Job (Albanian)

Job (Albanian)

1

1:1b.JOB.001.001 Në vendin e Uzit ishte një njeri i quajtur Job. Ky njeri ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes.

1:2b.JOB.001.002 I kishin lindur shtatë bij dhe tri bija.

1:3b.JOB.001.003 Veç kësaj zotëronte shtatë mijë dele, tre mijë deve, pesëqind pendë qe, pesëqind gomarë dhe një numër shumë të madh shërbëtorësh. Kështu ky njeri ishte më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes.

1:4b.JOB.001.004 Bijtë e tij kishin zakon të shkonin për banket në shtëpinë e secilit ditën e cakuar; dhe dërgonin të thërrisnin tri motrat e tyre, që të vinin të hanin dhe të pinin bashkë me ta.

1:5b.JOB.001.005 Kur mbaronte seria e ditëve të banketit, Jobi i thërriste për t'i pastruar; ngrihej herët në mëngjes dhe ofronte olokauste sipas numrit të gjithë atyre, sepse Jobi mendonte: "Ndofta bijtë e mi kanë mëkatuar dhe e kanë blasfemuar Perëndinë në zemrën e tyre". Kështu bënte Jobi çdo herë.

1:6b.JOB.001.006 Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten para Zotit, dhe ndër ta shkoi edhe Satanai.

1:7b.JOB.001.007 Zoti i tha Satanait: "Nga vjen?". Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: "Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkruar lart e poshtë".

1:8b.JOB.001.008 Zoti i tha Satanait: "E ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t'i largohet së keqes".

1:9b.JOB.001.009 Atëherë Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: "Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia?

1:10b.JOB.001.010 A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend.

1:11b.JOB.001.011 Por shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi".

1:12b.JOB.001.012 Zoti i tha Satanait: "Ja, të gjitha ato që ai zotëron janë në pushtetin tënd, por mos e shtri dorën mbi personin e tij". Kështu Satanai u largua nga prania e Zotit.

1:13b.JOB.001.013 Kështu një ditë ndodhi që, ndërsa bijtë e tij dhe bijat e tij hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh, erdhi nga Jobi një lajmëtar për t'u thënë:

1:14b.JOB.001.014 Qetë po lëronin dhe gomarët po kullotnin aty afër,

1:15b.JOB.001.015 kur Sabejtë u sulën mbi ta, i morën me vete dhe vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them".

1:16b.JOB.001.016 Ai ishte duke folur ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Zjarri i Perëndisë ra nga qielli, zuri delet dhe shërbëtorët dhe i ka përpirë. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them".

1:17b.JOB.001.017 Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Kaldeasit kanë formuar tri banda, u sulën mbi devetë dhe i morën me vete, vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them".

1:18b.JOB.001.018 Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Bijtë e tu dhe bijat e tua ishin duke ngrënë dhe duke pirë verë në shtëpinë e vëlliat të tyre më të madh,

1:19b.JOB.001.019 kur papritur një erë e furishme, që vinte nga shkretëtira, ra në të katër qoshet e shtëpisë e cila u shemb mbi të rinjtë, dhe ata vdiqën. Vetëm unë shpëtova dhe erdha të ta them".

1:20b.JOB.001.020 Atëherë Jobi u ngrit, grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra pëmbys dhe adhuroi,

1:21b.JOB.001.021 dhe tha: "Lakuriq dolla nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit".

1:22b.JOB.001.022 Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi dhe nuk paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi.

2

2:1b.JOB.002.001 Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten përpara Zotit, dhe midis tyre shkoi edhe Satanai për t'u paraqitur përpara Zotit.

2:2b.JOB.002.002 Zoti i tha Satanait: "Nga vjen?". Satanai iu përgjigj Zotit: "Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkuar lart e poshtë". Zoti i tha Satanait:

2:3b.JOB.002.003 "A e vure re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t'i largohet së keqes. Ai qëndron i patundur në ndershmërinë e tij, megjithëse ti më ke nxitur kundër tij për ta shkatërruar pa asnjë shkak".

2:4b.JOB.002.004 Atëherë Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: "Lëkurë për lëkurë! Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij.

2:5b.JOB.002.005 Por shtrije dorën tënde dhe preki kockat e tij dhe mishin e tij dhe ke për të parë po nuk të mallkoi haptazi".

2:6b.JOB.002.006 Zoti i tha Satanait: "Ja ai, është në pushtetin tënd, por mos ia merr jetën".

2:7b.JOB.002.007 Kështu Satanai u largua nga prania e Zotit dhe e goditi Jobin me një ulcerë të keqe nga majat e këmbëve deri në pjesën e sipërme të kokës.

2:8b.JOB.002.008 Jobi mori një copë balte për t'u kruar dhe rrinte ulur në mes të hirit.

2:9b.JOB.002.009 Atëherë gruaja e tij i tha: "Qëndron ende në ndershmërinë tënde? Mallko Perëndinë dhe vdis!".

2:10b.JOB.002.010 Por ai i tha asaj: "Ti flet si një grua pa mend. Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?". Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij.

2:11b.JOB.002.011 Kur tre miq të Jobit mësuan tërë këto fatkeqësi që kishin rënë mbi të, erdhën secili nga vendi i vet, Elifazi nga Temani, Bildadi nga Shuahu dhe Tsofari nga Naamathi; ata në të vërtetë ishin marrë

2:12b.JOB.002.012 I ngritën sytë nga larg, por nuk e njohën dot; atëherë filluan të qajnë me zë të lartë, dhe secili grisi rrobat e tij dhe qiti mbi kryet e tij pluhur duke e hedhur në drejtim të qiellit.

2:13b.JOB.002.013 Pastaj u ulën pranë tij për shtatë ditë e shtatë net, dhe asnjë nuk i drejtoi qoftë një fjalë të vetme, sepse e shikonin se dhembja e tij ishte shumë e madhe.

3

3:1b.JOB.003.001 Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij.

3:2b.JOB.003.002 Kështu Jobi mori fjalën dhe tha:

3:3b.JOB.003.003 "Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!".

3:4b.JOB.003.004 Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita!

3:5b.JOB.003.005 E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë!

3:6b.JOB.003.006 Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve!

3:7b.JOB.003.007 Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi.

3:8b.JOB.003.008 E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin.

3:9b.JOB.003.009 U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon,

3:10b.JOB.003.010 sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi.

3:11b.JOB.003.011 Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?

3:12b.JOB.003.012 Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë?

3:13b.JOB.003.013 Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,

3:14b.JOB.003.014 bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara,

3:15b.JOB.003.015 ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre.

3:16b.JOB.003.016 Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën?

3:17b.JOB.003.017 Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit.

3:18b.JOB.003.018 Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit.

3:19b.JOB.003.019 Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.

3:20b.JOB.003.020 Pse t'i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim,

3:21b.JOB.003.021 të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura;

3:22b.JOB.003.022 gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin?

3:23b.JOB.003.023 Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë?

3:24b.JOB.003.024 Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji.

3:25b.JOB.003.025 Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.

3:26b.JOB.003.026 Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi".

4

4:1b.JOB.004.001 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

4:2b.JOB.004.002 "A do të të bezdiste ndokush në rast se do të provonte të të fliste? Por kush mund t'i ndalë fjalët?

4:3b.JOB.004.003 Ja ti ke mësuar shumë prej tyre dhe ua ke fortësuar duart e lodhura;

4:4b.JOB.004.004 fjalët e tua u kanë dhënë zemër të lëkundurve dhe kanë forcuar gjunjët që gjunjëzohen.

4:5b.JOB.004.005 Por tani që e keqja të zuri ty, nuk je në gjendje të veprosh; të ka goditur ty, dhe ti e ke humbur fare.

4:6b.JOB.004.006 Mëshira jote a nuk është vallë besimi yt, dhe ndershmëria e sjelljes sate, shpresa jote?

4:7b.JOB.004.007 Mbaje mend: cili i pafajmë është zhdukur vallë, dhe a janë shkatërruar vallë njerëzit e ndershëm?

4:8b.JOB.004.008 Ashtu siç e kam parë unë vetë, ata që lërojnë paudhësinë dhe mbjellin mjerimin, vjelin frytet e tyre.

4:9b.JOB.004.009 Me frymën e Perëndisë ata vdesin, era e zemërimit të tij i tret ata.

4:10b.JOB.004.010 Vrumbullima e luanit, zëri i luanit të egër dhe dhëmbët e luanëve të vegjël janë thyer.

4:11b.JOB.004.011 Luani vdes për mungesë gjahu dhe të vegjlit e luaneshës shpërndahen.

4:12b.JOB.004.012 Një fjalë më ka ardhur fshehurazi dhe veshi im ka zënë pëshpëritjen e saj.

4:13b.JOB.004.013 Midis mendimeve të vizioneve të natës, kur një gjumë i rëndë bie mbi njerëzit,

4:14b.JOB.004.014 më pushtoi një llahtari e madhe dhe një rrëqethje që bëri të dridhen gjithë kockat e mia.

4:15b.JOB.004.015 Një frymë më kaloi përpara, dhe m'u ngritën përpjetë qimet e trupit.

4:16b.JOB.004.016 Ai u ndal, por nuk munda ta dalloj pamjen e tij; një figurë më rrinte para syve; kishte heshtje, pastaj dëgjova një zë që thoshte:

4:17b.JOB.004.017 "A mund të jetë një i vdekshëm më i drejtë se Perëndia? A mund të jetë një njeri më i pastër se Krijuesi i tij?

4:18b.JOB.004.018 Ja, ai nuk u zë besë as shërbëtorëve të tij, dhe gjen madje të meta edhe tek engjëjt e tij;

4:19b.JOB.004.019 aq më tepër tek ata që banojnë në shtëpi prej argjile, themelet e të cilave janë në pluhur, dhe shtypen si një tenjë.

4:20b.JOB.004.020 Nga mëngjesi deri në mbrëmje shkatërrohen; zhduken për fare, dhe asnjeri nuk i vë re.

4:21b.JOB.004.021 Litarin e çadrës së tyre vallë a nuk ua këpusin? Ata vdesin, por pa dituri"".

5

5:1b.JOB.005.001 "Bërtit, pra! A ka vallë ndonjë që të përgjigjet? Kujt prej shenjtorëve do t'i drejtohesh?

5:2b.JOB.005.002 Zemërimi në fakt e vret të pamendin dhe zilia e vret budallanë.

5:3b.JOB.005.003 E kam parë të pamendin të lëshojë rrënjë, por shumë shpejt e mallkova banesën e tij.

5:4b.JOB.005.004 Bijtë e tij nuk kanë asnjë siguri, janë të shtypur te porta, dhe nuk ka njeri që t'i mbrojë.

5:5b.JOB.005.005 I urituri përpin të korrat e tij, ia merr edhe sikur të jenë midis gjembave, dhe një lak përpin pasurinë e tij.

5:6b.JOB.005.006 Sepse shpirtligësia nuk del nga pluhuri dhe mundimi nuk mbin nga toka;

5:7b.JOB.005.007 por njeriu lind për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t'u ngjitur lart.

5:8b.JOB.005.008 Por unë do të kërkoja Perëndinë, dhe Perëndisë do t'i besoja çështjen time,

5:9b.JOB.005.009 atij që bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të njihen; mrekulli të panumërta,

5:10b.JOB.005.010 që i jep shiun tokës dhe dërgon ujin në fushat;

5:11b.JOB.005.011 që ngre të varfrit dhe vë në siguri lart ata që vuajnë.

5:12b.JOB.005.012 I bën të kota synimet e dinakëve, dhe kështu duart e tyre nuk mund të realizojnë planet e tyre;

5:13b.JOB.005.013 i merr të urtët në dredhinë e tyre, dhe kështu këshilla e të pandershmëve shpejt bëhet tym.

5:14b.JOB.005.014 Gjatë ditës ata hasin në errësirë, bash në mesditë ecin me tahmin sikur të ishte natë;

5:15b.JOB.005.015 por Perëndia e shpëton nevojtarin nga shpata, nga goja e të fuqishmëve dhe nga duart e tyre.

5:16b.JOB.005.016 Kështu ka shpresë për të mjerin, por padrejtësia ia mbyll gojën atij.

5:17b.JOB.005.017 Ja, lum njeriu që Perëndia dënon; prandaj ti mos e përbuz ndëshkimin e të Plotfuqishmit;

5:18b.JOB.005.018 sepse ai e bën plagën, dhe pastaj e fashon, plagos, por duart e tij shërojnë.

5:19b.JOB.005.019 Nga gjashtë fatkeqësi ai do të të çlirojë, po, në të shtatën e keqja nuk do të të prekë.

5:20b.JOB.005.020 Në kohë zie do të të shpëtojë nga vdekja, në kohë lufte nga forca e shpatës.

5:21b.JOB.005.021 Do t'i shpëtosh fshikullit të gjuhës, nuk do të trembesh kur të vijë shkatërrimi.

5:22b.JOB.005.022 Do të qeshësh me shkatërrimin dhe me zinë, dhe nuk do të kesh frikë nga bishat e dheut;

5:23b.JOB.005.023 sepse do të kesh një besëlidhje me gurët e dheut, dhe kafshët e fushave do të jenë në paqe me ty.

5:24b.JOB.005.024 Do të dish që çadra jote është e siguruar; do të vizitosh kullotat e tua dhe do të shikosh që nuk mungon asgjë.

5:25b.JOB.005.025 Do të kuptosh që pasardhësit e tu janë të shumtë dhe të vegjlit e tu si bari i fushave.

5:26b.JOB.005.026 Do të zbresësh në varr në moshë të shkuar, ashtu si në stinën e vet mblidhet një tog duajsh.

5:27b.JOB.005.027 Ja ç'kemi gjetur; kështu është. Dëgjoje dhe përfito".

6

6:1b.JOB.006.001 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

6:2b.JOB.006.002 "Ah, sikur dhembja ime të ishte peshuar tërësisht, dhe fatkeqësia ime të vihej bashkë mbi peshoren,

6:3b.JOB.006.003 do të ishte me siguri më e rëndë se rëra e detit! Për këtë arsye fjalët e mia nuk u përfillën.

