzalemit? Sepse shkatërrimi yt është i madh si deti; kush mund të të shërojë?

2:14b.LAM.002.014 Profetët e tu kanë pasur për ty vegime të rreme dhe të paarsyeshme; nuk kanë zbuluar lakuriq paudhësinë tënde që të largojnë robërinë prej teje; ata kanë shqiptuar për ty profeci të rreme dhe mashtruese.

2:15b.LAM.002.015 Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qënka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur", "gëzimi i tërë tokës"?".

2:16b.LAM.002.016 Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim".

2:17b.LAM.002.017 Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu.

2:18b.LAM.002.018 Zemra e tyre i bërtet Zotit: "O mure të bijës së Sionit, bëni që të derdhen lotët si një përrua ditën e natën. Mos i jepni qetësi vetes, mos paçin çlodhje bebet e syve tuaj.

2:19b.LAM.002.019 Çohuni, bërtisni natën, në fillim të çdo vigjiljeje. Derdhni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart në drejtim të tij për jetën e fëmijëve tuaj, që mpaken nga uria në hyrje të të gjitha rrugëve".

2:20b.LAM.002.020 "Shiko, o Zot, dhe shqyrto. Cilin ke trajtuar në këtë mënyrë? A duhet të hanin gratë frytin e barkut të tyre, fëmijët që përkëdhelnin? A duhet të vriteshin prifti dhe profeti në shenjtëroren e tij?

2:21b.LAM.002.021 Të vegjëlit dhe pleqtë dergjen për tokë nëpër rrugë; virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë rënë nga shpata; ti i ke vrarë ditën e zëmërimit tënd, i ke masakruar pa mëshirë.

2:22b.LAM.002.022 Ti ke mbledhur si për një ditë feste tmerret që më rrethojnë nga çdo anë. Në ditën e zemërimit të Zotit nuk pati as ikanak as të mbetur. Ata që kisha ushqyer me gji dhe që kisha rritur, i shfarosi armiku im".

3

3:1b.LAM.003.001 Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.

3:2b.LAM.003.002 Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.

3:3b.LAM.003.003 Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.

3:4b.LAM.003.004 Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.

3:5b.LAM.003.005 Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.

3:6b.LAM.003.006 Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.

3:7b.LAM.003.007 Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.

3:8b.LAM.003.008 Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.

3:9b.LAM.003.009 Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.

3:10b.LAM.003.010 Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.

3:11b.LAM.003.011 Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.

3:12b.LAM.003.012 Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.

3:13b.LAM.003.013 Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.

3:14b.LAM.003.014 Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.

3:15b.LAM.003.015 Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.

3:16b.LAM.003.016 Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.

3:17b.LAM.003.017 Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.

3:18b.LAM.003.018 Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".

3:19b.LAM.003.019 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.

3:20b.LAM.003.020 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.

3:21b.LAM.003.021 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.

3:22b.LAM.003.022 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.

3:23b.LAM.003.023 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.

3:24b.LAM.003.024 "Zoti është pjesa ime", thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.

3:25b.LAM.003.025 Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.

3:26b.LAM.003.026 Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.

3:27b.LAM.003.027 Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.

3:28b.LAM.003.028 Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.

3:29b.LAM.003.029 Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.

3:30b.LAM.003.030 Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.

3:31b.LAM.003.031 Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;

3:32b.LAM.003.032 por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,

3:33b.LAM.003.033 sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.

3:34b.LAM.003.034 Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,

3:35b.LAM.003.035 kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,

3:36b.LAM.003.036 kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?

3:37b.LAM.003.037 Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?

3:38b.LAM.003.038 E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit?

3:39b.LAM.003.039 Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?

3:40b.LAM.003.040 Le të shqyrtojmë rrugët tona, t'i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti.

3:41b.LAM.003.041 Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve.

3:42b.LAM.003.042 Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur.

3:43b.LAM.003.043 Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë.

3:44b.LAM.003.044 Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot.

3:45b.LAM.003.045 Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve.

3:46b.LAM.003.046 Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh.

3:47b.LAM.003.047 Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi.

3:48b.LAM.003.048 Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim.

3:49b.LAM.003.049 Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje,

3:50b.LAM.003.050 deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë.

3:51b.LAM.003.051 Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim.

3:52b.LAM.003.052 Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog.

3:53b.LAM.003.053 Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë.

3:54b.LAM.003.054 Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua".

3:55b.LAM.003.055 Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës.

3:56b.LAM.003.056 Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë.

3:57b.LAM.003.057 Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!"

3:58b.LAM.003.058 O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.

3:59b.LAM.003.059 O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time!

3:60b.LAM.003.060 Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje.

3:61b.LAM.003.061 Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje,

3:62b.LAM.003.062 fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën.

3:63b.LAM.003.063 Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre.

3:64b.LAM.003.064 Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre.

3:65b.LAM.003.065 Bëji zemërgur, mallkimi yt qoftë mbi ta.

3:66b.LAM.003.066 Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit.

4

4:1b.LAM.004.001 Si u nxi ari, si u prish ari më i mirë! Gurët e shenjtërores u shpërndanë në hyrje të të gjitha rrugëve.

4:2b.LAM.004.002 Bijtë e çmuar të Sionit që çmoheshin si ar i kulluar, vallë si u konsideruan si enë prej balte, si punë e kryer nga duart e poçarit?

4:3b.LAM.004.003 Edhe çakejtë japin gjirin për të ushqyer të vegjëlit e tyre, por bija e popullit tim është bërë mizore si strucët e shkretëtirës.

