Jonah (Albanian)
1
1:1b.JON.001.001 Dhe fjala e Zotit iu drejtua Jonas, birit të Amitait, duke thënë:
1:2b.JON.001.002 "Çohu, shko në Ninive, qytet i madh, dhe prediko kundër tij, sepse ligësia e tyre është ngjitur përpara meje".
1:3b.JON.001.003 Por Jona u ngrit për të ikur në Tarshish, larg pranisë të Zotit. Kështu zbriti në Jafa, ku gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi çmimin e caktuar dhe hipi në anije për të shkuar me ta larg pranisë të Zotit.
1:4b.JON.001.004 Por Zoti shpërtheu një erë të fortë në det dhe u ngrit një furtunë e madhe në det, kështu që anija rrezikonte të shkallmohej.
1:5b.JON.001.005 Detarët, të trembur, i thirrën secili perëndisë së vet dhe hodhën në det ngarkesën që ishte në anije për ta lehtësuar. Ndërkaq Jona kishte zbritur në pjesët më të fshehta të anijes, kishte rënë dhe flinte thellë.
1:6b.JON.001.006 Kapiteni iu afrua dhe i tha: "Çfarë po bën në gjumë kaq të thellë? Çohu, kërko Perëndinë tënd! Ndofta Perëndia do të kujdeset për ne dhe nuk do të vdesim".
1:7b.JON.001.007 Pastaj i thanë njeri tjetrit: "Ejani, të hedhim short për të ditur për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi". Kështu hodhën shortin dhe shorti ra mbi Jonan.
1:8b.JON.001.008 Atëherë e pyetën: "Na shpjego për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi. Cili është zanati yt? Nga vjen? Cili është vendi yt? Cilit popull i përket?".
1:9b.JON.001.009 Ai u përgjigj atyre: "Unë jam hebre dhe kam frikë nga Zoti, Perëndia i qiellit, që ka bërë detin dhe sterenë".
1:10b.JON.001.010 Atëherë ata njerëz i pushtoi një frikë e madhe dhe i thanë: "Pse e bërë këtë?". Ata në fakt e kishin vënë re që ai ikte larg pranisë të Zotit, sepse ua kishte thënë atyre.
1:11b.JON.001.011 Ata i thanë: "Çfarë duhet të bëjmë që deti të na qetësohet?". Në fakt deti po bëhej gjithnjë më i stuhishëm.
1:12b.JON.001.012 Ai iu përgjigj atyre: "Më zini dhe më hidhni në det dhe deti do të qetësohet, sepse unë e di që kjo furtunë e madhe ju ra mbi kokë për shkakun tim".
1:13b.JON.001.013 Megjithatë ata njerëz vozitnin me forcë për ta kthyer anijen në breg, por nuk ia dilnin dot, sepse deti bëhej gjithnjë më i stuhishëm kundër tyre.
1:14b.JON.001.014 Prandaj i klithën Zotit dhe i thanë: "Ah, o Zot, mos lejo që të vdesim për shkak të jetës së këtij njeriu dhe mos na fajëso me gjak të pafajshëm, sepse ti, o Zot, ke bërë si ke dashur".
1:15b.JON.001.015 Pastaj e zunë Jonan dhe e hodhën në det, dhe tërbimi i detit u fashit.
1:16b.JON.001.016 Ata njerëz atëherë i zuri një frikë e madhe nga Zoti, i ofruan një flijim Zotit dhe u betuan.
1:17b.JON.001.017 Zoti kishte përgatitur një peshk të madh që të gëlltiste Jonan; dhe Jona qëndroi tri ditë dhe tri net në barkun e peshkut.
2
2:1b.JON.002.001 Atëherë Jona iu lut Zotit, Perëndisë të tij, nga barku i peshkut dhe tha:
2:2b.JON.002.002 "Në fatkeqësinë time i thirra Zotit dhe ai m'u përgjigj; nga gjiri i Sheolit i thirra dhe ti e dëgjove zërin tim.
2:3b.JON.002.003 Më hodhe në një vend të thellë, në zemër të deteve, rryma më mori dhe gjithë dallgët e tua dhe valët e tua më kaluan sipër.
2:4b.JON.002.004 Atëherë thashë: U dëbova nga prania jote. Megjithatë do të shikoj akoma në drejtim të tempullit tënd të shenjtë.
2:5b.JON.002.005 Ujërat më kanë rrethuar deri në shpirt, humnera më ka mbështjellë, algat u mblodhën rreth kokës sime.
2:6b.JON.002.006 Zbrita deri në themelet e maleve, toka mbylli shufrat e saj pas meje për gjithnjë, por ti e ngrite jetën time nga gropa, o Zot, Perëndia im.
2:7b.JON.002.007 Kur shpirti im po ligështohej brenda meje, kujtova Zotin, dhe lutja ime arriti deri te ti, në tempullin tënd të shenjtë.