6:4b.JOB.006.004 Duke qenë se shigjetat e të Plotfuqishmit janë brenda meje, shpirti im ua pi vrerin; tmerrete Perëndisë janë renditur kundër meje.

6:5b.JOB.006.005 Gomari i egër a pëllet vallë përpara barit, ose kau a buluron para forazhit të tij?

6:6b.JOB.006.006 A hahet vallë një ushqim i amësht pa kripë, apo ka ndonjë farë shije në të bardhën e vezës?

6:7b.JOB.006.007 Shpirti im nuk pranon të prekë gjëra të tilla, ato për mua janë si një ushqim i neveritshëm.

6:8b.JOB.006.008 Ah sikur të mund të kisha atë që kërkoj, dhe Perëndia të më jepte atë që shpresoj!

6:9b.JOB.006.009 Dashtë Perëndia të më shtypë, të shtrijë dorën e tij dhe të më shkatërrojë!

6:10b.JOB.006.010 Kam megjithatë këtë ngushëllim dhe ngazëllehem në dhembjet që nuk po më kursehen, sepse nuk i kam fshehur fjalët e të Shenjtit.

6:11b.JOB.006.011 Cila është forca ime që ende të mund të shpresoj, dhe cili është fundi im që të mund ta zgjas jetën time?

6:12b.JOB.006.012 Forca ime a është vallë ajo e gurëve, ose mishi im është prej bronzi?

6:13b.JOB.006.013 A s'jam fare pa ndihmë në veten time, dhe a nuk është larguar nga unë dituria?

6:14b.JOB.006.014 Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit.

6:15b.JOB.006.015 Por vëllezërit e mi më kanë zhgënjyer si një përrua, si ujërat e përrenjve që zhduken.

6:16b.JOB.006.016 Ato turbullohen për shkak të akullit dhe në to fshihet bora,

6:17b.JOB.006.017 por gjatë stinës së nxehtë ato zhduken; me vapën e verës ato nuk duken më në vendin e tyre.

6:18b.JOB.006.018 Ato gjarpërojnë në shtigjet e shtretërve të tyre; futen në shketëtirë dhe mbarojnë.

6:19b.JOB.006.019 Karvanet e Temas i kërkojnë me kujdes, udhëtarët e Shebës kanë shpresa tek ata,

6:20b.JOB.006.020 por ata mbeten të zhgënjyer megjithë shpresat e tyre; kur arrijnë aty mbeten të hutuar.

6:21b.JOB.006.021 Tani për mua ju jeni e njëjta gjë, shikoni tronditjen time të thellë dhe keni frikë.

6:22b.JOB.006.022 A ju kam thënë vallë: "Më jepni diçka" o "më bëni një dhuratë nga pasuria juaj",

6:23b.JOB.006.023 ose "liromëni nga duart e armikut", ose "më shpengoni nga duart e personave që përdorin dhunën"?

6:24b.JOB.006.024 Më udhëzoni, dhe do të hesht; më bëni të kuptoj ku kam gabuar.

6:25b.JOB.006.025 Sa të frytshme janë fjalët e drejta! Por çfarë provojnë argumentet tuaja?

6:26b.JOB.006.026 Mos keni ndërmend vallë të qortoni ashpër fjalët e mia dhe fjalimet e një të dëshpëruari, që janë si era?

6:27b.JOB.006.027 Ju do të hidhnit në short edhe një jetim dhe do të hapnit një gropë për mikun tuaj.

6:28b.JOB.006.028 Por tani pranoni të më shikoni, sepse nuk do të gënjej para jush.

6:29b.JOB.006.029 Ndërroni mendim, ju lutem, që të mos bëhet padrejtësi! Po, ndërroni mendim, sepse bëhet fjalë për drejtësinë time.

6:30b.JOB.006.030 A ka vallë paudhësi në gjuhën time apo qiellza ime nuk i dallon më ligësitë?".

7

7:1b.JOB.007.001 "A nuk kryen vallë një punë të rëndë njeriu mbi tokë dhe ditët e tij a nuk janë si ditët e një argati?

7:2b.JOB.007.002 Ashtu si skllavi dëshiron fort hijen dhe ashtu si argati pret mëditjen e tij,

7:3b.JOB.007.003 kështu edhe mua më ranë muaj fatkeqësie dhe m'u caktuan net me dhembje.

7:4b.JOB.007.004 Sa shtrihem, them: "Kur do të ngrihem?". Por nata është e gjatë dhe jam vazhdimisht i shqetësuar deri në agim.

7:5b.JOB.007.005 Mishi im është i mbuluar me krimba dhe me buca dheu, lëkura ime plasaritet dhe është bërë e pështirë.

7:6b.JOB.007.006 Ditët e mia janë më të shpejta se masuri i një endësi dhe po harxhohen pa shpresë.

7:7b.JOB.007.007 Kujto që jeta ime është një frymë; syri im nuk do të shohë më të mirën.

7:8b.JOB.007.008 Syri i atij që më shikon nuk do të më shohë më; sytë e tu do të jenë mbi mua, por unë nuk do të jem më.

7:9b.JOB.007.009 Ashtu si reja davaritet dhe nuk duket më, kështu ai që zbret në Sheol nuk kthehet më;

7:10b.JOB.007.010 nuk do të kthehet më në shtëpinë e tij, dhe banesa e tij nuk do ta njohë më.

7:11b.JOB.007.011 Prandaj nuk do ta mbaj gojën të mbyllur do të flas në ankthin e frymës time; do të ankohem në hidhërimin e shpirtit tim.

7:12b.JOB.007.012 A jam vallë deti apo një përbindësh i detit që ti më ruan me një roje?

7:13b.JOB.007.013 Kur unë them: "Shtrati im do të më japë një lehtësim, shtroja ime do ta zbusë dhembjen time",

7:14b.JOB.007.014 ti më tremb me ëndrra dhe më tmerron me vegime;

7:15b.JOB.007.015 kështu shpirtit tim i parapëlqen të mbytet dhe të vdesë se sa të bëjë këtë jetë.

7:16b.JOB.007.016 Unë po shpërbëhem; nuk kam për të jetuar gjithnjë; lërmë të qetë; ditët e mia nuk janë veçse një frymë.

7:17b.JOB.007.017 Ç'është njeriu që ti ta bësh të madh dhe të kujdesesh për të,

7:18b.JOB.007.018 dhe ta vizitosh çdo mëngjes duke e vënë në provë në çdo çast?

7:19b.JOB.007.019 Kur do ta heqësh shikimin tënd nga unë dhe do të më lësh të përcjell pështymën time?

7:20b.JOB.007.020 Në rast se kam mëkatuar, çfarë të kam bërë ty, o rojtar i njerëzve? Pse më ke bërë objekt të goditjeve të tua, aq sa i jam bërë barrë vetes sime?

7:21b.JOB.007.021 Pse nuk i fal shkeljet e mia dhe nuk e kapërcen paudhësinë time? Sepse shpejt do të jem pluhur; ti do të më kërkosh, por unë nuk do të jem më".

8

8:1b.JOB.008.001 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:

8:2b.JOB.008.002 "Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme?

8:3b.JOB.008.003 A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë?

8:4b.JOB.008.004 Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre.

8:5b.JOB.008.005 Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit,

8:6b.JOB.008.006 në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate.

8:7b.JOB.008.007 Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël,

8:8b.JOB.008.008 e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre;

8:9b.JOB.008.009 ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije.

8:10b.JOB.008.010 A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre?

8:11b.JOB.008.011 A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë?

8:12b.JOB.008.012 Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër.

8:13b.JOB.008.013 Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet.

8:14b.JOB.008.014 Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange.

8:15b.JOB.008.015 Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban.

8:16b.JOB.008.016 Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij;

8:17b.JOB.008.017 dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë.

8:18b.JOB.008.018 Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: "Nuk të kam parë kurrë!".

8:19b.JOB.008.019 Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri.

8:20b.JOB.008.020 Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit.

8:21b.JOB.008.021 Ai do t'i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua.

8:22b.JOB.008.022 Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket".

9

9:1b.JOB.009.001 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

9:2b.JOB.009.002 "Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?

9:3b.JOB.009.003 Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t'i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë.

9:4b.JOB.009.004 Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë?

9:5b.JOB.009.005 Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij.

9:6b.JOB.009.006 Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen.

9:7b.JOB.009.007 Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet.

9:8b.JOB.009.008 I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit.

9:9b.JOB.009.009 Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut.

9:10b.JOB.009.010 Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta.

9:11b.JOB.009.011 Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj.

9:12b.JOB.009.012 Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t'ia rimarrë? Kush mund t'i thotë: "Çfarë po bën?".

9:13b.JOB.009.013 Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit.

9:14b.JOB.009.014 Si mund t'i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të?

9:15b.JOB.009.015 Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t'i përgjigjem, por do t'i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim.

9:16b.JOB.009.016 Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim,

9:17b.JOB.009.017 ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak.

9:18b.JOB.009.018 Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime.

9:19b.JOB.009.019 Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t'u paraqitur?

9:20b.JOB.009.020 Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur.

9:21b.JOB.009.021 Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time.

9:22b.JOB.009.022 Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin".

9:23b.JOB.009.023 Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve.

9:24b.JOB.009.024 Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra?

9:25b.JOB.009.025 Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë.

9:26b.JOB.009.026 Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet.

9:27b.JOB.009.027 Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar",

9:28b.JOB.009.028 më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm.

9:29b.JOB.009.029 Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot?

9:30b.JOB.009.030 Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë,

9:31b.JOB.009.031 ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri.

9:32b.JOB.009.032 Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t'i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë.

9:33b.JOB.009.033 Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy.

9:34b.JOB.009.034 Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë.

9:35b.JOB.009.035 Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.

10

10:1b.JOB.010.001 "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!

10:2b.JOB.010.002 Do t'i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua.

10:3b.JOB.010.003 A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij?

10:4b.JOB.010.004 A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu?

10:5b.JOB.010.005 A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu,

10:6b.JOB.010.006 sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim,

10:7b.JOB.010.007 megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote?

10:8b.JOB.010.008 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh.

10:9b.JOB.010.009 Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur!

10:10b.JOB.010.010 A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi?

10:11b.JOB.010.011 Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva.

10:12b.JOB.010.012 Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe providenca jote është kujdesur për frymën time,

10:13b.JOB.010.013 por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë.

10:14b.JOB.010.014 Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim.

10:15b.JOB.010.015 Në qoftë se jam i keq, mjerë unë! Edhe sikur të jem i drejtë, nuk do të guxoja të ngrija kokën, i ngopur siç jam nga poshtërsia dhe duke parë mjerimin tim.

10:16b.JOB.010.016 Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje.

10:17b.JOB.010.017 Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë.

10:18b.JOB.010.018 Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu!

10:19b.JOB.010.019 Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr.

10:20b.JOB.010.020 A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten;

10:21b.JOB.010.021 para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes,

10:22b.JOB.010.022 të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira".

11

11:1b.JOB.011.001 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:

11:2b.JOB.011.002 "Një mori e tillë fjalësh a do të mbetet pa përgjigje? A duhet të ketë të drejtë një njeri fjalëshumë?

11:3b.JOB.011.003 Llafet e tua a do t'ua mbyllin gojën njerëzve? Ti do të tallesh dhe asnjë mos të të bëjë me turp?

11:4b.JOB.011.004 Ti ke thënë: "Doktrina ime është e pastër dhe jam i pakritikueshëm para teje".

11:5b.JOB.011.005 Por po të donte Perëndia të fliste dhe të hapte gojën e tij kundër teje,

11:6b.JOB.011.006 për të treguar të fshehtat e diturisë, sepse dituria e vërtetë është e shumëtrajtshme, atëherë do të mësoje se Perëndia harron një pjesë të fajit tënd.

11:7b.JOB.011.007 A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit?

11:8b.JOB.011.008 Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish?

11:9b.JOB.011.009 Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti.

11:10b.JOB.011.010 Në rast se Perëndia kalon, burgos dhe nxjerr në gjyq, kush mund t'ia pengojë këtë veprim?

11:11b.JOB.011.011 Sepse ai i njeh njerëzit e rremë; e sheh padrejtësinë dhe e kqyr.

11:12b.JOB.011.012 Njeriu i pamend do të bëhet i urtë, kur kërriçi i gomares së egër të bëhet njeri.

11:13b.JOB.011.013 Në rast se e përgatit zemrën tënde dhe shtrin ndaj saj duart e tua,

11:14b.JOB.011.014 në rast se largon padrejtësinë që është në duart e tua dhe nuk lejon që çoroditja të zërë vend në çadrat e tua,

11:15b.JOB.011.015 atëherë do të mund të lartosh ballin tënd pa njollë, do të jesh i patundur dhe nuk do të kesh frikë,

11:16b.JOB.011.016 sepse do të harrosh hallet e tua, do t'i kujtosh si uji që ka rrjedhur;

11:17b.JOB.011.017 jeta jote do të jetë më e ndritur se mesdita, edhe errësira për ty do të ishte si mëngjesi.

11:18b.JOB.011.018 Do të jesh i sigurt sepse ka shpresë; do të shikosh rreth e qark dhe do të pushosh në siguri.

11:19b.JOB.011.019 Do të biesh të flesh dhe nuk do të ketë njeri që të të trembë dhe shumë persona do të kërkojnë favorin tënd.

11:20b.JOB.011.020 Por sytë e të pabesëve do të treten; çdo shpëtim do t'u pritet, dhe shpresa e tyre do të jetë grahma e fundit".

12

12:1b.JOB.012.001 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

12:2b.JOB.012.002 "Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju.

12:3b.JOB.012.003 Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto?

12:4b.JOB.012.004 Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë.

12:5b.JOB.012.005 Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët.

12:6b.JOB.012.006 Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre.