4:4b.LAM.004.004 Gjuha e foshnjës në gji ngjitet, në qiellzën e tij nga etja; fëmijët kërkojnë bukë, por nuk ka njeri që t'ua japë atyre.

4:5b.LAM.004.005 Ata që hanin ushqime të shijshme lëngojnë nëpër rrugë; ata që ishin rritur në purpur përqafojnë plehërishten.

4:6b.LAM.004.006 Ndëshkimi i paudhësisë të vajzës së popullit tim është më i madh se ndëshkimi i mëkatit të Sodomës, që u shkatërrua në një çast, pa ndërhyrjen e dorës së njeriut kundër saj.

4:7b.LAM.004.007 Princat e saj ishin më të shkëlqyeshëm se bora, më të bardhë se qumështi; e kishin trupin më të kuq se koralet, fytyra e tyre ishte si një safir.

4:8b.LAM.004.008 Tani pamja e tyre është më e zezë se terri; nuk njihen dot më nëpër rrugë; lëkura e tyre bashkohet me kockat e tyre, është tharë, është bërë si dru.

4:9b.LAM.004.009 Të vrarët nga shpata janë më mirë se ata që vdesin nga uria, sepse këta të fundit mbarojnë të rraskapitur nga mungesa e prodhimeve të fushës.

4:10b.LAM.004.010 Duart e grave të mëshirëshme kanë pjekur vetë fëmijët e tyre, të cilët u kanë shërbyer si ushqim, në shkatërrimin e bijës së popullit tim.

4:11b.LAM.004.011 Zoti i dha fund tërbimit të tij, ka derdhur zemërimin e tij të zjarrtë, ka ndezur në Sion një zjarr, që ka gllabëruar themelet e tij.

4:12b.LAM.004.012 Mbretërit e dheut dhe tërë banorët e botës nuk do të kishin besuar kurrë që kundërshtari dhe armiku do të hynin në portat e Jeruzalemit.

4:13b.LAM.004.013 Por kjo ndodhi për shkak të mëkateve të profetëve të tij dhe për shkak të paudhësive të priftërinjve të tij, që kanë derdhur në mes të saj gjakun e njerëzve të drejtë.

4:14b.LAM.004.014 Ata endeshin si të verbër nëpër rrugë, të ndotur me gjak, në mënyrë që askush nuk mund të prekte veshjet e tyre.

4:15b.LAM.004.015 Sapo dukeshin njerëzit bërtisnin: "Largohuni, një i papastër! Largohuni, largohuni mos e prekni!". Kur iknin dhe shkonin duke u endur midis kombeve thonin: "Nuk do të mund të rrijnë më këtu".

4:16b.LAM.004.016 Fytyra e Zotit i ka shpërndarë, nuk do të kthejë mbi ta shikimin e tij; nuk kanë pasur respekt për priftërinjtë dhe as kanë treguar dhembshuri për pleqtë.

4:17b.LAM.004.017 Përveç kësaj sytë tona konsumoheshin në pritjen e një ndihme të kotë. Nga vendi ynë i vëzhgimit prisnim më kot një komb që nuk mund të na shpëtonte.

4:18b.LAM.004.018 Na gjuanin në çdo hap, duke na penguar të ecnim nëpër sheshet tona. Fundi ynë është i afërt, ditët tona janë plotësuar, fundi ynë ka mbërritur.

4:19b.LAM.004.019 Përndjekësit tanë kanë qenë më të shpejtë se shqiponjat e qiellit, na kanë ndjekur në malet, na kanë ngritur prita në shkretëtirë.

4:20b.LAM.004.020 Fryma e flegrave tona, i vajosuri i Zotit është marrë në gropat e tyre, ai për të cilin thoshim: "Në hijen e tij do të jemi midis kombeve".

4:21b.LAM.004.021 Gëzohu dhe kënaqu, o bijë e Edomit, që banon në vendin e Utsit. Edhe ty do të të vijë kupa; do të dehesh dhe do të zbulosh lakuriqësinë tënde.

4:22b.LAM.004.022 Ndëshkimi i paudhësisë sate u krye, o bijë e Sionit. Ai nuk do të të çojë më në robëri; por do të ndëshkojë paudhësinë tënde, o bijë e Edomit, do të nxjerrë në shesh mëkatet e tua.

5

5:1b.LAM.005.001 Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë.

5:2b.LAM.005.002 Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët.

5:3b.LAM.005.003 Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja.

5:4b.LAM.005.004 Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë.

5:5b.LAM.005.005 Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim.

5:6b.LAM.005.006 I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t'u ngopur me bukë.

5:7b.LAM.005.007 Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre.

5:8b.LAM.005.008 Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.

5:9b.LAM.005.009 E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës.

5:10b.LAM.005.010 Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë.

5:11b.LAM.005.011 Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës.

5:12b.LAM.005.012 Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar.

5:13b.LAM.005.013 Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve.

5:14b.LAM.005.014 Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre.

5:15b.LAM.005.015 Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi.

5:16b.LAM.005.016 Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!

5:17b.LAM.005.017 Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë:

5:18b.LAM.005.018 për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat.

5:19b.LAM.005.019 Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi.

5:20b.LAM.005.020 Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë?

5:21b.LAM.005.021 Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën.

5:22b.LAM.005.022 Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?


Holder of rights
Multilingual Bible Corpus

Citation Suggestion for this Object
TextGrid Repository (2025). Albanian Collection. Lamentations (Albanian). Lamentations (Albanian). Multilingual Parallel Bible Corpus. Multilingual Bible Corpus. https://hdl.handle.net/21.11113/0000-0016-8994-6