2:8b.JON.002.008 Ata që jepen pas kotësive të rreme braktisin vetë burimin e hirit të tyre.
2:9b.JON.002.009 Por unë me zëra lëvdimi do të ofroj flijime dhe do të plotësoj betimet që kam bërë. Shpëtimi i përket Zotit".
2:10b.JON.002.010 Atëherë Zoti i foli peshkut dhe peshku e volli Jonan në breg.
3
3:1b.JON.003.001 Fjala e Zotit iu drejtua Jonas për herë të dytë, duke thënë:
3:2b.JON.003.002 "Çohu, shko në Ninive, qyteti i madh, dhe shpalli atij mesazhin që po të urdhëroj".
3:3b.JON.003.003 Kështu Jona u ngrit dhe shkoi në Ninive, sipas fjalës të Zotit. Ninivie ishte një qytet shumë i madh përpara Perëndisë, që donte tri ditë rrugë për ta përshkuar.
3:4b.JON.003.004 Jona nisi të futet në qytet në një ditë rrugë dhe duke predikuar tha: "Edhe dyzet ditë dhe Ninive do të shkatërrohet".
3:5b.JON.003.005 Atëherë Niniveasit i besuan Perëndisë, shpallën një agjërim dhe u veshën me thes, nga më i madhi deri te më i vogli nga ata.
3:6b.JON.003.006 Kur lajmi i vajti mbretit të Ninivet, ai u ngrit nga froni, hoqi mantelin e tij, u mbulua me thes dhe u ul mbi hi.
3:7b.JON.003.007 Me dekret të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij, shpalli dhe përhapi pastaj në Ninive një urdhër që thoshte: "Njerëzit dhe kafshët, kopetë dhe tufat të mos kërkojnë asgjë, të mos hanë ushqim dhe të mos pijnë ujë;
3:8b.JON.003.008 por njerëzit dhe kafshët të mbulohen me thes dhe t'i thërresin me forcë Perëndisë; secili të kthehet nga rruga e tij e keqe dhe nga dhuna që është në duart e tij.
3:9b.JON.003.009 Ku ta dish në ktheftë Perëndia, në u pendoftë dhe lëntë mënjanë zemërimin e tij të zjarrtë, dhe kështu ne nuk vdesim".
3:10b.JON.003.010 Kur Perëndia pa atë që bënin, domethënë që po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Perëndia u pendua për të keqen që kishte thënë se do t'u bënte dhe nuk e bëri.
4
4:1b.JON.004.001 Por kjo nuk i pëlqeu aspak Jonas, i cili u zemërua.
4:2b.JON.004.002 Kështu ai iu lut Zotit, duke thënë: "Ah, o Zot, a nuk ishte vallë kjo që unë thoja kur isha akoma në vendin tim? Prandaj ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe që pendohesh për të keqen e hakërruar.
4:3b.JON.004.003 Tani, pra, o Zot, të lutem, ma hiq jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se sa të rroj".
4:4b.JON.004.004 Por Zoti i tha: "A të duket e drejtë të zemërohesh kështu?".
4:5b.JON.004.005 Atëherë Jona doli nga qyteti dhe u ul në lindje të qytetit; atje bëri një kasolle dhe u ul nën të, në hije, që të mund të shikonte çfarë do t'i ndodhte qytetit.
4:6b.JON.004.006 Atëherë Zoti Perëndi përgatiti një bimë që u rrit përmbi Jonan, për t'i bërë hije kokës së tij dhe për ta çliruar nga e keqja e tij; dhe Jona ndjeu një gëzim të madh nga kjo bimë.
4:7b.JON.004.007 Të nesërmen në të gdhirë Perëndia dërgoi një krimb që i ra bimës, dhe kjo u tha.
4:8b.JON.004.008 Kur u ngrit dielli Perëndia solli një erë mbytëse nga lindja, dhe dielli i ra në kokë Jonas, që e ndjeu veten të ligështuar dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Për mua është më mirë të vdes se sa të rroj".
4:9b.JON.004.009 Perëndia i tha Jonas: "A të duket e drejtë të zemërohesh kështu për bimën?". Ai u përgjigj: "Po, është e drejtë për mua të zemërohem deri në vdekje".
4:10b.JON.004.010 Por Zoti tha: "Ty të erdhi keq për bimën për të cilën nuk je munduar dhe nuk e ke rritur, dhe që një natë u rrit dhe në një natë mbaroi.
4:11b.JON.004.011 Dhe mua nuk duhet të më vijë keq për Niniven, qytetin e madh, në të cilin ka njëqind e njëzetmijë veta që nuk dijnë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre, dhe një sasi të madhe kafshësh?".
- Holder of rights
- Multilingual Bible Corpus
- Citation Suggestion for this Object
- TextGrid Repository (2025). Albanian Collection. Jonah (Albanian). Jonah (Albanian). Multilingual Parallel Bible Corpus. Multilingual Bible Corpus. https://hdl.handle.net/21.11113/0000-0016-89A9-F