12:7b.JOB.012.007 Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë,

12:8b.JOB.012.008 ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë.

12:9b.JOB.012.009 Midis tërë këtyre krijesave, cila nuk e di që dora e Zotit i ka bërë këto?

12:10b.JOB.012.010 Ai ka në dorë të tij jetën e çdo gjallese dhe frymën e çdo qenieje njerëzore.

12:11b.JOB.012.011 Veshi a nuk i shqyrton vallë fjalët, ashtu si i shijon qiellza ushqimet?

12:12b.JOB.012.012 Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin.

12:13b.JOB.012.013 Por tek ai gjejmë diturinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi.

12:14b.JOB.012.014 Në rast se ai shkatërron, askush nuk mund të rindërtojë; në rast se fut në burg dikë, askush nuk mund t'ia hapë.

12:15b.JOB.012.015 Në rast se i ndal ujërat, çdo gjë thahet; po t'i lërë të lira, përmbytin tokën.

12:16b.JOB.012.016 Ai zotëron forcën dhe diturinë; prej tij varen ai që mashtrohet dhe ai që mashtron.

12:17b.JOB.012.017 Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend.

12:18b.JOB.012.018 Këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me zinxhirë ijet e tyre.

12:19b.JOB.012.019 I bën që të ecin zbathur priftërinjtë dhe përmbys të fuqishmit.

12:20b.JOB.012.020 I lë pa gojë ata tek të cilët ka besim dhe i lë pa mend pleqtë.

12:21b.JOB.012.021 Zbraz përçmimin mbi fisnikët dhe ua liron brezin të fortëve.

12:22b.JOB.012.022 Zbulon gjërat e thella të fshehura në terr dhe sjell në dritë hijen e vdekjes.

12:23b.JOB.012.023 I bën të mëdha kombet dhe pastaj i shkatërron, i zgjeron kombet dhe pastaj i mërgon.

12:24b.JOB.012.024 U heq arsyen sundimtarëve të tokës dhe i bën të enden në vende të shkreta pa rrugë.

12:25b.JOB.012.025 Ecin verbërisht në terr pa dritë dhe i bën të ecin si të dehur".

13

13:1b.JOB.013.001 "Ja, tërë këtë syri im e pa dhe veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi.

13:2b.JOB.013.002 Atë që ju dini e di edhe unë; nuk vij pas jush.

13:3b.JOB.013.003 Por do të dëshiroja të flas me të Plotfuqishmin, do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë;

13:4b.JOB.013.004 sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë.

13:5b.JOB.013.005 Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte dituria juaj.

13:6b.JOB.013.006 Dëgjoni tani mbrojtjen time dhe vini re deklaratat e buzëve të mia.

13:7b.JOB.013.007 A doni vallë të flisni në mënyrë të mbrapshtë në mbrotje të Perëndisë dhe të flisni në favor të tij me mashtrime?

13:8b.JOB.013.008 A doni të përdorni anësi me të ose të mbroni një kauzë të Perëndisë?

13:9b.JOB.013.009 Do të ishte më mirë për ju që ai t'ju hetonte, apo talleni me të ashtu si talleni me një njeri?

13:10b.JOB.013.010 Me siguri ai do t'ju qortojë, në rast se fshehurazi veproni me anësi.

13:11b.JOB.013.011 Madhëria e tij vallë a nuk do t'ju kallë frikë dhe tmerri i tij a nuk do të bjerë mbi ju?

13:12b.JOB.013.012 Thëniet tuaja moralizuese janë proverba prej hiri, argumentet tuaja më të mira nuk janë veçse argumente prej argjila.

13:13b.JOB.013.013 Heshtni dhe më lini mua të flas, pastaj le të më ndodhë çfarë të dojë.

13:14b.JOB.013.014 Pse duhet ta mbaj mishin tim me dhëmbët dhe ta vë jetën time në duart e mia?

13:15b.JOB.013.015 Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë; sidoqoftë, do ta mbroj para tij qëndrimin tim.

13:16b.JOB.013.016 Ai do të jetë edhe shpëtimi im, sepse një i pabesë nuk do të guxonte të paraqitej para tij.

13:17b.JOB.013.017 Dëgjoni me vëmendje fjalimin tim dhe deklaratat e mia me veshët tuaj.

13:18b.JOB.013.018 Ja, unë e kam përgatitur kauzën time; e di që do të njihem si i drejtë.

13:19b.JOB.013.019 Kush kërkon, pra, të hahet me mua? Sepse atëherë do të heshtja dhe do të vdisja.

13:20b.JOB.013.020 Vetëm mos bëj dy gjëra me mua, dhe nuk do t'i fshihem pranisë sate;

13:21b.JOB.013.021 largoje dorën nga unë dhe tmerri yt të mos më kallë më frikë.

13:22b.JOB.013.022 Pastaj mund edhe të më thërrasësh edhe unë do të përgjigjem, ose do të flas unë, dhe ti do të përgjigjesh.

13:23b.JOB.013.023 Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia? Më bëj të ditur shkeljet e mia dhe mëkatin tim!

13:24b.JOB.013.024 Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd?

13:25b.JOB.013.025 Mos do vallë të trembësh një gjethe të shtyrë sa andej dhe këndej dhe të ndjekësh ca kashtë të thatë?

13:26b.JOB.013.026 Pse shkruan kundër meje gjëra të hidhura dhe bën që të rëndojë mbi mua trashëgimia e fajeve të rinisë sime?

13:27b.JOB.013.027 Ti i vë këmbët e mia në pranga dhe kqyr me kujdes rrugët e mia; ti vendos një cak për tabanin e këmbëve të mia,

13:28b.JOB.013.028 Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola".

14

14:1b.JOB.014.001 "Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.

14:2b.JOB.014.002 Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.

14:3b.JOB.014.003 Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty.

14:4b.JOB.014.004 Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.

14:5b.JOB.014.005 Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t'i kapërcejë.

14:6b.JOB.014.006 Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat.

14:7b.JOB.014.007 Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë.

14:8b.JOB.014.008 Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe,

14:9b.JOB.014.009 me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë.

14:10b.JOB.014.010 Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra?

14:11b.JOB.014.011 Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet,

14:12b.JOB.014.012 por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij.

14:13b.JOB.014.013 Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje!

14:14b.JOB.014.014 Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim.

14:15b.JOB.014.015 Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.

14:16b.JOB.014.016 Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia;

14:17b.JOB.014.017 do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim.

14:18b.JOB.014.018 Por ashtu si një mal rrëzohet dhe thërrmohet, ashtu si një shkëmb luan nga vendi i tij,

14:19b.JOB.014.019 ashtu si ujërat gërryejnë gurët dhe vërshimet marrin me vete dheun, kështu ti shkatërron shpresën e njeriut.

14:20b.JOB.014.020 Ti e vë përfund për gjithnjë, dhe ai shkon; ti ia prish fytyrën dhe e dëbon.

14:21b.JOB.014.021 Në rast se bijtë e tij janë të nderuar, ai nuk e di; po të jenë të përbuzur, ai nuk e vë re.

14:22b.JOB.014.022 Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij.

15

15:1b.JOB.015.001 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

15:2b.JOB.015.002 "Një njeri i urtë a përgjigjet vallë me njohuri të kota, dhe a mbushet me erëra lindore?

15:3b.JOB.015.003 Diskuton vallë me ligjërata boshe dhe me fjalë që nuk shërbejnë për asgjë?

15:4b.JOB.015.004 Po, ti heq mëshirën dhe eliminon lutjen përpara Perëndisë.

15:5b.JOB.015.005 Sepse prapësia jote t'i sugjeron fjalët dhe ti po zgjedh gjuhën e dinakëve.

15:6b.JOB.015.006 Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje.

15:7b.JOB.015.007 A je ti vallë i pari njeri që ka lindur apo je formuar përpara kodrave?

15:8b.JOB.015.008 A e ke dëgjuar ti këshillën sekrete të Perëndisë apo vetëm ti zotëroke diturinë?

15:9b.JOB.015.009 Çfarë di ti që ne nuk e dimë, ose çfarë kupton ti që nuk e kuptojmë edhe ne?

15:10b.JOB.015.010 Midis nesh ka njerëz flokëbardhë dhe pleq më të thinjur se ati yt.

15:11b.JOB.015.011 Të duken gjëra të vogla përdëllimet e Perëndisë dhe fjalët e ëmbla që të drejton ty?

15:12b.JOB.015.012 Pse, pra, zemra jote të çon larg dhe pse sytë e tu vetëtijnë,

15:13b.JOB.015.013 duke e drejtuar zemërimin tënd kundër Perëndisë dhe duke nxjerrë nga goja jote fjalë të tilla?".

15:14b.JOB.015.014 "Ç'është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë?

15:15b.JOB.015.015 Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij;

15:16b.JOB.015.016 aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë!

15:17b.JOB.015.017 Dua të të flas, më dëgjo; do të të tregoj atë që kam parë,

15:18b.JOB.015.018 atë që të urtit tregojnë pa fshehur asgjë nga sa kanë dëgjuar prej etërve të tyre,

15:19b.JOB.015.019 të cilëve vetëm iu dha ky vend dhe pa praninë e asnjë të huaji në radhët e tyre.

15:20b.JOB.015.020 I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara.

15:21b.JOB.015.021 Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi.

15:22b.JOB.015.022 Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret.

15:23b.JOB.015.023 Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij.

15:24b.JOB.015.024 Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë,

15:25b.JOB.015.025 sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin,

15:26b.JOB.015.026 duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza.

15:27b.JOB.015.027 Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijet e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt;

15:28b.JOB.015.028 ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash.

15:29b.JOB.015.029 Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë.

15:30b.JOB.015.030 Nuk do të arrijë të çlirohet nga terri, flaka do të thajë lastarët e tij, dhe do të çohet larg nga fryma e gojës së tij.

15:31b.JOB.015.031 Të mos mbështetet te kotësia; duke gënjyer veten, sepse kotësia ka për të qenë shpërblimi i tij.

15:32b.JOB.015.032 Do të kryhet para kohe, dhe degët e tij nuk do të gjelbërojnë më.

15:33b.JOB.015.033 Do të jetë si një hardhi nga e cila merret rrushi ende i papjekur, si ulliri nga i cili shkundet lulja.

15:34b.JOB.015.034 Sepse familja e hipokritëve do të jetë shterpë dhe zjarri do të përpijë çadrat e njeriut të korruptuar.

15:35b.JOB.015.035 Ata sajojnë paudhësinë dhe shkaktojnë shkatërrimin; në gjirin e tyre bluhet mashtrimi.

16

16:1b.JOB.016.001 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

16:2b.JOB.016.002 "Gjëra të tilla kam dëgjuar shumë! Të gjithë ju jeni ngushëllues të mërzitshëm!

16:3b.JOB.016.003 Kur do të marrin fund fjalimet tuaja boshe? Ose çfarë të shtyn të përgjigjesh?

16:4b.JOB.016.004 Edhe unë mund të flisja si ju, po të ishit ju në vendin tim; do të mund të radhitja fjalë kundër jush duke tundur kokën time kundër jush.

16:5b.JOB.016.005 Por do t'ju jepja kurajo me gojën time dhe ngushëllimi i buzëve të mia do ta lehtësonte dhembjen tuaj.

16:6b.JOB.016.006 Në rast se flas, dhembja ime nuk pakësohet, në qoftë se nuk flas më, çfarë lehtësimi kam?

16:7b.JOB.016.007 Por tani ai më ka çuar në pikën e fundit të forcave të mia. Ti ke shkatërruar tërë familjen time;

16:8b.JOB.016.008 më ke mbuluar me rrudha dhe kjo dëshmon kundër meje, dobësia ime ngrihet dhe dëshmon kundër meje.

16:9b.JOB.016.009 Zemërimi i tij më grin dhe më përndjek, kërcëllin dhëmbët kundër meje; Armiku im mpreh shikimin mbi mua.

16:10b.JOB.016.010 Duke hapur gojën e tyre kundër meje, ata më godasin me përçmim mbi faqet, mblidhen tok kundër meje.

16:11b.JOB.016.011 Perëndia më ka dhënë në duart e të pabesëve, më ka dorëzuar në duart e njerëzve të këqij.

16:12b.JOB.016.012 Jetoja i qetë, por ai më shkatërroi, më kapi për qafe dhe më bëri copë-copë, dhe më shndërroi në objekt goditjeje.

16:13b.JOB.016.013 Harkëtarët e tij më rrethojnë në çdo anë, më shpon pa mëshirë veshkat, derdh për tokë vrerin tim.

16:14b.JOB.016.014 Ai më sulmon vazhdimisht me forcë, më sulet si një luftëtar.

16:15b.JOB.016.015 kam qepur një grathore mbi lëkurën time, e kam ulur ballin tim në pluhur,

16:16b.JOB.016.016 Fytyra ime është e kuqe nga të qarat dhe mbi qepallat e mia po zë vend hija e vdekjes,

16:17b.JOB.016.017 megjithëse nuk ka asnjë dhunë në duart e mia, dhe lutja ime është e pastër.

16:18b.JOB.016.018 O tokë, mos e mbulo gjakun tim, dhe britma ime mos gjeftë asnjë vend qetësimi.

16:19b.JOB.016.019 Që tani, ja, dëshmitari im është në qiell, garanti im është lart.

16:20b.JOB.016.020 Shokët e mi më përqeshin, por sytë e mi derdhin lotë përpara Perëndisë.

16:21b.JOB.016.021 Le të përkrahë ai arsyetimet e njeriut pranë Perëndisë, ashtu si bën njeriu me fqinjin e tij.

16:22b.JOB.016.022 Do të kalojnë në të vërtetë edhe pak vjet akoma dhe unë do të shkoj pastaj në një rrugë pa kthim.

17

17:1b.JOB.017.001 "Fryma ime u copëtua, ditët po më shuhen, varri po më pret.

17:2b.JOB.017.002 A nuk jam i rrethuar nga njerëz që më përqeshin. Syri im ndalet mbi fyerjet e tyre.

17:3b.JOB.017.003 Më jep, pra, një peng pranë teje, përndryshe kush do të më shtrëngonte dorën si garant?

17:4b.JOB.017.004 Nga që i ke penguar mendjet e tyre të kuptojnë, prandaj nuk do t'i bësh të triumfojnë.

17:5b.JOB.017.005 Kush i tradhton miqtë deri sa t'i grabisë, ka për t'i parë më pak sytë e fëmijëve të tij.

17:6b.JOB.017.006 Por unë prej tij jam bërë gazi i popujve dhe jam katandisur në një njeri të cilin e pështyjnë në fytyrë.

17:7b.JOB.017.007 Syri më erret për shkak të dhembjes dhe tërë gjymtyrët e mia nuk janë veçse hije.

17:8b.JOB.017.008 Njerëzit e drejtë habiten nga kjo, dhe i pafajmi ngrihet kundër të pabesit.

17:9b.JOB.017.009 Megjithatë i drejti mbetet i lidhur fort me rrugën e tij, dhe ai që i ka duart e pastra fortësohet gjithnjë e më tepër.

17:10b.JOB.017.010 Sa për ju të gjithë, kthehuni, ejani, pra, sepse midis jush nuk po gjej asnjë njeri të urtë.

17:11b.JOB.017.011 Ditët e mia shkuan dhe planet e mia u prishën, pikërisht ato dëshira që unë ushqeja në zemër.

17:12b.JOB.017.012 Ata e ndërrojnë natën në ditë, "drita është afër", thonë, për shkak të errësirës.

17:13b.JOB.017.013 Në rast se e pres Sheolin si shtëpinë time në rast se e shtrij shtrojen time në terr,

17:14b.JOB.017.014 në rast se i them vendvarrit: "Ti je ati im", dhe krimbave: "Jeni nëna ime dhe motra ime",

17:15b.JOB.017.015 ku është, pra, shpresa ime? Kush mund të dallojë ndonjë shpresë për mua?

17:16b.JOB.017.016 A do të zbres vallë në portat e Sheolit, kur do të gjejmë bashkë prehje në pluhur?".

18

18:1b.JOB.018.001 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:

18:2b.JOB.018.002 "Kur do t'u japësh fund fjalëve? Bëhu i zgjuar dhe pastaj flasim.

18:3b.JOB.018.003 Pse jemi konsideruar si kafshë dhe jemi konsideruar të përçmuar në sytë e tu?

18:4b.JOB.018.004 Ti që ha veten nga zemërimi, a duhet të braktiset toka për shkakun tënd apo shkëmbi të luajë nga vendi i tij?

18:5b.JOB.018.005 Po, drita e të keqit shuhet dhe flaka e zjarrit të tij nuk ndrit më.

18:6b.JOB.018.006 Drita në çadrën e tij po meket dhe llamba e tij mbi të po shuhet.

18:7b.JOB.018.007 Hapat e tij të fuqishëm shkurtohen dhe vetë planet e tij po e çojnë në greminë.

18:8b.JOB.018.008 Sepse këmbët e tij e shtyjnë në rrjetë dhe ai do të bjerë në ndonjë lak.

18:9b.JOB.018.009 Një çark e kap nga thembra dhe një lak e mban fort.

18:10b.JOB.018.010 Për të ka një lak të fshehur në tokë dhe një çark të vënë në shteg.

18:11b.JOB.018.011 Gjëra të tmerrshme e trembin nga çdo anë dhe e ndjekin në çdo hap.

18:12b.JOB.018.012 Forca e tij pakësohet për shkak të urisë dhe shkatërrimi është gati ta godasë anash.

18:13b.JOB.018.013 Gëlltit copa të lëkurës së tij; i parëlinduri i vdekjes gllabëron gjymtyrët e tij.

18:14b.JOB.018.014 Atë e rrëmbejnë nga çadra tij që e dinte të sigurt dhe e çojnë para mbretit të tmerrit.

18:15b.JOB.018.015 Në çadrën e tij banon ai që nuk është nga të vetët, dhe mbi shtëpinë e tij hedhin squfur.

18:16b.JOB.018.016 Rrënjët poshtë thahen dhe degët lart priten.

18:17b.JOB.018.017 Kujtimi i tij zhduket nga toka dhe emri i tij nuk do të përmendet më nëpër rrugë.

18:18b.JOB.018.018 Ai shtyhet nga drita në terr dhe atë e përzënë nga bota.

18:19b.JOB.018.019 Nuk ka as bij, as pasardhës në popullin e tij dhe asnjë që të mbijetojë në banesën e tij.

18:20b.JOB.018.020 Fundi i tij i lë të habitur ata që e kanë ndjekur dhe mbeten të tmerruar ata që e kanë pararendur.

18:21b.JOB.018.021 Pikërisht kështu janë banesat e njerëzve të këqij, dhe ky është vendi i atij që nuk e njeh Perëndinë". Përgjigja e pestë e Jobit; ai e ndjen veten të përqeshur; gjithçka është kundër tij

19

19:1b.JOB.019.001 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

19:2b.JOB.019.002 "Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja?

19:3b.JOB.019.003 U bënë dhjetë herë që më përqeshni dhe nuk keni turp që më fyeni.

19:4b.JOB.019.004 Edhe sikur të ishte e vërtetë që kam gabuar, gabimi im më përket vetëm mua.

19:5b.JOB.019.005 Por në rast se doni pikërisht të bëheni kryelartë me mua duke më qortuar për objektin e turpit tim,

19:6b.JOB.019.006 mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetat e tij.

19:7b.JOB.019.007 Ja, unë bërtas: "Dhunë!", por nuk kam asnjë përgjigje; bërtas për ndihmë, por drejtësi nuk ka!

19:8b.JOB.019.008 Më ka prerë rrugën dhe kështu nuk mund të kaloj; përhapi terrin në rrugën time.

19:9b.JOB.019.009 Më ka zhveshur nga nderi im dhe më ka hequr nga koka kurorën.

19:10b.JOB.019.010 Më ka shkatërruar nga të gjitha anët dhe unë po shkoj; e ka shkulur si një dru shpresën time.

19:11b.JOB.019.011 Zemërimi i tij kundër meje është, ndezur dhe më konsideron si armik të tij.

19:12b.JOB.019.012 Ushtarët e tij kanë ardhur të gjithë së bashku dhe kanë ndërtuar rrugën e tyre kundër meje; kanë ngritur kampin e tyre rreth çadrës sime.

19:13b.JOB.019.013 Ai ka larguar nga unë vëllezërit e mi, dhe të njohurit e mi janë bërë plotësisht të huaj me mua.

19:14b.JOB.019.014 Farefisi im më ka braktisur dhe miqtë e mi të ngushtë më kanë harruar.

19:15b.JOB.019.015 Shërbëtorët dhe shërbëtoret e mi më trajtojnë si një njeri të huaj, në sytë e tyre jam një i huaj.

19:16b.JOB.019.016 Thërras shërbëtorin tim, por ai nuk përgjigjet; duhet t'i lutem me gojën time.

19:17b.JOB.019.017 Fryma ime është e neveritshme për gruan time, dhe jam i neveritshëm edhe për fëmijët e barkut tim.

19:18b.JOB.019.018 Edhe fëmijët më përçmojnë; në rast se provoj të ngrihem, flasin kundër meje.

19:19b.JOB.019.019 Tërë miqtë më të ngushtë kanë lemeri prej meje, edhe ata që doja janë ngritur kundër meje.

19:20b.JOB.019.020 Kockat e mia i ngjiten lëkurës sime dhe mishit tim dhe nuk më ka mbetur veç se lëkura e dhëmbëve.

19:21b.JOB.019.021 Mëshiromëni, mëshiromëni, të paktën ju, miqtë e mi, sepse dora e Perëndisë më ka goditur.

19:22b.JOB.019.022 Pse më persekutoni si bën Perëndia dhe nuk ngopeni kurrë me mishin tim?

19:23b.JOB.019.023 Ah sikur fjalët e mia të ishin të shkruara; ah sikur të kishin zënë vend në një libër;

19:24b.JOB.019.024 sikur të ishin të gdhendura përjetë mbi një shkëmb me një stil prej hekuri dhe me plumb!

19:25b.JOB.019.025 Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë.

19:26b.JOB.019.026 Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë.

19:27b.JOB.019.027 Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra.

19:28b.JOB.019.028 Në rast se thoni: "Pse e persekutojmë?"; kur rrënja e këtyre të këqijave ndodhet tek unë,

19:29b.JOB.019.029 ju druani për veten tuaj shpatën, sepse zemërimi sjell ndëshkimin e shpatës, me qëllim që të dini që ekziston një gjykim".

20

20:1b.JOB.020.001 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:

20:2b.JOB.020.002 "Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime.

20:3b.JOB.020.003 Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj.

20:4b.JOB.020.004 A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë,

20:5b.JOB.020.005 triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast?

20:6b.JOB.020.006 Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë,

20:7b.JOB.020.007 ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: "Ku është?".

20:8b.JOB.020.008 Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate.

20:9b.JOB.020.009 Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më.

20:10b.JOB.020.010 Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij.

20:11b.JOB.020.011 Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të.

20:12b.JOB.020.012 Edhe sikur e keqja të jetë e ëmbël në gojën e tij, ai e fsheh atë nën gjuhë,

20:13b.JOB.020.013 nuk lejon që të dalë që andej por vazhdon ta mbajë në gojë.

20:14b.JOB.020.014 Por ushqimi i tij, që është në zorrët e veta transformohet dhe bëhet një helm gjarpëri brenda tij.

20:15b.JOB.020.015 Ai do të vjellë pasuritë që ka gëlltitur; vetë Perëndia do t'ia nxjerrë nga barku.

20:16b.JOB.020.016 Ai ka thithur helm gjarpëri, gjuha e një nepërke do ta vrasë.

20:17b.JOB.020.017 Nuk ka për të parë më lumenj as përrenj që rrjedhin me mjaltë dhe gjalpë.

20:18b.JOB.020.018 Do të kthejë atë për të cilën është lodhur pa e vënë aspak në gojë; nuk do të ketë asnjë gëzim nga përfitimet e tregtisë së tij.

20:19b.JOB.020.019 Sepse ka shtypur dhe braktisur të varfrin, ka shtënë në dorë me forcë një shtëpi që nuk e kishte ndërtuar.

20:20b.JOB.020.020 Duke qenë se lakmia e tij nuk ka njohur kurrë qetësi, ai nuk do të shpëtojë asgjë nga gjërat që dëshironte aq shumë.

20:21b.JOB.020.021 Asgjë nuk do t'i shpëtojë pangopësisë së tij, prandaj mirëqënia e tij nuk do të zgjasë.

20:22b.JOB.020.022 Kur të jetë në kulmin e bollëkut do të gjendet ngushtë; dora e të gjithë atyre që vuajnë do të ngrihet kundër tij.

20:23b.JOB.020.023 Kur të jetë bërë gati për të mbushur barkun, Perëndia do të dërgojë mbi të zjarrin e zemërimit të tij, që do të bjerë mbi të kur të jetë duke ngrënë.

20:24b.JOB.020.024 Ai mund të shpëtojë nga një armë prej hekuri, por atë do ta shpojë një hark prej bronzi.

20:25b.JOB.020.025 Nxirret shigjeta që del nga trupi i tij, maja e shndritshme del nga vreri i tij, atë e pushton tmerri.

20:26b.JOB.020.026 Errësirë e plotë është caktuar për thesaret e tij; do ta konsumojë një zjarr jo i nxitur; ata që kanë mbetur në çadrën e tij do të jenë në ankth.

20:27b.JOB.020.027 Qielli do të zbulojë paudhësinë e tij dhe toka do të ngrihet kundër tij.

20:28b.JOB.020.028 Të ardhurat e shtëpisë së tij do t'i merren, do t'i marrin në ditën e zemërimit të tij.

20:29b.JOB.020.029 Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia.

21

21:1b.JOB.021.001 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

21:2b.JOB.021.002 "Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni.

21:3b.JOB.021.003 Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua.

21:4b.JOB.021.004 A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet?

21:5b.JOB.021.005 Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë.

21:6b.JOB.021.006 Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet.

21:7b.JOB.021.007 Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre?

21:8b.JOB.021.008 Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre.

21:9b.JOB.021.009 Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta.

21:10b.JOB.021.010 Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar.

21:11b.JOB.021.011 Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle.

21:12b.JOB.021.012 Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit.

21:13b.JOB.021.013 I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol.

21:14b.JOB.021.014 Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua.

21:15b.JOB.021.015 Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t'i shërbejmë? Ç'përfitojmë veç kësaj kur e lusim?".

21:16b.JOB.021.016 Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje.

21:17b.JOB.021.017 Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij?

21:18b.JOB.021.018 A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia?

21:19b.JOB.021.019 Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë.

21:20b.JOB.021.020 Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit!

21:21b.JOB.021.021 Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur?

21:22b.JOB.021.022 A mundet ndokush t'i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart?

21:23b.JOB.021.023 Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt;

21:24b.JOB.021.024 ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët.

21:25b.JOB.021.025 Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën.

21:26b.JOB.021.026 Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë.

21:27b.JOB.021.027 Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje.

21:28b.JOB.021.028 Në fakt ju thoni: "Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?".

21:29b.JOB.021.029 Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre?

21:30b.JOB.021.030 Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit.

21:31b.JOB.021.031 Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë?

21:32b.JOB.021.032 Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij.

21:33b.JOB.021.033 Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para.

21:34b.JOB.021.034 Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?".

22

22:1b.JOB.022.001 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

22:2b.JOB.022.002 "A mundet vallë njeriu t'i sigurojë ndonjë përfitim Perëndisë? Me siguri i urti i sjell të mirë vetvetes.

22:3b.JOB.022.003 Çfarë kënaqësie ka prej saj i Plotfuqishmi, në rast se ti je i drejtë, ose çfarë përfitimi ka në qoftë se ti ke një sjellje të ndershme?

22:4b.JOB.022.004 Mos vallë nga frika që ka prej teje ai ndëshkon dhe hyn në gjyq me ty?

22:5b.JOB.022.005 Apo ka gjasë më shumë se kjo ka si shkak ligësinë tënde të madhe dhe fajet e tua të shumta?

22:6b.JOB.022.006 Pa arsye në fakt ti merrje pengje nga vëllezërit e tu dhe i zhvishje të zhveshurit nga rrobat e tyre.

22:7b.JOB.022.007 Nuk i jepje ujë të lodhurit dhe i refuzoje bukën të uriturit.

22:8b.JOB.022.008 Toka i përkiste njeriut të fuqishëm dhe banonte në të njeriu i nderuar.

22:9b.JOB.022.009 E ktheje gruan e ve me duar bosh, dhe krahët e jetimëve ishin të këputur.

22:10b.JOB.022.010 Ja pse je rrethuar kudo nga leqe dhe drithma të papritura të turbullojnë,

22:11b.JOB.022.011 ose një errësirë nuk të lejon të shikosh dhe një vërshim uji të përmbyt.

22:12b.JOB.022.012 A nuk është Perëndia lart në qiejt? Shiko yjet e larta, sa lart ndodhen!

22:13b.JOB.022.013 Dhe ti thua: "Çfarë di Perëndia? A mund të gjykojë nëpërmjet territ të dendur?

22:14b.JOB.022.014 Re të dendura e mbulojnë dhe kështu nuk mund të shikojë, dhe shëtit mbi kupën e qiejve".

22:15b.JOB.022.015 A dëshiron ti të ndjekësh rrugën e lashtë të përshkruar prej kohe nga njerëzit e këqij,

22:16b.JOB.022.016 që e çuan larg para kohe, dhe themelin e të cilëve e mori një lum që vërshonte?

22:17b.JOB.022.017 Ata i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne! Çfarë mund të na bëjë i Plotfuqishmi?".

22:18b.JOB.022.018 Megjithatë Perëndia ua kishte mbushur shtëpitë me të mira. Por unë u rri larg këshillave të të pabesëve.

22:19b.JOB.022.019 Të drejtët e shohin këtë dhe gëzohen, dhe i pafajmi tallet me ta;

22:20b.JOB.022.020 po, me siguri, armiqtë tanë po shkatërrohen, dhe zjarri po përpin atë që mbetet.

22:21b.JOB.022.021 Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqënie.

22:22b.JOB.022.022 Prano udhëzime nga goja e tij dhe shtjeri fjalët e tij në zemrën tënde.

22:23b.JOB.022.023 Në rast se kthehesh tek i Plotfuqishmi, do të rimëkëmbesh; në qoftë se largon paudhësinë nga çadrat e tua

22:24b.JOB.022.024 dhe u hedh arin në pluhur dhe arin e Ofirit ndër gurët e përroit,

22:25b.JOB.022.025 atëherë i Plotfuqishmi do të jetë ari yt, thesari yt prej argjendi.

22:26b.JOB.022.026 Sepse atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde tek i Plotfuqishmi dhe do të ngresh fytyrën në drejtim të Perëndisë.

22:27b.JOB.022.027 Do t'i lutesh dhe ai do të të plotësojë dëshirën dhe ti do të realizosh kushtet që ke lidhur.

22:28b.JOB.022.028 Do të vendosësh një gjë dhe ajo do të dalë mbarë, dhe mbi udhën tënde do të shkëlqejë drita.

22:29b.JOB.022.029 Kur do të poshtërojnë, ti do të thuash: "Ngritja do të vijë". Ai do të përkrahë të përulurin

22:30b.JOB.022.030 dhe do të çlirojë edhe atë që nuk është i pafajmë; po, ai do të çlirohet nga shkaku i pastëtisë së duarve të tua".

23

23:1b.JOB.023.001 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

23:2b.JOB.023.002 "Edhe sot vajtimi im është i dhimbshëm; dora ime është e dobët për shkak të rënkimit tim.

23:3b.JOB.023.003 Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij!

23:4b.JOB.023.004 Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente.

23:5b.JOB.023.005 Do të dija fjalët me të cilat do të më përgjigjej, dhe do të kuptoja atë që kishte për të më thënë.

23:6b.JOB.023.006 A do të më kundërshtonte me forcë të madhe? Jo, përkundrazi do të më kushtonte vëmendje.

23:7b.JOB.023.007 Atje njeriu i drejtë do të mund të diskutonte me të, kështu gjyqtari im do të më shpallte të pafajshëm përjetë.

23:8b.JOB.023.008 Ja, po shkoj në lindje, por aty nuk është; në perëndim, por nuk e shoh;

23:9b.JOB.023.009 vepron në veri, por nuk e shoh; kthehet nga jugu, por nuk arrij ta shikoj.

23:10b.JOB.023.010 Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë; sikur të më provonte, do të dilja si ari.

23:11b.JOB.023.011 Këmba ime ka ndjekur me përpikmëri gjurmët e tij, i jam përmbajtur rrugës së tij pa devijuar;

23:12b.JOB.023.012 nuk jam larguar nga urdhërimet e buzëve të tij, përfitova shumë nga fjalët që kanë dalë prej gojës së tij më tepër se nga racioni tim i ushqimit.

23:13b.JOB.023.013 Por atij nuk i gjendet shoku, kush, pra, mund ta ndryshojë? Atë që do, ai e bën,

23:14b.JOB.023.014 kështu ai do të realizojë plotësisht atë që ka dekretuar kundër meje, dhe plane të tilla ka mjaft të tjera.

23:15b.JOB.023.015 Prandaj në prani të tij e ndjej veten të tmerruar; kur e mendoj këtë, ia kam frikën atij.

23:16b.JOB.023.016 Perëndia ma ligështon zemrën, i Plotfuqishmi më tmerron.

23:17b.JOB.023.017 Sepse nuk u asgjësova përpara territ; dhe ai nuk e fshehu terrin e dendur nga fytyra ime".

24

24:1b.JOB.024.001 "Pse vallë i Plotfuqishmi nuk i rezervon vetes kohëra dhe ata që e njohin nuk shohin ditët e tij?

24:2b.JOB.024.002 Disa zhvendosin kufijtë, marrin me forcë kopetë dhe i çojnë në kullotë;

24:3b.JOB.024.003 u marrin gomarin jetimëve dhe marrin peng kaun e gruas së ve;

24:4b.JOB.024.004 i shtyjnë jashtë rruge nevojtarët, kështu tërë të varfrit e vendit janë të detyruar të fshihen.

24:5b.JOB.024.005 Ja ku janë, si gomarë të egjër në shkretëtirë dalin në punën e tyre herët në mëngjes për të kërkuar ushqim; shkretëtira jep ushqim për ta dhe për bijtë e tyre.

24:6b.JOB.024.006 Mbledhin forazhin e tyre në fushat dhe mbledhin vilet e pavjela në vreshtin e të pabesit.

24:7b.JOB.024.007 E kalojnë natën lakuriq, pa rroba, dhe nuk kanë me se të mbulohen nga të ftohtit.

24:8b.JOB.024.008 Të lagur nga rrebeshet që vijnë nga malet, për mungesë strehe shtrëngohen pas shkëmbinjve.

24:9b.JOB.024.009 Të tjerë e rrëmbejnë nga gjiri jetimin dhe marrin pengje nga të varfrit.

24:10b.JOB.024.010 E detyrojnë të varfrin të shkojë pa rroba dhe u marrin duajt të uriturve.

24:11b.JOB.024.011 Bëjnë vaj midis mureve të të pabesëve, e shtrydhin rrushin në trokull, por kanë etje.

24:12b.JOB.024.012 Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend të keqes që u ka bërë.

24:13b.JOB.024.013 Të tjerë janë armiq të dritës, nuk njohin rrugët e saj dhe nuk qëndrojnë në shtigjet e saj.

24:14b.JOB.024.014 Vrasësi ngrihet në të gdhirë, për të vrarë të varfrin dhe nevojtarin; natën përkundrazi sillet si vjedhësi.

24:15b.JOB.024.015 Syri i shkelësit të kurorës bashkëshortore pret muzgun duke menduar: "Askush nuk do të më shohë", dhe vë një vel mbi fytyrën e tij.

24:16b.JOB.024.016 Natën depërtojnë nëpër shtëpitë; ditën rrinë mbyllur; nuk e njohin dritën.

24:17b.JOB.024.017 Mëngjesi është për ta si hija e vdekjes, sepse ata i njohin mirë tmerret e hijes së vdekjes.

24:18b.JOB.024.018 Kalojnë shpejt mbi sipërfaqen e ujërave, pjesa e tyre është e mallkuar mbi tokë, dhe askush nuk do të hynte më në vreshtat e tyre.

24:19b.JOB.024.019 Ashtu si thatësia dhe vapa tretin ujërat e dëborës, kështu bën edhe Sheoli me atë që ka mëkatuar.

24:20b.JOB.024.020 Gjiri i nënës e harron, krimbat e hanë duke e shijuar; atë nuk do ta kujtojnë më; i keqi do të pritet si një dru.

24:21b.JOB.024.021 Ai gëlltiste gruan shterpë që nuk ka fëmijë dhe nuk i bënte asnjë të mirë gruas së ve!

24:22b.JOB.024.022 Por Perëndia me forcën e tij tërheq tutje të fuqishmit dhe, në qoftë se shfaqen përsëri, asnjeri nuk mund të jetë i sigurt për jetën e tij.

24:23b.JOB.024.023 U jep siguri dhe ata i besojnë asaj; megjithatë sytë e tij kundrojnë rrugët e tyre.

24:24b.JOB.024.024 Ngrihen për pak kohë, por pastaj nuk janë më; rrëzohen dhe çohen tutje si gjithë të tjerët; priten si kokat e kallinjve të grurit.

24:25b.JOB.024.025 Në qoftë se nuk është kështu, kush mund të më përgënjeshtrojë dhe të shfuqizojë vlerën e fjalëve të mia?".

25

25:1b.JOB.025.001 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:

25:2b.JOB.025.002 "Atij i përkasin sundimi dhe terrori: ai sjell paqen në vendet e tij shumë të larta.

25:3b.JOB.025.003 A mund të llogariten vallë ushtritë e tij? Dhe mbi kë nuk del drita e tij?

25:4b.JOB.025.004 Si mund të jetë, pra, njeriu i drejtë përpara Perëndisë, ose si mund të jetë i pastër një i lindur nga një grua?

25:5b.JOB.025.005 Dhe në se edhe hëna nuk shkëlqen dhe yjet nuk janë të pastër në sytë e tij,

25:6b.JOB.025.006 aq më pak njeriu, që është një vemje, biri i njeriut që është një krimb!".

26

26:1b.JOB.026.001 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: "Si e ke ndihmuar të dobëtin,

26:2b.JOB.026.002 ose si e ke ndihmuar krahun pa forcë?

26:3b.JOB.026.003 Si e ke këshilluar atë që nuk ka dituri, dhe çfarë njohurish të mëdha i ke komunikuar?

26:4b.JOB.026.004 Kujt ia ke drejtuar fjalët e tua, dhe e kujt është fryma që ka dalë prej teje?

26:5b.JOB.026.005 Të vdekurit dridhen nën ujërat, dhe kështu bëjnë edhe banorët e tyre.

26:6b.JOB.026.006 Para atij Sheoli është i zbuluar, Abadoni është pa vel.

26:7b.JOB.026.007 Ai shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.

26:8b.JOB.026.008 I mbyll ujërat në retë e tij, por ato nuk çahen nën peshën e tyre.

26:9b.JOB.026.009 E mbulon pamjen e fronit të tij, duke shtrirë mbi të retë e tij.

26:10b.JOB.026.010 Ka shënuar një kufi të veçantë mbi sipërfaqen e ujërave, në kufirin e dritës me terrin.

26:11b.JOB.026.011 Kollonat e qiellit dridhen dhe habiten nga kërcënimi i tij.

26:12b.JOB.026.012 Me forcën e tij qetëson detin, me zgjuarsinë tij ka rrëzuar Rahabin.

26:13b.JOB.026.013 Me Frymën e tij ka zbukuruar qiejt, dora e tij ka shpuar tejpërtej gjarpërin dredharak.

26:14b.JOB.026.014 Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç'murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij?

27

27:1b.JOB.027.001 Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha:

27:2b.JOB.027.002 "Ashtu si rron Perëndia që më ka hequr të drejtën time dhe i Plotfuqishmi që më ka hidhëruar shpirtin,

27:3b.JOB.027.003 deri sa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime,

27:4b.JOB.027.004 buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme.

27:5b.JOB.027.005 Nuk do të pranoj që ju keni të drejtë; deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime.

27:6b.JOB.027.006 Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia.

27:7b.JOB.027.007 Armiku im qoftë si njeriu i keq, dhe ai që ngrihet kundër meje ashtu si njeriu i padrejtë.

27:8b.JOB.027.008 Çfarë shprese mund të ketë në fakt i pabesi, edhe sikur të arrijë të sigurojë fitime, kur Perëndia i heq jetën?

27:9b.JOB.027.009 A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur mbi të do të bjerë fatkeqësia?

27:10b.JOB.027.010 A do t'i vërë kënaqësitë e tij vallë tek i Plotfuqishmi dhe do të kërkojë ndihmën e Perëndisë në çdo kohë?

27:11b.JOB.027.011 Do t'ju jap mësime mbi fuqinë e Perëndisë, nuk do t'ju fsheh qëllimet e të Plotfuqishmit.

27:12b.JOB.027.012 Por ju të gjithë i keni vënë re këto gjëra, pse, pra, silleni në mënyrë kaq të kotë?

27:13b.JOB.027.013 Ky është fati që Perëndia i rezervon njeriut të keq, trashëgimia që njerëzit që përdorin dhunën marrin nga i Plotfuqishmi.

27:14b.JOB.027.014 Në rast se ka një numër të madh bijsh, këta i destinohen shpatës, dhe trashëgimtarët e tij nuk do të kenë bukë për t'u ngopur.

27:15b.JOB.027.015 Ata që do të mbijetojnë pas tij do të varrosen nga vdekja dhe të vejat e tyre nuk do të qajnë.

27:16b.JOB.027.016 Në rast se grumbullon argjend si pluhur dhe mbledh rrobe si baltë,

27:17b.JOB.027.017 ai i grumbullon, por do t'i veshë i drejti, dhe argjendin do ta ndajë i pafajmi.

27:18b.JOB.027.018 Ai ndërton shtëpinë e tij si një mole, si një kasolle që e ka bërë një rojtar.

27:19b.JOB.027.019 I pasuri bie në shtrat, por nuk do të bashkohet me njerëzit e tij; hap sytë dhe nuk është më.

27:20b.JOB.027.020 Tmerri e kap në befasi si ujërat; në mes të natës një furtunë e rrëmben tinëzisht.

27:21b.JOB.027.021 Era e lindjes e merr me vete dhe ai ikën, e fshin nga vendi i tij si një vorbull.

27:22b.JOB.027.022 Ajo sulet kundër tij pa mëshirë, ndërsa ai kërkon në mënyrë të dëshpëruar të shpëtojë nga ajo dorë,

27:23b.JOB.027.023 njerëzia duartroket në mënyrë tallëse për të dhe fërshëllen kundër tij nga vendi ku ndodhet".

28

28:1b.JOB.028.001 "Me siguri ka një minierë për argjendin dhe një vend ku bëhet rafinimi i arit.

28:2b.JOB.028.002 Hekuri nxirret nga toka dhe guri i shkrirë jep bakrin.

28:3b.JOB.028.003 Njeriu i jep fund territ dhe hulumton thellësitë më të mëdha në kërkim të gurëve të varrosur në terr dhe në hijen e vdekjes.

28:4b.JOB.028.004 Ai çel një pus larg vendbanimit, në vende të harruara nga këmbësorët; janë pezull dhe lëkunden larg njerëzve.

28:5b.JOB.028.005 Sa për tokën, prej asaj del buka, por nga poshtë është e trazuar nga zjarri.

28:6b.JOB.028.006 Gurët e saj janë banesa e safirëve dhe përmbajnë pluhur ari.

28:7b.JOB.028.007 Shpendi grabitqar nuk e njeh shtegun dhe as syri i skifterit nuk e ka parë kurrë.

28:8b.JOB.028.008 Bishat e egra nuk e kanë përshkruar dhe as luani nuk ka kaluar kurrë andej.

28:9b.JOB.028.009 Njeriu vë dorë mbi strallin dhe i rrëzon malet nga rrënjët.

28:10b.JOB.028.010 Hap galeri ndër shkëmbinj dhe syri i tij sheh gjithçka që është e çmuar.

28:11b.JOB.028.011 Zë rrjedhat ujore që të mos rrjedhin, dhe nxjerr në dritë gjërat e fshehura.

28:12b.JOB.028.012 Po ku mund ta gjesh diturinë, dhe ku është vendi i zgjuarsisë?

28:13b.JOB.028.013 Njeriu nuk ua di vlerën dhe ajo nuk gjendet mbi tokën e të gjallëve.

28:14b.JOB.028.014 Humnera thotë: "Nuk është tek unë"; deti thotë: "Nuk qëndron pranë meje".

28:15b.JOB.028.015 Nuk përftohet duke e shkëmbyer me ar të rafinuar as blihet duke peshuar argjend.

28:16b.JOB.028.016 Nuk shtihet në dorë me arin e Ofirit, me oniksin e çmuar ose me safirin.

28:17b.JOB.028.017 Ari dhe kristali nuk mund të barazohen me të dhe nuk këmbehet me enë ari të kulluar.

28:18b.JOB.028.018 Korali dhe kristali as që meritojnë të përmenden; vlera e diturisë është më e madhe se margaritarët.

28:19b.JOB.028.019 Topazi i Etiopisë nuk mund të barazohet dhe nuk mund të vlerësohet me ar të kulluar.

28:20b.JOB.028.020 Por atëherë nga rrjedh dituria dhe ku e ka selinë zgjuarsia?

28:21b.JOB.028.021 Ajo u fshihet syve të çdo të gjalli, është e mbuluar për zogjtë e qiellit.

28:22b.JOB.028.022 Abadoni dhe vdekja thonë: "Kemi dëgjuar të flitet për të me veshët tona".

28:23b.JOB.028.023 Vetëm Perëndia njeh rrugën e saj, vetëm ai e di ku ndodhet,

28:24b.JOB.028.024 sepse ai vë re skajet e tokës dhe sheh tërë ato që ndodhen nën qiejt.

28:25b.JOB.028.025 Kur caktoi peshën e erës dhe u caktoi ujërave një masë,

28:26b.JOB.028.026 kur bëri një ligj për shiun dhe një rrugë për vetëtimën e bubullimave,

28:27b.JOB.028.027 atëherë pa dhe e tregoi, e vendosi dhe madje e hetoi,

28:28b.JOB.028.028 dhe i tha njeriut: "Ja, të kesh frikë nga Zoti, kjo është dituri, dhe t'i largohesh së keqes është zgjuarsi"".

29

29:1b.JOB.029.001 Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:

29:2b.JOB.029.002 "Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte,

29:3b.JOB.029.003 kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës;

29:4b.JOB.029.004 siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time,

29:5b.JOB.029.005 kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark;

29:6b.JOB.029.006 kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji.

29:7b.JOB.029.007 Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh,

29:8b.JOB.029.008 të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë;

29:9b.JOB.029.009 princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë;

29:10b.JOB.029.010 zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza.

29:11b.JOB.029.011 veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua,

29:12b.JOB.029.012 sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.

29:13b.JOB.029.013 Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve.

29:14b.JOB.029.014 Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë.

29:15b.JOB.029.015 Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin;

29:16b.JOB.029.016 isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja.

29:17b.JOB.029.017 I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij.

29:18b.JOB.029.018 Dhe mendoja: "Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra;

29:19b.JOB.029.019 rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time;

29:20b.JOB.029.020 lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time".

29:21b.JOB.029.021 Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time.

29:22b.JOB.029.022 Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese.

29:23b.JOB.029.023 Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit.

29:24b.JOB.029.024 Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime.

29:25b.JOB.029.025 Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit.

30

30:1b.JOB.030.001 "Tani përkundrazi më të rinjtë se unë më përqeshin, ata që etërit e tyre nuk do të kishin pranuar t'i vija midis qenve të kopesë sime.

30:2b.JOB.030.002 Fundja, për çfarë do të më shërbente forca e duarve të tyre? Fuqia e tyre është shkatërruar.

30:3b.JOB.030.003 Të sfilitur nga mizerja dhe nga uria, ikin natën në shketëtirën e shkretuar dhe shterpë,

30:4b.JOB.030.004 duke shkulur bar të hidhur pranë gëmushave dhe rrënjë gjineshtre për ushqimin e tyre.

30:5b.JOB.030.005 Janë përzënë nga mjediset prej njerëzve që ulërijnë prapa tyre si të ishin vjedhës.

30:6b.JOB.030.006 Janë të detyruar të jetojnë në skërkat e luginave, në shpellat e tokës dhe midis shkëmbinjve;

30:7b.JOB.030.007 ulërijnë midis kaçubeve dhe shtrëngohen bashkë nën ferrishtat;

30:8b.JOB.030.008 njerëz budallenj, po, njerëz pa vlerë, të dëbuar nga vendi i tyre.

30:9b.JOB.030.009 Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre.

30:10b.JOB.030.010 Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë.

30:11b.JOB.030.011 Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë thyer çdo fre para meje.

30:12b.JOB.030.012 Këta zuzarë çohen në të djathtën time, i shtyjnë larg këmbët e mia dhe përgatitin kundër meje rrugët që të më shkatërrojnë.

30:13b.JOB.030.013 Prishin rrugën time, keqësojnë fatkeqësinë time, megjithëse askush nuk i ndihmon.

30:14b.JOB.030.014 Afrohen si nëpërmjet një të çare të madhe, sulen kundër meje si një stuhi.

30:15b.JOB.030.015 Më sulmojnë tmerre; gjuajnë nderin tim si era, dhe begatia ime zhdavaritet si një re.

30:16b.JOB.030.016 Unë shkrihem përbrenda, dhe ditët e hidhërimit më kanë pushtuar.

30:17b.JOB.030.017 Natën ndjej sikur më shpojnë kockat, dhe dhembjet më brejnë pa pushim.

30:18b.JOB.030.018 Nga dhuna e madhe rrobat e mia deformohen, më shtrëngojnë përreth si jaka e mantelit tim.

30:19b.JOB.030.019 Ai më ka hedhur në baltë dhe jam bërë si pluhuri dhe hiri,

30:20b.JOB.030.020 Unë të bërtas ty, dhe ti nuk më përgjigjesh; të rri përpara, por ti rri duke më shikuar.

30:21b.JOB.030.021 Je bërë mizor me mua; më përndjek me fuqinë e dorës sate.

30:22b.JOB.030.022 Më ngre lart mbi erën, bën që të eci kaluar mbi të dhe më zhduk në stuhi.

30:23b.JOB.030.023 E di në të vërtetë që ti më çon në vdekje, në shtëpinë ku mblidhen gjithë të gjallët.

30:24b.JOB.030.024 me siguri nuk do ta shtrijë dorën e tij te varri, megjithëse në fatkeqësinë e tij bërtet për të kërkuar ndihmë.

30:25b.JOB.030.025 A nuk kam qarë vallë për atë që ishte në fatkeqësi, dhe a nuk jam hidhëruar për të varfrin?

30:26b.JOB.030.026 Kur prisja të mirën, erdhi e keqja; kur prisja dritën, erdhi errësira.

30:27b.JOB.030.027 Zorrët e mia ziejnë pa pushim, kanë ardhur për mua ditë vuajtjesh.

30:28b.JOB.030.028 Shkoj rreth e qark i nxirë, krejt, por jo nga dielli; ngrihem në kuvend dhe bërtas për të kërkuar ndihmë.

30:29b.JOB.030.029 Jam bërë vëlla me çakallin dhe shok me strucin.

30:30b.JOB.030.030 Lëkura ime që më mbulon është nxirë dhe kockat e mia digjen nga nxehtësia.

30:31b.JOB.030.031 Qestja ime shërben vetëm për vajtime dhe flauti im për tinguj vajtues.

31

31:1b.JOB.031.001 "Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?

31:2b.JOB.031.002 Cili është fati që më ka caktuar Perëndia nga atje lart dhe trashëgimia e të Plotfuqishmit nga vendet e larta?

31:3b.JOB.031.003 A nuk është vallë fatkeqësia për njeriun e çoroditur dhe mjerimi për atë që kryen të keqen?

31:4b.JOB.031.004 Nuk i shikon ai tërë rrugët e mia dhe nuk i numëron të gjitha hapat që bëj?

31:5b.JOB.031.005 Në rast se kam vepruar me falsitet, ose në rast se këmba ime është shpejtuar të ndjekë mashtrimin,

31:6b.JOB.031.006 le të më peshojë me një peshore të saktë, dhe Perëndia do ta njohë ndershmërinë time.

31:7b.JOB.031.007 Në qoftë se hapat e mia kanë dalë nga rruga e drejtë, dhe në qoftë se zemra ime ka ndjekur sytë e mi, apo në se ndonjë njollë u është ngjitur duarve të mia,

31:8b.JOB.031.008 le të mbjell unë dhe një tjetër të hajë, dhe pasardhësit e mi u çrrënjofshin.

31:9b.JOB.031.009 Në rast se zemra ime është mashtruar nga një grua dhe kam përgjuar në portën e të afërmit tim,

31:10b.JOB.031.010 gruaja ime le të bluajë për një tjetër dhe të tjerë u përkulshin mbi të.

31:11b.JOB.031.011 Sepse kjo do të ishte një mbrapshti, një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët,

31:12b.JOB.031.012 një zjarr që konsumon deri në Abadon, dhe do të kishte shkatërruar deri në rrënjë gjithë të korrat e mia.

31:13b.JOB.031.013 Në rast se kam hedhur poshtë të drejtën e shërbëtorit tim dhe të shërbëtores sime, kur po grindeshin me mua,

31:14b.JOB.031.014 çfarë do të bëja kur Perëndia të ngrihej kundër meje, dhe si do t'i përgjigjesha kur të më kërkonte llogari?

31:15b.JOB.031.015 Ai që më ka bërë mua në barkun e nënës, a nuk e ka bërë edhe atë? A nuk ka qenë po ai Perëndi që na ka krijuar në bark?

31:16b.JOB.031.016 Në rast se u kam refuzuar të varfërve atë që dëshironin dhe bëra të veniten sytë e gruas së ve,

31:17b.JOB.031.017 në rast se e hëngra vetëm copën e bukës pa i dhënë një pjesë jetimit,

31:18b.JOB.031.018 (por që në rininë time unë e rrita si një baba, dhe që në bark të nënës sime e kam ndihmuar gruan e ve)

31:19b.JOB.031.019 në rast se kam parë dikë të vdesë për mungesë rrobash ose një të varfër që nuk kishte me se të mbulohej,

31:20b.JOB.031.020 në rast se ijet e tij nuk më kanë bekuar, dhe nuk është ngrohur me leshin e qengjave të mi,

31:21b.JOB.031.021 në qoftë se kam ngritur dorën kundër jetimit, sepse e dija që do të ndihmohesha tek porta,

31:22b.JOB.031.022 supi im u ndaftë nga shpatulla, krahu im u theftë në bërryl!

31:23b.JOB.031.023 Sepse fatkeqësia që vjen nga Perëndia më kall drithma, dhe për shkak të madhështisë së tij nuk mund të bëj asgjë.

31:24b.JOB.031.024 Në qoftë se kam pasur besim tek ari, dhe arit të kulluar i kam thënë: "Ti je shpresa ime",

31:25b.JOB.031.025 në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha, dhe sepse dora ime ka grumbulluar shumë pasuri,

31:26b.JOB.031.026 në qoftë se kam shikuar diellin kur shkëlqen ose hënën që shkonte përpara duke ndritur, dhe zemra ime u mashtrua tinëz dhe goja ime puthi dorën time;

31:27b.JOB.031.027 edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart.

31:28b.JOB.031.028 Në rast se jam gëzuar për fatkeqësinë e armikut tim dhe u ngrita, sepse e kishte goditur fakeqësia

31:29b.JOB.031.029 (por unë nuk e lejova gojën time të mëkatonte, duke i uruar të vdesë me një mallkim);

31:30b.JOB.031.030 në qoftë se njerëzit e çadrës sime nuk kanë thënë: "Kush mund të gjejë një që nuk është ngopur me mishin e tij?".

31:31b.JOB.031.031 (përveç kësaj asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit);

31:32b.JOB.031.032 në rast se i kam mbuluar mëkatet e mia si Adami, duke e fshehur fajin tim në gji,

31:33b.JOB.031.033 sepse kisha frikë nga turma e madhe dhe përbuzja e familjeve më tmerronte, kështu që rrija i heshtur pa dalë nga shtëpia.

31:34b.JOB.031.034 Ah, sikur të kisha një që të më dëgjonte! Ja firma ime! I Plotfuqishmi të më përgjigjet! Kundërshtari im të shkruajë një dokument,

31:35b.JOB.031.035 dhe unë do ta mbaja me siguri mbi shpatullat e mia, dhe do ta mbaja si një diademë

31:36b.JOB.031.036 do t'i jepja llogari për të gjitha hapat e mia, duke iu paraqitur si një princ.

31:37b.JOB.031.037 Në qoftë se toka ime bërtet kundër meje dhe brazdat e saj qajnë bashkë me të,

31:38b.JOB.031.038 në rast se kam ngrënë frytin e saj pa paguar, në rast se u kam nxjerrë frymën e fundit zotërve të saj,

31:39b.JOB.031.039 në vend të grurit u rritshin ferra dhe barëra të këqija në vend të elbit".

31:40b.JOB.031.040 Këtu mbarojnë fjalët e Jobit.

32

32:1b.JOB.032.001 Atëherë këta tre njerëz nuk iu përgjigjën më Jobit, sepse ai e ndjente veten të drejtë.

32:2b.JOB.032.002 Por zemërimi i Elihut, birit të Barakelit, Buzitit, nga fisi i Ramit, u ndez kundër Jobit; zemërimi i tij u ndez, sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia.

32:3b.JOB.032.003 Zemërimi i tij u ndez edhe kundër tre miqve të tij, sepse nuk kishin gjetur përgjigjen e drejtë, megjithëse e dënonin Jobin.

32:4b.JOB.032.004 Elihu kishte pritur për t'i folur Jobit, sepse ata ishin më të moshuar se ai.

32:5b.JOB.032.005 Por kur Elihu u bind që në gojën e këtyre tre njerëzve nuk kishte më përgjigje, ai u zemërua.

32:6b.JOB.032.006 Kështu Elihu, bir i Barakelit, Buzitit, mori fjalën dhe tha: "Unë jam akoma i ri me moshë dhe ju jeni pleq; prandaj ngurrova dhe pata frikë t'ju parashtroj mendimin tim.

32:7b.JOB.032.007 Thoja: "Do të flasë mosha dhe numri i madh i viteve do t'u mësojë diturinë".

32:8b.JOB.032.008 Por te njeriu ka një frymë, dhe është fryma i të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë.

32:9b.JOB.032.009 Nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë ose pleqtë që kuptojnë drejtësinë.

32:10b.JOB.032.010 Prandaj them: Dëgjomëni, do të shtroj edhe unë mendimin tim.

32:11b.JOB.032.011 Ja, prita fjalimet tuaja, dëgjova argumentat tuaja, ndërsa kërkonit të thonit diçka.

32:12b.JOB.032.012 Ju kam ndjekur me vëmendje, dhe ja, asnjëri prej jush nuk e bindi Jobin ose nuk iu përgjigj fjalëve të tij.

32:13b.JOB.032.013 Mos thoni, pra: "Kemi gjetur diturinë; vetëm Perëndia mund ta mundë plotësisht, por jo njeriu!".

32:14b.JOB.032.014 Ai nuk i ka drejtuar fjalimet e tij kundër meje, prandaj nuk do t'i përgjigjem me fjalët tuaja.

32:15b.JOB.032.015 Janë hutuar, nuk përgjigjen më, nuk gjejnë fjalë.

32:16b.JOB.032.016 Duhet të pres akoma, sepse nuk flasin më, rrinë aty pa dhënë asnjë përgjigje.

32:17b.JOB.032.017 Do të paraqes edhe unë pjesën time, do të shtroj edhe unë mendimin tim.

32:18b.JOB.032.018 Sepse kam plot fjalë dhe fryma përbrenda më detyron.

32:19b.JOB.032.019 Ja, gjiri im është si vera që nuk ka një shfrim, si shakujt e rinj, gati për të plasur.

32:20b.JOB.032.020 Do të flas, pra, për të pasur një lehtësim të vogël, do të hap buzët dhe do të përgjigjem.

32:21b.JOB.032.021 Tani më lejoni të flas pa treguar anësi me asnjë dhe pa i bërë lajka kurrkujt;

32:22b.JOB.032.022 sepse unë nuk di të bëj lajka, përndryshe Krijuesi im do të më hiqte shpejt nga mesi".

33

33:1b.JOB.033.001 "Tani pra, Job, dëgjo atë që kam për të thënë dhe vëru veshin gjithë fjalëve të mia!

33:2b.JOB.033.002 Ja, unë po hap gojën dhe gjuha ime flet në gojën time.

33:3b.JOB.033.003 Fjalët e mia burojnë nga një zemër e drejtë, buzët e mia do të thonë njohuri të pastra.

33:4b.JOB.033.004 Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë.

33:5b.JOB.033.005 Në rast se mundesh, m'u përgjigj; përgatitu gjithashtu të mbrosh pozitat e tua.

33:6b.JOB.033.006 Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili.

33:7b.JOB.033.007 Ja, asnjë frikë nga unë nuk duhet të të lemerisë, dhe dora ime nuk do të rëndojë mbi ty.

33:8b.JOB.033.008 Por ti u ke thënë veshëve të mi dhe dëgjova tingullin e fjalëve të tua, që thonin:

33:9b.JOB.033.009 "Una jam i pastër, pa mëkat; jam i pafajmë, nuk ka asnjë faj tek unë.

33:10b.JOB.033.010 Por Perëndia gjen kundër meje shkaqe armiqësie dhe më konsideron armikun e tij;

33:11b.JOB.033.011 i fut këmbët e mia në pranga dhe kqyr gjithë hapat e mia".

33:12b.JOB.033.012 Mirë, pra, unë të them se këtu nuk ke të drejtë, sepse Perëndia është më i madh se njeriu.

33:13b.JOB.033.013 Pse hahesh me të, kur ai nuk jep llogari për asnjë nga veprimet e tij?

33:14b.JOB.033.014 Në fakt Perëndia flet në një mënyrë apo në një tjetër por njeriu nuk e vë re:

33:15b.JOB.033.015 në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre.

33:16b.JOB.033.016 Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën,

33:17b.JOB.033.017 për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia,

33:18b.JOB.033.018 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata.

33:19b.JOB.033.019 Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij,

33:20b.JOB.033.020 aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme.

33:21b.JOB.033.021 Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë;

33:22b.JOB.033.022 kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen.

33:23b.JOB.033.023 Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t'i tregojë njeriut detyrën e tij.

33:24b.JOB.033.024 Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: "Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të".

33:25b.JOB.033.025 Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.

33:26b.JOB.033.026 Do t'i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij.

33:27b.JOB.033.027 Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: "Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja.

33:28b.JOB.033.028 Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën".

33:29b.JOB.033.029 Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun,

33:30b.JOB.033.030 për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës.

33:31b.JOB.033.031 Ki kujdes, Jobi, dëgjomë; rri në heshtje, dhe unë do të flas.

33:32b.JOB.033.032 Në qoftë se ke diçka për të thënë, përgjigjmu, folë, sepse do të dëshiroja të të jepja të drejtë.

33:33b.JOB.033.033 Përndryshe dëgjomë; hesht dhe unë do të të mësoj diturinë".

34

34:1b.JOB.034.001 Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:

34:2b.JOB.034.002 "Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!

34:3b.JOB.034.003 Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.

34:4b.JOB.034.004 Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.

34:5b.JOB.034.005 Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.

34:6b.JOB.034.006 A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".

34:7b.JOB.034.007 Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,

34:8b.JOB.034.008 që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?

34:9b.JOB.034.009 Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".

34:10b.JOB.034.010 Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!

34:11b.JOB.034.011 Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.

34:12b.JOB.034.012 Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.

34:13b.JOB.034.013 Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?

34:14b.JOB.034.014 Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,

34:15b.JOB.034.015 çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.

34:16b.JOB.034.016 Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.

34:17b.JOB.034.017 A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?

34:18b.JOB.034.018 Ai që i thotë një mbreti: "Je për t'u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".

34:19b.JOB.034.019 Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.

34:20b.JOB.034.020 Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.

34:21b.JOB.034.021 Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.

34:22b.JOB.034.022 Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.

34:23b.JOB.034.023 Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.

34:24b.JOB.034.024 Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.

34:25b.JOB.034.025 Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;

34:26b.JOB.034.026 i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,

34:27b.JOB.034.027 sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,

34:28b.JOB.034.028 deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.

34:29b.JOB.034.029 Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,

34:30b.JOB.034.030 për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?

34:31b.JOB.034.031 Dikush mund t'i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen;

34:32b.JOB.034.032 tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"?

34:33b.JOB.034.033 A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di.

34:34b.JOB.034.034 Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë:

34:35b.JOB.034.035 "Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri".

34:36b.JOB.034.036 Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij,

34:37b.JOB.034.037 sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë".

35

35:1b.JOB.035.001 Elihu vazhdoi të flasë dhe tha:

35:2b.JOB.035.002 "A të duket një gjë e drejtë kur thua: "Jam më i drejtë se Perëndia"?

35:3b.JOB.035.003 Në fakt ke thënë: "Ç'dobi ke? Çfarë dobie do të kisha nga mëkati im?".

35:4b.JOB.035.004 Do të të përgjigjem ty dhe miqve të tu bashkë me ty.

35:5b.JOB.035.005 Sodite qiellin dhe shiko me kujdes; shih retë, që ndodhen më lart se ti.

35:6b.JOB.035.006 Në qoftë se ti mëkaton, çfarë efekti ka mbi të? Në qoftë se ti i shumëzon prapësitë e tua çfarë dëmi i shkakton?

35:7b.JOB.035.007 Në rast se je i drejtë, çfarë i jep, ose çfarë merr ai nga dora jote?

35:8b.JOB.035.008 Ligësia jote mund të dëmtojë vetëm një njeri si ti, dhe drejtësia jote mundet t'i sjellë vetëm dobi birit të një njeriu.

35:9b.JOB.035.009 Ngrihet zëri për numrin e madh të shtypjeve, ngrihet zëri për të kërkuar ndihmë për shkak të dhunës së të fuqishmëve;

35:10b.JOB.035.010 por asnjeri nuk thotë: "Ku është Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi,

35:11b.JOB.035.011 që na mëson më tepër gjëra se sa kafshëve të fushave dhe na bën më të urtë se zogjtë e qiellit?"

35:12b.JOB.035.012 Kështu ngrihen zëra, por ai nuk përgjigjet për shkak të krenarisë së njerëzve të këqij.

35:13b.JOB.035.013 Me siguri Perëndia nuk ka për t'i dëgjuar ligjëratat boshe dhe i Plotfuqishmi nuk do t'jua vërë veshin.

35:14b.JOB.035.014 Edhe sikur ti të thuash se nuk e shikon atë, çështja jote qëndron para tij, dhe ti duhet të presësh.

35:15b.JOB.035.015 Por tani, duke qenë se në zemërimin e tij ai nuk dënon dhe nuk u jep shumë rëndësi shkeljeve,

35:16b.JOB.035.016 Jobi hap kot buzët dhe mbledh fjalë që nuk kanë arsye".

36

36:1b.JOB.036.001 Elihu vazhdoi edhe më, duke thënë:

36:2b.JOB.036.002 "Prit edhe pak dhe do të të tregoj që ka ende gjëra për të thënë nga ana e Perëndisë.

36:3b.JOB.036.003 Do ta sjell larg atë që di dhe do t'i jap hak atij që më ka krijuar.

36:4b.JOB.036.004 Sigurisht fjalët e mia nuk janë të rreme; para teje ke një njeri me njohuri të përsosur.

36:5b.JOB.036.005 Ja, Perëndia është i fuqishëm, por nuk përçmon njeri; është i fuqishëm në forcën e diturisë së tij.

36:6b.JOB.036.006 Ai nuk e lë të jetojë njeriun e keq dhe u siguron drejtësinë të shtypurve.

36:7b.JOB.036.007 Nuk i heq sytë nga të drejtët, por bën që të ulen për gjithnjë me mbretërit mbi fronin; kështu ata rrinë lart.

36:8b.JOB.036.008 Por në rast se janë të lidhur me zinxhira dhe të mbajtur me veriga pikëllimi,

36:9b.JOB.036.009 atëherë u tregon veprat e tyre dhe shkeljet e tyre, sepse u është rritur mendja.

36:10b.JOB.036.010 Kështu ai ua hap veshët për t'u ndrequr dhe i nxit të largohen nga e keqja.

36:11b.JOB.036.011 Në rast se ata e dëgjojnë dhe nënshtrohen, do t'i mbarojnë ditët e tyre në mirëqënie dhe vitet e tyre në gëzime;

36:12b.JOB.036.012 por, në rast se nuk e dëgjojnë, do të vdesin nga shpata, do të vdesin pa ardhur në vete.

36:13b.JOB.036.013 Por të pabesët nga zemra mbledhin zemërimin, nuk bërtasin për të kërkuar ndihmë,

36:14b.JOB.036.014 kështu ata vdesin ende të rinj, dhe jeta e tyre mbaron midis Sodomitëve.

36:15b.JOB.036.015 Perëndia çliron të pikëlluarit me anë të pikëllimit të tyre dhe u hap veshët me anë të fatkeqësisë.

36:16b.JOB.036.016 Ai dëshiron të të largojë edhe ty nga kafshimi i fatkeqësisë, që të të çojë në një vend të gjerë pa kufizim, me një tryezë të shtruar me ushqime të shijshme.

36:17b.JOB.036.017 Por ti je mbushur me mendimin e njeriut të keq, dhe gjykimi e drejtësia do të të kapin.

36:18b.JOB.036.018 Në rast se ekziston zemërimi, ki kujdes që ai të mos të të fshijë me një goditje të vetme, sepse një shumë e madhe parash nuk do të mund të largonte.

36:19b.JOB.036.019 Vallë a do t'i çmojë pasuritë e tua, kur ai ka ar dhe të gjitha burimet e fuqisë?

36:20b.JOB.036.020 Mos dëshiro natën, gjatë së cilës njerëzia çohet larg nga vendi i saj.

36:21b.JOB.036.021 Ki kujdes të mos anosh nga paudhësia, sepse ti ke preferuar këtë pikëllim.

36:22b.JOB.036.022 Ja, Perëndia ka shkëlqyer në fuqinë e tij; kush mund të na mësojë si ai?

36:23b.JOB.036.023 Vallë, kush mund t'i imponojë rrugën që duhet ndjekur dhe kush mund t'i thotë: "Ti ke bërë keq"?

36:24b.JOB.036.024 Kujtohu të lartësosh veprat e tij, që njerëzit i kanë kënduar;

36:25b.JOB.036.025 tërë njerëzit i admirojnë, vdekatari mund t'i soditë nga larg.

36:26b.JOB.036.026 Po, Perëndia është i madh, por ne nuk e njohim, dhe numri i viteve të tij është i panjohshëm.

36:27b.JOB.036.027 Ai tërheq atje lart pikat e ujit në formë avulli, i cili dëndësohet pastaj në shi,

36:28b.JOB.036.028 që retë zbrazin dhe lëshojnë mbi njeriun në sasi të madhe.

36:29b.JOB.036.029 Kush mund të kuptojë shtjellimin e reve, shungullimën që shpërthen në çadrën e tij?

36:30b.JOB.036.030 Ja, ai përhap rreth vetes dritën e tij dhe mbulon thellësitë e detit.

36:31b.JOB.036.031 Me anë të tyre dënon popujt dhe jep ushqime me shumicë.

36:32b.JOB.036.032 Mbulon duart me rrufetë dhe i urdhëron ato të godasin shenjën.

36:33b.JOB.036.033 Bubullima flet për të, edhe bagëtia e ndjen furtunën që po vjen.

37

37:1b.JOB.037.001 Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj.

37:2b.JOB.037.002 Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj!

37:3b.JOB.037.003 Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës.

37:4b.JOB.037.004 Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij.

37:5b.JOB.037.005 Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t'i kuptojmë.

37:6b.JOB.037.006 I thotë në fakt borës: "Bjerë mbi tokë", ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta.

37:7b.JOB.037.007 Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij.

37:8b.JOB.037.008 Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre.

37:9b.JOB.037.009 Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut.

37:10b.JOB.037.010 Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet.

37:11b.JOB.037.011 I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota.

37:12b.JOB.037.012 Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar.

37:13b.JOB.037.013 I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi.

37:14b.JOB.037.014 Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!

37:15b.JOB.037.015 A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij?

37:16b.JOB.037.016 A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha?

37:17b.JOB.037.017 A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut?

37:18b.JOB.037.018 Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë?

37:19b.JOB.037.019 Na mëso se çfarë duhet t'i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën.

37:20b.JOB.037.020 A mund t'i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri.

37:21b.JOB.037.021 Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re.

37:22b.JOB.037.022 Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme.

37:23b.JOB.037.023 Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri.

37:24b.JOB.037.024 Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur".

38

38:1b.JOB.038.001 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:

38:2b.JOB.038.002 "Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim?

38:3b.JOB.038.003 Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.

38:4b.JOB.038.004 Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.

38:5b.JOB.038.005 Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur?

38:6b.JOB.038.006 Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes,

38:7b.JOB.038.007 kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi?

38:8b.JOB.038.008 Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës,

38:9b.JOB.038.009 kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena?

38:10b.JOB.038.010 Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta,

38:11b.JOB.038.011 dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"?

38:12b.JOB.038.012 Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit,

38:13b.JOB.038.013 që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij?

38:14b.JOB.038.014 Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje.

38:15b.JOB.038.015 Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet.

38:16b.JOB.038.016 A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës?

38:17b.JOB.038.017 Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes?

38:18b.JOB.038.018 A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto!

38:19b.JOB.038.019 Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij,

38:20b.JOB.038.020 që ti të mund t'i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij?

38:21b.JOB.038.021 Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh.

38:22b.JOB.038.022 Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit

38:23b.JOB.038.023 që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?

38:24b.JOB.038.024 Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë?

38:25b.JOB.038.025 Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve,

38:26b.JOB.038.026 që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri,

38:27b.JOB.038.027 për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari?

38:28b.JOB.038.028 Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës?

38:29b.JOB.038.029 Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit?

38:30b.JOB.038.030 Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin.

38:31b.JOB.038.031 A mund t'i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?

38:32b.JOB.038.032 A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj?

38:33b.JOB.038.033 A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë?

38:34b.JOB.038.034 A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm?

38:35b.JOB.038.035 Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?".

38:36b.JOB.038.036 Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës?

38:37b.JOB.038.037 Kush numëron retë me anë të diturisë, dhe kush derdh shakujt e qiellit

38:38b.JOB.038.038 kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre?

38:39b.JOB.038.039 A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit,

38:40b.JOB.038.040 kur struken në strofkat e tyre apo rrinë në pritë në strukën e tyre?

38:41b.JOB.038.041 Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim?

39

39:1b.JOB.039.001 A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave?

39:2b.JOB.039.002 A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin?

39:3b.JOB.039.003 Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre.

39:4b.JOB.039.004 Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre.

39:5b.JOB.039.005 Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër,

39:6b.JOB.039.006 të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë?

39:7b.JOB.039.007 Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie.

39:8b.JOB.039.008 Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër.

39:9b.JOB.039.009 Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd?

39:10b.JOB.039.010 A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje?

39:11b.JOB.039.011 A do t'i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t'ia lësh atij punën tënde?

39:12b.JOB.039.012 A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë?

39:13b.JOB.039.013 Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut.

39:14b.JOB.039.014 Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur.

39:15b.JOB.039.015 duke harruar që një këmbë mund t'i shtypë ose një kafshë e fushave mund t'i shkelë.

39:16b.JOB.039.016 I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë,

39:17b.JOB.039.017 sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi.

39:18b.JOB.039.018 Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij.

39:19b.JOB.039.019 A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten?

39:20b.JOB.039.020 A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr.

39:21b.JOB.039.021 Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë.

39:22b.JOB.039.022 Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës.

39:23b.JOB.039.023 Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta.

39:24b.JOB.039.024 Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria.

39:25b.JOB.039.025 Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: "Aha"!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës.

39:26b.JOB.039.026 Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathati dhe i hap krahët e tij drejt jugut?

39:27b.JOB.039.027 Éshtë vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta?

39:28b.JOB.039.028 Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirta.

39:29b.JOB.039.029 Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg.

39:30b.JOB.039.030 Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo".

40

40:1b.JOB.040.001 Zoti vazhdoi t'i përgjigjet Jobit dhe tha:

40:2b.JOB.040.002 "Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t'i përgjigjet kësaj pyetjeje".

40:3b.JOB.040.003 Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha:

40:4b.JOB.040.004 "Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.

40:5b.JOB.040.005 Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë".

40:6b.JOB.040.006 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:

40:7b.JOB.040.007 "Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.

40:8b.JOB.040.008 A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?

40:9b.JOB.040.009 A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?

40:10b.JOB.040.010 Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim.

40:11b.JOB.040.011 Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli,

40:12b.JOB.040.012 shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.

40:13b.JOB.040.013 Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta.

40:14b.JOB.040.014 Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore.

40:15b.JOB.040.015 Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau.

40:16b.JOB.040.016 Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij.

40:17b.JOB.040.017 E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë.

40:18b.JOB.040.018 Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri.

40:19b.JOB.040.019 Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t'i afrohet atij me shpatën e tij.

40:20b.JOB.040.020 Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen,

40:21b.JOB.040.021 ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale.

40:22b.JOB.040.022 Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë.

40:23b.JOB.040.023 Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij.

40:24b.JOB.040.024 Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t'i shpojë flegrat e hundës me gremça?

41

41:1b.JOB.041.001 A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar?

41:2b.JOB.041.002 A mund t'i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t'i shposh nofullën me një çengel?

41:3b.JOB.041.003 A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla?

41:4b.JOB.041.004 A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë?

41:5b.JOB.041.005 A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua?

41:6b.JOB.041.006 Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve?

41:7b.JOB.041.007 A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja?

41:8b.JOB.041.008 Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar.

41:9b.JOB.041.009 Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri.

41:10b.JOB.041.010 Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje?

41:11b.JOB.041.011 Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja.

41:12b.JOB.041.012 Nuk do t'i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij.

41:13b.JOB.041.013 Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t'i afrohet me një fre të dyfishtë?

41:14b.JOB.041.014 Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij?

41:15b.JOB.041.015 Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule.

41:16b.JOB.041.016 Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre.

41:17b.JOB.041.017 Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen.

41:18b.JOB.041.018 Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit.

41:19b.JOB.041.019 Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri.

41:20b.JOB.041.020 Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan.

41:21b.JOB.041.021 Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë.

41:22b.JOB.041.022 Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri.

41:23b.JOB.041.023 Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin.

41:24b.JOB.041.024 Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës.

41:25b.JOB.041.025 Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar.

41:26b.JOB.041.026 Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën.

41:27b.JOB.041.027 E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi.

41:28b.JOB.041.028 Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte.

41:29b.JOB.041.029 Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës.

41:30b.JOB.041.030 Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë.

41:31b.JOB.041.031 E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem.

41:32b.JOB.041.032 Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat.

41:33b.JOB.041.033 Mbi tokë nuk ka asgjë që t'i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë.

41:34b.JOB.041.034 Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore".

42

42:1b.JOB.042.001 Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe tha:

42:2b.JOB.042.002 "E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet.

42:3b.JOB.042.003 Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja.

42:4b.JOB.042.004 Dëgjomë, pra, dhe unë do të flas; unë do të të bëj pyetje dhe ti do të më përgjigjesh.

42:5b.JOB.042.005 Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh.

42:6b.JOB.042.006 Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin".

42:7b.JOB.042.007 Mbas këtyre fjalëve që Zoti i drejtoi Jobit, Zoti i tha Elifazit nga Temani: "Zemërimi im u ndez kundër teje dhe kundër dy miqve të tu, sepse nuk keni folur drejt për mua, ashtu si ka bërë shërbëtori im Job.

42:8b.JOB.042.008 Tani, pra, merrni me vete shtatë dema dhe shtatë desh, shkoni te shërbëtori im Job dhe ofroni një olokaust për veten tuaj. Dhe shërbëtori im Jobi do të lutet për ju; dhe kështu për respektin që kam për të nuk do t'ju trajtoj sipas marrëzisë suaj, sepse nuk keni folur drejt për mua, si ka bërë shërbëtori im Job".

42:9b.JOB.042.009 Elifazi nga Temani, Bildadi nga Shuahu dhe Tsofari nga Naamathi shkuan dhe vepruan ashtu si kishte urdhëruar Zoti; dhe Zoti tregoi kujdes për Jobin.

42:10b.JOB.042.010 Mbasi Jobi u lut për miqtë e tij, Zoti e ktheu në gjendjen e mëparshme; kështu Zoti i dha Jobit dyfishin e tërë atyre që kishte zotëruar.

42:11b.JOB.042.011 Tërë vëllezërit e tij, tërë motrat e tij dhe tërë të njohurit e tij të mëparshëm erdhën ta takonin; hëngrën bashkë me të në shtëpinë e tij; i dhanë zemër dhe e ngushëlluan për të gjitha fatkeqësitë që Zoti kishte dërguar mbi të; pastaj secili prej tyre i dha një monedhë argjendi dhe një unazë ari.

42:12b.JOB.042.012 Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para, sepse ai pati katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarë.

42:13b.JOB.042.013 Pati gjithashtu shtatë bij dhe tri bija;

42:14b.JOB.042.014 e quajti të parën Jemimah, të dytën Ketsiah dhe të tretën Keren-Hapuk.

42:15b.JOB.042.015 Në tërë vendin nuk kishte gra aq të bukura sa bijat e Jobit; dhe i ati u la atyre një trashëgimi midis vëllezërve të tyre.

42:16b.JOB.042.016 Mbas kësaj Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë e tij dhe bijtë e bijve të tij për katër breza.

42:17b.JOB.042.017 Pastaj Jobi vdiq plak dhe i ngopur me ditë.


Holder of rights
Multilingual Bible Corpus

Citation Suggestion for this Object
TextGrid Repository (2025). Albanian Collection. Job (Albanian). Job (Albanian). Multilingual Parallel Bible Corpus. Multilingual Bible Corpus. https://hdl.handle.net/21.11113/0000-0016-897F-0